Është e vërtetë që, sado popullor të jetë bërë vitet e fundit trendi i prerjes bob, flokët e gjatëvazhdojnë të jenë një nga dëshirat më të mëdha për shumë vajza. Jo vetëm që duken elegantë dhe femërorë, por ofrojnë edhe shumë më tepër mundësi për modele dhe stilime të ndryshme flokësh. Nëse jeni duke u përpjekur t’i rrisni flokët, ka disa këshilla të thjeshta që mund të bëjnë diferencën.
Mbani një dietë të ekuilibruar
Edhe pse mund të duket si një këshillë e zakonshme, ushqimi luan një rol shumë të rëndësishëm në shëndetin dhe rritjen e flokëve. Flokët kanë nevojë për vitamina, proteina dhe minerale për t’u rritur të fortë dhe të shëndetshëm. Për këtë arsye, një dietë e balancuar është një nga faktorët kryesorë që ndikon në rritjen e flokëve. Edhe nëse ushqeheni mirë, duhet të keni parasysh se faktorë të tjerë si stresi apo çekuilibrat hormonalë mund të ngadalësojnë rritjen e tyre.
Kujdesuni për skalpin e kokës
Shëndeti i flokëve fillon nga skalpi. Kjo është zona nga e cila dalin dhe rriten flokët, prandaj kujdesi për të është thelbësor. Sot ekzistojnë shumë produkte të dedikuara për pastrimin dhe kujdesin e skalpit, si pastrues të veçantë, serume apo maska për flokët. Gjithashtu, është e rëndësishme të mos i lani flokët më shpesh seç duhet, pasi larja e tepërt mund të dëmtojë mbrojtjen natyrale të skalpit.
Shmangni nxehtësinë dhe zbardhjen e shpeshtë
Një nga faktorët më të rëndësishëm për të mbajtur flokët të shëndetshëm është shmangia e praktikave që i dëmtojnë. Përdorimi i shpeshtë i pajisjeve me nxehtësi, si tharësja apo pjastra, si dhe zbardhja e fortë e flokëve mund t’i dobësojnë dhe t’i bëjnë më të brishtë. Nëse duhet të përdorni mjete stilimi me nxehtësi, është e domosdoshme të aplikoni më parë një produkt mbrojtës nga nxehtësia për të reduktuar dëmtimet.
Mos i prisni shpesh flokët (përveç majave)
Ekziston një mit i përhapur që thotë se flokët rriten më shpejt nëse i prisni shpesh. Në realitet, prerja e shpeshtë nuk ndikon në shpejtësinë e rritjes së tyre. Megjithatë, është e rëndësishme të shkurtoni rregullisht majat e dëmtuara ose dyshe, pasi kjo ndihmon flokët të duken më të shëndetshëm dhe parandalon dëmtimin e mëtejshëm.
