Autori amerikan do të shfaqë në Festivalin e Venecias dokumentarin që tregon jetën e mbretit të muzikës pop
Bad 25
Spike Lee, regjisori i filmave “Do the Right Thing”, “Malcon X”, “Miracolo in Sant’Anna”, është një burrë i qetë, serioz, fjalëpakë dhe shumë i kënaqur nga jeta. Por është edhe më i kënaqur tani që do të shkojë në festivalin e Venecias për të prezantuar dokumentarin e ri për jetën e Michael Jackson-it i titulluar “Bad 25“. Ai është gjithashtu i kënaqur, sepse filmi i tij “Red Hook Summer” financuar nga vetë ai (ka kushtuar rreth një milion dollarë), më në fund ka gjetur sponsor dhe do të shfaqet në kinematë amerikane. Kjo është një histori e parë nga sytë (iPad-i) e Silas, student në një universitet privat, të cilin për rrethana të panjohura, prindërit e çuan te gjyshi në Bruklin (Clarke Peters). Si në shumë filma të Spike Lee, edhe këtu një histori intime ndërthuret me një polemikë shoqërore. Tani regjisori po përgatit skenarin e filmit korean “Old Boy“, një projekt që duket se po e zbavit. Prej pak kohësh mbylli me sukses në Broduej shfaqjen “Undisputed Truth” që e drejtonte Mike Tyson dhe fliste herë pas here për veten. Si gjithmonë, ai mban në kokë kapele, vesh një palë xhinse dhe një bluzë të thjeshtë, veshje që e tregon sikur është 20 vjeç, jo 55. Lee është baba i dy fëmijëve adoleshentë. E shoqja është një avokate e njohur në Nju Jork. Ja ç’tregon Spike për miqësinë e tij me Michael Jackson.
Çfarë është “Bad 25”?
Është një dokumentar me metrazh të gjatë që kremton 25- vjetorin e daljes në treg të albumit “Bad”, një sukses tjetër planetar pas albumit “Thriller”, që është edhe më i shituri i të gjitha kohërave. Për realizimin e këtij dokumentari kam bashkëpunuar me “Sony Records“, “Epic Records” dhe trashëgimtarët e Michael Jackson. Kam pasur akses ndaj çdo materiali të tij, madje edhe privat. Kam parë gjëra të tij që askush nuk ka guxuar më parë. Shoh me kujdes të gjithë punën që është dashur për të realizuar “Bad”, bashkëpunëtorët, teknikët, instrumentistët dhe përpiqem të kuptoj ndikimin që ka pasur ky album te fëmijët dhe divat e ardhshëm si Mariah Carey, Justin Timberlake, e deri te Justin Bieber.
Do të dëgjojmë edhe gjëra të padëgjuara më parë?
Shumë, sepse Michael kishte regjistruar rreth 60 këngë për albumin “Bad”, ndërkohë që vetëm 11 u publikuan. Kështu le të dëgjojmë disa këngë që nuk i kishim dëgjuar më parë, të papublikuara zyrtarisht.
Ju e njihnit personalisht Michael Jackson?
Po, madje ishim shumë miq. Jemi rritur bashkë, unë kam qenë më i madh, por kuptoheshim shumë mirë me njëri-tjetrin. Më ka mbetur merak që nuk munda të realizoja një film me të ku protagonist të ishte ai. Sipas mendimit tim ishte një aktor i mrekullueshëm, i drejtpërdrejtë, i ndjeshëm, njësoj si Tyson.
Super boksier si Mike Tyson?
Të dy ishin të ndershëm dhe kjo është vlerë. Tyson është një person i vërtetë; është i ndërgjegjshëm edhe për brutalitetin e vet. Tyson e sheh gjithçka si fitore, ndryshe nga shumë kampionë të tjerë të famshëm, të cilët flasin vetëm për sukseset, ndërkohë që përpiqen të fshehin të gjitha gjërat e pahijshme që mund t’i komprometojnë. I vlerësoj shumë njerëzit e talentuar dhe akoma më shumë ato të ndershëm.
Paraardhësit
Video – Spike Lee ka realizuar klipe të Miles Davis, Public Enemy, Stevie Wonder, Prince, Eros Ramazzotti
Kinema – Filmi më muzikor nga ata të drejtuar nga Spike është ai “Mo’better blues” i vitit 1990, plot referime ndaj Davis dhe Charles Mingus
“Musical” – Spike Lee, pasi solli në skenën e Broduejt Mike Tyson, dëshiron të realizojë një “musical” frymëzuar nga filmi i tij “Do the right thing” i vitit 1989