CIA dëshiron të përdorë skanerë gjurmësh gishtash se pajisje të identifikimit të pozicionimit global (GPS) për t’u siguruar që rebelët e Sirisë t’i përdorin armët e furnizuara nga ata të shënjestrojnë Assad-in dhe jo Perëndimin
YOCHI DREAZEN, SHANE HARRIS dhe DAN LAMOTHE, Foreign Policy
Pas më shumë se tre vjetësh lufte civile në Siri, administrata “Obama” mund të fillojë së shpejti të dërgojë raketa që lëshohen nga krahu për rebelët që luftojnë kundër diktatorit të vendit, Bashar al-Assad. Por para se raketat e para të mbërrijnë atje, ato do të pajisen me skanerë për identifikimin e gjurmëve të gishtave dhe sisteme të pozicionimit global GPS, pajisje të krijuara për t’i mbajtur këto armë të përdorshme vetëm nga njerëzit e besuar. Ka vetëm një problem: nuk është e sigurt se këto pajisje relativisht të avancuara teknologjikisht do të jenë të përputhshme me raketa shumë të thjeshta nga pikëpamja teknologjike të prodhuara njëzet vjet më parë.
Armët në fjalë emërohen si “sisteme mbrojtëse ajrore të mbajtura nga njeriu” ose MANPADS. Muxhahedinët që luftonin trupat sovjetike në Afganistan në vitet 1980, përdorën versione të tyre të furnizuara nga amerikanët për të rrëzuar dhjetëra helikopterë të armikut. Kryengritësit e lodhur të Sirisë që po luftojnë Assad sot thonë se ata kanë nevojë për raketa për të ndaluar avionët dhe helikopterët e Sirisë, të cilët furnizojnë pozicionet e ushtrisë së Assad apo bombardojnë rebelët dhe civilët. Rebelët janë duke humbur vazhdimisht terren përballë Assad dhe zyrtarët në Arabinë Saudite dhe vende të tjera në Lindjen e Mesme argumentojnë se MANPADS mund të jenë shansi i fundit për t’u dhënë rebelëve një armë që mund të përmbysë situatën.
Shtëpia e Bardhë ka menduar t’ua japë këto armë rebelëve në të shkuarën, por nuk ia ka dhënë nga frika se këto armë – të cilat janë jashtëzakonisht të lehta për t’u përdorur – mund të nxirren nga Siria dhe të përdoren kundër avionëve civilë të Perëndimit.
Këto armë peshojnë zakonisht nga 14 në 27 kilogramë dhe mund të mbahen në krahë nga një njeri i vetëm e të lëshohen shpejt pa informacion të sofistikuar mbi shënjestrën. Raketat janë të magazinuara në një tub që është nga 1.3 deri në 2.3 metra i gjatë – që mund të fshihen lehtësisht në bagazhin e një makine apo në një arkë.
Frika se këto armë do të bien në dorë të militantëve islamikë ka bërë që CIA të kërkojë për mënyra teknologjike për të garantuar se ato do të përdoren vetëm kundër forcave të Assad. Agjencia, sipas njerëzve me njohuri mbi këtë çështje, po diskuton disa opsione për të parandaluar përdorimin e tyre nga njerëz që nuk janë autorizuar nga SHBA. Një opsion tjetër është një sistem me bazë pozicionimin global, që mund ta bëjë raketën të papërdorshme në rast se ajo nxirret jashtë pjesëve të caktuara të Sirisë.
Versione të të dyja sistemeve që po mendohen të përdoren, janë të zakonshme nëpër shumë pajisje të tjera të përdorimit të gjerë, si celularët apo laptopët. Por zbatimi i tyre në MANPADS pritet të jetë më i vështirë. Sistemi biometrik, për shembull, kërkon që SHBA apo aleatët e vet të marrin gjurmët e gishtave të rebelëve të autorizuar dhe pastaj të programojnë pajisjet me këto gjurmë gishtash, por diçka e tillë kërkon ose trafikimin e pajisjeve për marrjen e gjurmëve të gishtave në Siri apo nxjerrjen e rebelëve në bazat e CIA-s në Jordani apo në Turqi.
Opsioni i dytë mund të jetë po kaq sfidues. Sipas zyrtarëve me njohuri mbi këtë çështje, ekspertët teknikë të CIA-s kanë vuajtur për të vendosur një mekanizëm bllokues të lidhur me satelitët e pozicionimit global, në mënyrë që të jetë funksional për variantet më të vjetra të lëshuesve të raketave. Edhe kur sistemet GPS të jenë funksionalë, inxhinierët e CIA-s duhet t’i instalojnë ato në MANPADS individualisht, një proces që kërkon shumë kohë dhe mund të ngadalësojë dërgimin e këtyre armëve në fushëbetejë.
Por edhe nëse bllokuesit me GPS mund të funksionojnë, disa kanë frikë se ato mund të çaktivizohen me sukses, pasi raketat të jenë dërguar në fushëbetejë.
“Unë mendoj se problemi i vërtetë këtu është se qeveria e SHBA-së urren t’i vendosë këto armë në duart e rebelëve për sa kohë nuk është tërësisht e sigurt se mekanizmat e bllokimit GPS janë tërësisht funksionalë dhe të pamanipulueshëm”, – thotë Kristoger (Christopher) Harner, një analist në Institutin për Studimet e Luftës dhe ish-pilot helikopteri për Marinën. “Deri sa qeveria e SHBA-së është e bindur se bllokazhi punon, dhe se ato janë imun nga komprometimi nga jashtë, nuk do t’i furnizojë këto armatime cilësore te rebelët”.
CIA nuk iu përgjigj kërkesave për komente.
Debatet torturuese të brendshme mbi çfarë lloj armësh duhet t’u jepen rebelëve të Sirisë ka dëmtuar politikën e Uashingtonit në Siri për dy vjet dhe ka tensionuar marrëdhëniet me aleatë kyç si Riadi dhe vende të tjera në Lindjen e Mesme. Më 2012-n, sekretari i Mbrojtjes, Leon Panetta, dhe kreu i Shefave të Shtabeve, gjenerali Martin Dempsi (Dempsey) mbështetën një plan – të hartuar nga drejtori i CIA-s, Dejvid Petraus (David Petraeus) dhe mbështeti sekretarin e Shtetit Hillari Klinton (Hillary Clinton) – për të armatosur rebelët e moderuar të Sirisë. Pavarësisht se skuadra e sigurisë kombëtare të Obamës pothuajse ra dakord me planin, Shtëpia e Bardhë përmbysi qëndrimin e zyrtarëve dhe zgjodhi mosdërgimin e armatimeve në Siri.
Arabia Saudite është lodhur kaq shumë me paaftësinë e SHBA-së dhe fuqive të tjera botërore për të krijuar një opozitë të fuqishme për Assad, sa vitin e kaluar publikoi një dokument në Këshillin e Sigurisë në OKB, një lëvizje që tronditi diplomatët dhe ekspozoi mosmarrëveshjen në rritje mes SHBA-së dhe një nga miqtë e vet më të ngushtë në Lindjen e Mesme.
MANPADS po shfaqen si një pikë tjetër mosmarrëveshjesh. Arabia Saudite ka stoqe të këtyre armëve, por po pret lejen nga SHBA për t’i dërguar ato në Siri, një hap që Shtëpia e Bardhë deri tani ka refuzuar ta autorizojë. Administrata argumenton se ato janë armë tepër të rrezikshme për t’u dërguar në Siri pa pasur kontroll të plotë mbi marrësit e këtyre armëve dhe pa pasur masa mbrojtëse të fuqishme parandaluese për përdorimin e tyre gjetkë.
Departamenti i Shtetit, në një vlerësim të vitit 2011 mbi këtë armë, tha se mbajtja e MANPADS larg duarve të terroristëve është një “prioritet madhor për qeverinë e SHBA-së”. Që nga viti 1975, rreth 40 avionë civilë janë goditur me MANPADS nëpër botë, duke shkaktuar 28 rrëzime dhe më shumë se 800 të vdekur. Në vitin 2003, sekretari i atëhershëm i Shtetit Kolin Pauell (Colin Powell) i cilësoi MANPADS si kërcënimin më serioz ndaj aviacionit civil. Komentet e tij u shkaktuan pjesërisht nga një sulm terrorist një vit më parë, në të cilin atentatorë të paidentifikuar lëshuan një raketë krahu SA-7 kundër një avioni civil izraelit, kur ai po ngrihej nga Aeroporti i Mombasas, Kenia. Raketat nuk qëlluan në shenjë, por treguan rrezikun e përdorimit nga terroristët të një arme të lirë dhe gjerësisht të disponueshme për të shkaktuar viktima të shumta. Frika nga rrëzimi i avionëve civilë ka sjellë edhe një peticion online që i bën thirrje Kongresit të SHBA-së të ndalojë prerazi CIA-n nga dërgimi i MANPADS në Siri.
Departamenti i Shtetit citoi sulme të tjera të raportuara me MANPADS që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit, përfshirë shënjestrimin e një avioni mallrash “Airbus” të kompanisë së postës DHL që po merrte postën në Irak në vitin 2003 dhe që u detyrua të kthehet në një Aeroport të Bagdadit, si dhe rrëzimin katër vjet më parë të avionit të transportit Transaviaexport Ilyushin 76TD mbi Mogadishu të Somalisë, ku mbetën të vrarë të 11 anëtarët e ekuipazhit.
MANPADS kanë rrëzuar edhe shumë avionë ushtarakë, përfshirë avionë të SHBA-së. Vendimi i SHBA-së për të furnizuar me këto armë muxhahedinët në Afganistan nga viti 1979 deri më 1988 besohet gjerësisht se ka ndihmuar në përcaktimin e rezultatit të luftës atje, duke u lejuar rebelëve afganë të sulmojnë mjetet ajrore sovjetike. Disa kanë spekuluar se të njëjtat armë janë përdorur kundër trupave amerikane në Afganistan që nga 11 shtatori 2011, përfshirë rrëzimin e një helikopteri me 38 njerëz në bord në gusht 2011, dita më e përgjakshme e luftës për trupat amerikane.
Hetimi ushtarak amerikan doli në konkluzionin se helikopteri në fjalë u godit me një granatahedhës krahu, por disa ushtarë amerikanë që qenë dëshmitarë në vendngjarje, besojnë se janë qëlluar nga një MANPADS, mjet shumë më i fuqishëm dhe i saktë.
Bota sakaq është përplot me MANPADS – llogaritet se gjenden rreth gjysmë milion copë në planet, mijëra prej të cilave janë të disponueshme për shitje në tregun e zi. Administrata “Obama” mund ta shohë si të pamundur sigurimin e përdorimit të raketave vetëm kundër Assad dhe rrjedhimisht të refuzojë dërgimin e tyre atje. Por Oubai Shahbandar, një këshilltar i lartë i Opozitës së Sirisë, thotë se Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë qenë prej kohësh duke nxitur SHBA-në të japë leje për dërgimin e raketave. Zyrtarët e qeverisë amerikane, sipas tij, shohin instalimin e sistemeve biometrike dhe bllokuesve me GPS vetëm si një mënyrë për të qetësuar shqetësimet amerikane se këto armë mund të bien në duart e terroristëve.
Në çdo rast, nëse SHBA lejojnë dërgimin, vetëm sasi të vogla MANPADS do të dërgohen në Siri herë pas here, duke ngritur dyshime nëse sasi të tilla modeste do të jenë apo jo të mjaftueshme për të kthyer fatin e luftës. Sfidat teknike me bllokuesit GPS mund të sigurojnë një justifikim komod për administratën për të shmangur nevojën për t’iu përgjigjur pyetjeve apo për dërgimin e raketave.
Gjithsesi ka një lajm të mirë për opozitën e Sirisë: Edhe pse MANPADS nuk janë duke u dërguar, luftëtarët kundër Assad kanë marrë së fundmi raketa të fuqishme kundër tankeve. Armët mund të mos jenë dërguar drejtpërsëdrejti nga SHBA, por ekspertët thonë se është pothuajse e sigurt se kanë mbërritur atje me miratimin e SHBA-së, ndoshta përmes Katarit apo Arabisë Saudite. CIA ka gjithashtu një bazë në Jordani ku ka stërvitur rebelët e Sirisë.