Hemoglobina është një proteinë jetike që gjendet tek rruazat e kuqe të gjakut dhe ka funksionin kryesor të transportimit të oksigjenit në të gjithë trupin, si dhe largimin e dioksidit të karbonit përmes mushkërive gjatë frymëmarrjes.
Nivelet e ulëta të hemoglobinës mund të vështirësojnë këto procese, duke sjellë pasoja serioze për shëndetin. Mjekët theksojnë se një nga mënyrat më efikase për të rritur hemoglobinën është kujdesi me ushqyerjen dhe përthithjen e duhur të vitaminave e mineraleve.
Më shumë hekur në dietë
Hekuri është thelbësor për prodhimin e hemoglobinës dhe rruazave të kuqe të gjakut. Për ta marrë atë, rekomandohet konsumimi i mishit, peshkut, vezëve, frutave të thata, brokolit, barishteve, bizeleve, arrorëve, farave dhe gjalpit të kikirikut.
Folati – vitaminë B e domosdoshme
Folati luan një rol kyç në prodhimin e hemoglobinës. Mungesa e tij çon në anemi dhe nivele të ulëta hemoglobine. Ushqimet e pasura me folat janë mishi i viçit, spinaqi, orizi, kikirikët, fasulet, avokado dhe sallata jeshile.
Maksimizoni përthithjen e hekurit
Edhe pse ushqimet e pasura me hekur janë të domosdoshme, trupi duhet të jetë në gjendje t’i përthithë ato. Vitamina C (e pranishme në agrume, luleshtrydhe dhe barishte) ndihmon në përthithjen e hekurit. Po ashtu, vitamina A (peshk, mëlçi viçi, kungull, patate të ëmbla, barishte) dhe beta-karoteni (karrota, kungull, pjepri, mango) janë të rëndësishme për këtë proces.
Kujdes me suplementët e hekurit
Ekspertët paralajmërojnë se suplementët duhet të përdoren vetëm me rekomandim mjekësor, pasi sasi të larta të hekurit mund të shkaktojnë probleme me mëlçinë, konstipacion, nauze apo të vjella.
Specialistët theksojnë se një dietë e balancuar dhe e pasur me ushqime të duhura është mënyra më e shëndetshme për të rritur gradualisht nivelet e hemoglobinës në organizëm.