Masat e shtrëngimeve financiare në Spanjë kanë shkaktuar një problem shumë të madh për ekonominë e njerëzve të thjeshtë. E ndërsa shumica i janë dorëzuar kësaj situate, kryebashkiaku i një komuniteti të vogël në këtë vend ka vendosur që të mos përkulet, por të kundërshtojë. Për dy muaj ai ndodhet në një grevë urie para godinës së Ministrisë së Industrisë në Madrid. Protesta e tij është pasojë e një dëshpërimi të madh.


Gjithçka ka marrë fund qëkur Angel Vadillo nisi që të dilte me një makinë të vjetër, në 10 prill, para godinës së Ministrisë së Industrisë në Spanjë. Gjatë dy muajve të fundit ai nuk ka vënë gjë në gojë. Makina e tij është e zbrazur dhe e vetmja gjë që të bie në sy është një fotografi me ngjyra e mbesës së tij 1 vjeçe. Përveç kësaj ai ka vetëm një dyshek, një laptop, një celular. Të dyja i karikon me energji diellore. Në fakt, është pikërisht energjia diellore ajo që i dha nisje protestës së pazakontë të Vadilos. Në janar, ministri spanjoll i Industrisë, Jose Manuel Soria, i ndërpreu të gjitha financimet për projektet e reja që kishin në qendër të tyre zhvillimin e energjive të rinovueshme. Vadiollo ishte kryebashkiaku i Alburqueque një bashki me një popullsi 5500 banorë në perëndim të Spanjës. Gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit ky vend e kishte planifikuar të ardhmen e tij në suksesin që do të kishte aplikimi i teknologjive të energjisë diellore. Për këtë qëllim ishin ndërtuar dhe madje një pjesë e tyre ishte në ndërtim, 5 fabrika të reja me një kapacitet prej 250 megavatësh. Këto përpjekje financoheshin nga shteti dhe ishin të suksesshme. Tani këto uzina nuk funksionojnë më për shkak të reduktimit të fondeve dhe kjo do të thotë se janë pa punë 850 vetë. Ndërsa në rang vendi pritet që 10 mijë vetë të humbasin vendet e punës. Vadillo shpreson që të detyrojë ministrin që të paktën të denjojë të ulet në një tryezë për të negociuar një ndryshim më pak të egër dhe me më shumë shpresë për të punësuarit. Për këtë ai vendosi që të bënte manifestime të pazakonta. Nisi misionin e tij me një ecje prej 600 kilometrash që është edhe largësia e bashkisë së tij me Madridin. Kur ministri i Industrisë refuzoi që ta priste ai vendosi që të ngrinte jashtë godinës së ministrisë një kamp të posaçëm. Kur edhe me këtë përpjekje dështoi në tërheqjen e vëmendjes, atëherë ai vendosi që të mos hante më. Dhe këtë vendim që po e mban ende e nisi në 11 qershor. E vetmja gjë që pi janë 8 litra me ujë mjalti çdo ditë. Është e vetmja gjë që e mban ende në formë. Një makinë ambulance çdo ditë mban në kontroll shëndetin e  bashkiakut. Sipas një mjeku gjendja sa vjen e po bëhet më kritike, por Vadillo është i bindur dhe do të vazhdojë. Bashkiaku është shndërruar ndërkohë në një simbol të Spanjës së këtyre kohëve të vështira, i një Spanje që e dëshpëruar po lufton edhe pse pa shumë forcë kundër pasojave të një krize ekonomike që e ka kthyer vendin në gjysmën e vet të dikurshme për shkak të masave të rrepta të shtrëngimit financiar. Që kur bashkiaku e bëri publike grevën e tij të urisë, tregon se ka pasur mundësi vetëm një herë që të ketë një takim me ministrin, por edhe atëherë sipas tij takimi ishte më shumë një monolog. “Unë ia shpjegova pozicionin tim dhe ministri nuk e hapi gojën veç për të thënë që ta rishihja edhe njëherë qëndrimin prej rebeli që po mbaja”, thotë bashkiaku. Vetë ai beson se qeveria është duke e përdorur krizën ekonomike si një pretekst në mënyrë që të çojë përpara politikat e saj konservatore. Ndërsa vetë ministri deklaron se buxheti i shtetit është në një gjendje shumë të rëndë dhe se Spanja ka një presion të vazhdueshëm nga BE për të përmirësuar situatën dhe se vetë Brukseli i ka dhënë urdhër     të shkurtojë të gjitha projektet që financoheshin në fusha të ndryshme. Si pasojë, kjo konkurrenca e Spanjës në tregun botëror është kufizuar shumë.Parase të ndërpriteshin investimet në fushën e energjisë së pastër, Spanja ishte vendi me atraksion më të lartë në botë për energjinë e rinovueshme.


 


Të jetosh me dinjitet


E ndërkohë duket se gjërat nuk janë ashtu siç duken. Sipas kreut të një kompanie të madhe për zhvillimin e energjisë diellore, qeveria spanjolle thjesht ka vendosur që të tërhiqet prej presionit që i është bërë në mënyrë të vazhdueshme nga firmat e mëdha dhe të fuqishme energjetike në vend. Vendimi i qeverisë për të hequr financimet jo vetëm le njerëz pa punë, por ndryshon tërësisht edhe fokusin dhe prioritetin e qeverisë. E ndërkohë shembulli i bashkiakut që kërkon dialog, kompromis dhe drejtësi, edhe pse me vuajtje personale ia ka dalë që të sensibilizojë shumë të tjera. Fillimisht më të sensibilizuarit janë banorët e bashkisë së tij mblidhen çdo mëngjes në orën dhjetë para makinës së bashkiakut të tyre në shenjë solidariteti dhe mbështetjeje. Ndërkaq ai ka online dhe 4 milionë mbështetës. Një grua që qëndron  edhe ajo mes shumë  të tjerëve në mbështetje të bashkiakut të saj thotë: Vadillo është heroi ynë, zëri ynë, shpresa jonë. E me gjithë mbështetësit e tij duan që ai të heqë dorë nga greva e urisë, sepse ne nuk duan që ai të vdesë. Por bashkiaku është i vendosur: “Jam gati që të bëj gjithçka për bashkinë time. Nuk bëhet fjalë për mbijetesë, por për një jetë me dinjitet. Këtë po kërkoj”.