Gjatë muajit të Ramadan, besimtarët agjërojnë çdo ditë nga agimi deri në perëndim të diellit, dhe momenti i iftarit shpesh shoqërohet me uri të madhe. Megjithatë, specialistët e ushqyerjes këshillojnë që gjatë kësaj periudhe të tregohet kujdes i veçantë me llojin e ushqimeve që konsumohen.

Ndryshimi i ritmit të zakonshëm të të ngrënit mund të ndikojë në organizëm dhe të rrisë ndjeshmërinë ndaj disa ushqimeve, ndaj rekomandohet që vaktet të jenë të balancuara dhe të shmanget konsumimi i produkteve që e rëndojnë trupin pas një dite të gjatë agjërimi.

Ushqimet që duhet të kufizohen përfshijnë:

– Të skuqurat dhe shumë të yndyrshme: Këto mund të shkaktojnë lodhje, rëndesë në stomak dhe ndjenjë rraskapitjeje ditën tjetër.

– Produktet me shumë kripë: Turshitë dhe ushqimet e përpunuara rrisin etjen dhe ndikojnë në hidratimin e trupit.

– Ëmbëlsirat e tepërta: Edhe pse japin energji të shpejtë, efekti i tyre është i përkohshëm dhe shpesh pasohet nga rënie e menjëhershme e energjisë.

– Produktet me kafeinë: Çokollata ose pijet me kafeinë mund të nxisin humbjen e lëngjeve në organizëm.

Një regjim i ekuilibruar me ushqime të lehta, fruta, perime dhe mjaftueshëm ujë ndihmon që agjërimi të përballohet më lehtë dhe trupit t’i ruhet energjia gjatë gjithë muajit.

Këshilla kryesore, hani me maturi dhe zgjedhni ushqime që ushqejnë trupin, jo vetëm stomakun.