Franca ka ndoshta politikën më të ashpër në Europë kundrejt emigrantëve romë. Shumica jetojnë në kampe që vazhdimisht shkatërrohen nga policia dhe më pas rindërtohen. Çdo vit, mijëra prej tyre deportohen, por numri mbetet gjithmonë njësoj
Henri Astier, BBC
Para se të zbardhte në një mëngjes dimri, policia erdhi të shkatërrojë shtëpinë e Aleksit.
“Ata thanë: ‘Të gjithë të dalin jashtë, ne do ta shkatërrojmë këtë kamp’. Na dhanë gjysmë ore kohë për të mbledhur rraqet”, tregon 18-vjeçari.
Të 15 familjet rome që jetonin në një pyll jashtë Parisit nuk mund të përballeshin me 100 policët e pajisur më së miri me mjete për luftën kundër turmave që patën ardhur për t’i përzënë ata.
Policët iu futën punës menjëherë. Brenda një ore, asgjë nuk mbeti nga kampi i romëve. Gropa të mëdha u hapën përreth zonës, në mënyrë që të mos lejonin rindërtimin e kampit.
I pyetur se si ndihet kur sheh kasollen që ai ka ndërtuar, të shkatërruar, Aleksi përgjigjet thjesht: “Nuk ndiej asgjë. E kam përjetuar një gjë të tillë shumë herë”.
Si shumica e rreth 20 mijë romëve etnikë që jetojnë në Francë, Aleksi vjen nga Rumania. Dhe si shumica, ai është përzënë nga një kamp i improvizuar në një tjetër përgjatë shumë viteve.
Qindra mijë romë – më së shumti nga Rumania dhe Bullgaria, janë zhvendosur për në Europën Perëndimore që nga vitet 1990. Gjerësisht të perceptuar si keqbërës dhe hajdutë, ata rrallëherë janë të mirëpritur.
Por ata janë nën presion, veçanërisht të ashpër, në Francë. Kampet e tyre ilegale, si ai i Aleksit në Shamp-syr-Marn në lindje të Parisit, shkatërrohen vazhdimisht nga autoritetet.
Sipas Qendrës Europiane për të Drejtat e Romëve (ERRC sipas akronimeve në anglisht), 19,300 romë u përzunë nga kampet e tyre nëpër të gjithë Francën vitin e kaluar, gati dy herë më shumë se sa në vitin 2012.
“Ata nuk e dinë nga një minutë në tjetrën nëse kampi i tyre do të shkatërrohet”, thotë Gabriela Hrabanova, nga Rrjeti Europian i Organizatave Aktiviste Rome.
Në vendet e tyre të origjinës, romët përballen me diskriminim të gjithanshëm, por së paku atje lejohet të ngrenë kampet në një vend të caktuar.
“Shkatërrimet e kampeve ndodhin shumë rrallë në Europën Lindore”, vëren Hrabanova.
Shumë nga romët e gjetur nëpër kampe deportohen – së paku 11 mijë nënshtetas të Rumanisë u deportuan nga Franca vitin e kaluar, më shumë se çdo grupim tjetër emigrantësh. Të qenët nënshtetas i një vendi anëtar të Bashkimit Europian ofron shumë pak mbrojtje për shkak se ligjet e BE-së i lejojnë vendet anëtare të përzënë njerëzit që konsiderohen se janë marrë për sistemin shoqëror të vendit pritës.
Në shtator, ministri i Brendshëm, Manuel Valls, tha se romët kanë “stile jetese që janë shumë të ndryshme nga tonat dhe se fati i tyre është të rikthehen në Rumani apo në Bullgari”.
Filip Gosens (Philippe Goosens) i Shoqatës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, dallon faktin se Franca është i vetmi vend anëtar i BE-së që ka të tilla “politika përzënieje”.
Zyrtarët gjithsesi mohojnë të kenë shënjestruar posaçërisht një grup etnik. Qeveria këmbëngul se thjesht po zbaton ligjin, duke shkatërruar vendbanimet ilegale me urdhër nga gjykatat.
Vetëm lagjja Shamp-syr-Marn ka shënuar njëzet shkatërrime kampesh në tetëmbëdhjetë muajt e fundit, thotë aktivisti vendor Fransua (Francois) Loret.
Një prej qëllimeve të këtyre operacioneve është që të hiqen vendbanimet e pakëndshme për syrin, të pasigurta për jetën dhe pa kushte higjienike, pra kampet që nuk kanë ujë të rrjedhshëm apo elektricitet. Gjithsesi, Loret dhe të tjerët vërejnë se kjo metodë është vetëshkatërruese.
Sapo policia shkatërron një kamp, një tjetër ndërtohet aty panë. Aleksi dhe fqinjët e tyre tashmë janë të zënë për ndërtimin e një kasolleje tjetër disa qindra metra më larg.
“Ata jetojnë në kushte gjithnjë e më të vështira, gjë që i ndalon ata të integrohen në komunitetin ku jetojnë”, thotë etnologu Martin Olivera. “Ata po mbahen në stilin e tyre nomadik të jetesës të cilin nuk e kanë zgjedhur”.
Aleksi thotë se dëshiron shumë të ketë një shtëpi fikse, por për diçka të tillë ka nevojë për një vend pune stabël.
Aktualisht, si shumica e njerëzve në kamp, Aleksi dhe shoku i tij Rabu nxjerrin jetesën, duke gërmuar në kazanët e plehrave. Çdo mëngjes, ata nisen për punë para se kazanët të pastrohen nga bashkia në kërkim të metalit për skrap, të cilin më pas e shesin me 10 cent për kilogram.
Në një javë të mirë, ata arrijnë të nxjerrin 50 euro, më shumë se sa mund të fitojnë në Rumani.
Gjetja e një vendi të rregullt pune është shumë e vështirë për shumë arsye. Aleksi thotë se pranon të bëjë çdo punë që arrin të gjejë, por nuk ka pasur fat deri tani. Rabu thotë se punëdhënësit humbasin interesin sapo ai i thotë se është nga Rumania.
Si shumica e të rinjve romë, ata nuk kanë qenë në shkollë në Francë, gjë që është një pengesë. Shumë adoleshentë pëlqejnë të arsimohen, por përballen me pengesa të rënda.
15-vjeçari Ianut tha se u përpoq të regjistrohet në një shkollë në mënyrë që të “fliste frëngjishte mirë dhe të gjente një punë”, por u refuzua.
Shpesh shkollat i refuzojnë romët, për shkak se autoritetet vendëse ngurojnë t’i pranojnë ata si rezidentë, thotë Loret. Pa një rezidencë zyrtare, ata nuk kanë të drejtë të përfitojnë asnjë lloj ndihme shoqërore përtej kujdesit shëndetësor bazë dhe shumë hasin në vështirësi qoftë edhe për këtë.
Zyrtarët thonë se po përballen me barrën e një problemi që është përtej kapaciteteve të tyre të kufizuara. Është një problem që duhet të trajtohet në nivel ndërkombëtar dhe jo në nivel vendor, thotë Mark Nektar (Marc Nectar), i cili është përgjegjës për politikën mbi Romën në Val-de-Marn.
Kampet në mënyrë tipike shfaqen në lagjet e varfra, ku shërbimet sakaq janë të këqija. Sen-Sen-Denis, pak në veri të Parisit, është zona më e varfër e Francës. Ajo ka edhe popullatën më të madhe me kampe romësh.
Klod (Claude) Reznik, një zyrtar i zonës, vëren se romët mbërrijnë familje pas familjeje, gjë që e bën të vështirë absorbimin e tyre në krahasim me valët e mëparshme të emigrantëve.
Burrat nga Europa e Jugut apo nga Afrika që erdhën në vitet 1960 dhe 1970, vëren ai “ishin në gjendje të gjenin një krevat në shtëpinë e një shoku dhe të lëviznin gjetkë sapo gjenin një punë. Pastaj tërhiqnin familjet për t’u bashkuar”.
Lagjja e tij ka ndërmarrë masa për të gjetur shtëpi për familjet e kampeve të shkatërruara, por nuk është se kanë shumë mundësi për këtë, thotë Reznik. “Disa njerëz kanë qenë në listën e pritjeve për shtëpi sociale për shumë vite”, vëren ai. “E si mund të lejojmë që romët të futen pa radhë?”.
Në Marn, si në shumë vende të tjera, disa banorë po kërkojnë veprime shumë të ashpra. Së fundmi, disa prej tyre, bënë një peticion te kryebashkiaku, duke kërkuar që përzëniet të përshpejtohen.
Një vëzhgim i shpejtë i opinioneve të banorëve vendës zbulon një miks këndvështrimesh mbi praninë e romëve. Ingrit, 21 vjeç, e cila studion osteopati në një shkollë pranë kampit të shkatërruar, thotë se zakonisht nga kampi vinte tym me erë të keqe. Një student tjetër thotë se rruga ishte e sikletshme.
Të tjerë janë më pozitivë. Florian Gojon, një student historie, thotë se as nuk e shqetësojnë fare romët. Mohammed, një emigrant tunizian 28-vjeçar dyshon se shumë prej romëve mund të jenë duke nxjerrë jetesën duke vjedhur telefona celularë, por nuk dëshiron t’i shohë ata të përzënë. “Nuk është e drejtë të hedhësh fëmijë në të ftohtë”, thotë ai.
Vetë romët nuk ankohen për rastet e përplasjeve serioze me banorët vendës. “Ne nuk kemi probleme me francezët, vetëm me policinë”, thotë një rumun që e quan veten “djaloshi”. “Ata na akuzojnë për vjedhje, por ne nuk vjedhim asgjë”.
Gijom Lardashet (Lardanchet) është anëtar i një organizate që ndihmon fëmijët e emigrantëve në telashe. Ai pranon se të rinjtë romë, në disa raste, përzihen në krime. Kjo nuk përbën ndonjë habi për të për shkak se ata më shpesh gjenden në rrugë se sa në shkollë.
Por, shton ai, problemi shpesh ekzagjerohet. Shifrat e policisë sugjerojnë se 200-300 fëmijë të kampeve janë të angazhuar në aktivitete kriminale nëpër Francë nga një total prej 6 mijë fëmijësh. “Shumica dërrmuese e fëmijëve romë qëndrojnë jashtë telasheve”, thotë Landarshet.
Disa mendojnë se perspektiva për emigrantët romë në Francë mund të përmirësohet me fundin e “regjimit të tranzicionit” që pati kufizuar aksesin te vendet e punës për nënshtetasit e Rumanisë dhe Bullgarisë.
Nga 1 janari i këtij viti, ata nuk kanë më nevojë për leje qëndrimi për të punuar në Francë. Por ndërkohë, politikat që kanë krijuar një cikël ndërtimi dhe shkatërrimi kasollesh, mbeten në fuqi.
Komenti
“Ata nuk e dinë nga një minutë në tjetrën nëse do të përballen me policinë dhe do të humbin strehën e vet”
Gabriela Hrabanova
Rrjeti Europian i Organizatave Aktiviste Rome
Skemat
Eksperimentimi me alternativat
Disa qytete franceze nuk janë të kënaqura me rutinën e përzënies
Obervija lëvizi 20 familje në shtëpi normale pesë vjet më parë, por vijon të shkatërrojë kampet ilegale
Periferi të tjera të Parisit si Banjolet, Sen-Denis dhe Sen-Uen – janë përpjekur të gjejnë skema të ngjashme për disa familje të përzgjedhura.
Një lagje, në lindje të Parisit, ka ndërtuar një kamp pa përzgjedhje për 350 romë në vitin 2008
Të gjitha këto skema janë shumë të vogla
Qytetet franceze në përgjithësi i trajtojnë romët keq
Cilët janë romët?
Minoriteti më i madh i Europës, vlerësohet se janë 10 deri në 12 milionë njerëz.
U larguan nga India e Veriut rreth vitit 1 mijë pas Krishtit, duke arritur në Europë në shekullin e katërmbëdhjetë.
Shpesh i referohen si xhipsit, sintit, zingarit (italisht), Ciganë, (Gitanos në Spanjë), Manuke (Manouche në Francë)
“Romë” tashmë përdoret si termi i përgjithshëm, por në shumë raste përdoret për t’iu referuar veçanërisht atyre që janë nga Europa Juglindore – më së shumti nga Rumania dhe Bullgaria
Flasin gjuhën rome, me variacione vendore
Romët/xhipsit përballen me margjinalizim kudo që ata janë vendosur për të banuar