Partitë politike janë bërë të mërzitshme. Shevchenko e Klitschko ofrojnë spektakël


Një mbrëmje vonë në shtator, njerëzit mbushën ndërtesën e operës në Çernivtsi, një qytet pranë kufirit të Ukrainës me Rumaninë që dikur njihej si Çernouitz gjatë kohës kur sundohej nga Perandoria Austro-Hungareze. Ata nuk kishin ardhur për të dëgjuar muzikë. Ylli i mbrëmjes ishte Andriy Shevchenko, një hero i futbollit të këtij vendi, i cili njoftoi gjatë verës se po largohej nga futbolli për të filluar një karrierë politike.


Tashmë ai është i dyti në listën e Partisë Ukrainë–Përpara. Lista udhëhiqet nga kreu i partisë, Natalia Korolevska. Shevchenko dhe Korolevska kishin ardhur në këtë provincë të largët për të bërë fushatë për zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen më 28 tetor. Sapo Shevchenko e ngrohu turmën me praninë e tij, Korolevska hyri në lojë. Ajo nuk i ka mbushur ende 40 vjeç dhe ka të shkuar në biznes. Është përfaqësuese e një brezi të ri politikanësh në Ukrainë. Megjithatë, fjalimet e buta të Korolevskës, që jepen në Rusisht, janë përgjithësisht pa brumë. Reklama e saj e fundit në televizor i bënte një jehonë të dobët fjalimit të famshëm të Martin Luther King “Unë kam një ëndërr”, dhe shumë mbetën të pafrymëzuar.


Ai që me të vërtetë mblodhi turmën në Çernivtsi ishte Shevchenko, më shumë se sa dy kandidatët lokalë të partisë, të cilët janë të rinj në skenën politike kombëtare. “Unë nuk arrita të marr autografin e tij”, shfryu një djalë i vogël, ndërsa i ati e nxori nga ndërtesa.


Ndërsa zgjedhjet janë vetëm pak javë larg, Ukraina është e mbushur me tendat e fushatës dhe me posterat e reklamave politike. Forca politike në pushtet, Partia e Rajoneve, premton përmes pllakateve të veta “nga stabiliteti te bollëku”, duke supozuar se qeveria sakaq e ka arritur të parën. Opozita e bashkuar – e grupuar përreth Partisë së Julia Timoshenkos, Atdheu, është përgjigjur me një slogan sfidues “Ne do t’i ndalojmë ata”. Ndërkohë, slogani i fundit i Korolevskës pretendon se “një pagë mesatare prej një mijë eurosh dhe një pension prej 500 eurosh” janë gjëra të realizueshme në Ukrainë. Aktualisht paga mesatare në këtë vend është 300 euro.


Disa orë me makinë më në veri, në fshatin malor të Mikuliçinit, tenda blu e Partisë së Rajoneve është një lloj atraksioni turistik. Një grup nga të rinjtë e fshatit pozojnë për të dalë në fotografi në mes të shiut dhe me tendën në sfond.


“Kjo është partia e Viktor Janukoviçit, ju e dini”, shpjegon një grua e re në tendë me pasiguri, ndërsa na jep një grusht me fletëpalosje dhe një çadër të madhe ku shkruhet “Partia Regioniv 2012”. Pasdreke, tenda është hequr. Fshatarët qenë të zënë me festën për 600-vjetorin e lindjes së fshatit, të cilën po e shijonin në fushë të lagur, të ngrohur nga muzika popullore dhe vodka me mjaltë.


Kjo është pjesë e maleve të Karpateve dhe zonë turistike malore e këndshme. Ksenia, e cila zotëron një shtëpi të vogël që e jep me qira për turistët, po përgatit një darkë tradicionale me kërpudha për klientët e saj, klientët e parë në dy muaj. Ajo hedh komposto frutash në një enë të vjetër balte, duke i shtuar objekte autentike artizanale, të cilat vështirë se mund të gjenden në këto kohë. “Kinezët kanë mësuar të bëjnë gjëra që duken pothuajse njësoj me gatimin tonë Hutsul”, thotë ajo.


Ukrainasi i mesëm është sakaq i gatshëm të shesë votën e vet për 2650 krivna (250 euro), thotë Kostyantyn Dykan, një ekspert në qendrën Razumkov në Kiev, duke komentuar mbi disa të dhëna statistikore të publikuara së fundmi. Vetëm pak javë larg zgjedhjeve, fushata është në kulm. Por sa larg është e gatshme të shkojë secila nga partitë?


Një boksier drejton Partinë Grushti


Ndryshe nga Shevchenko, boksieri i peshave të rënda, Vitaly Klitschko, ka një parti të vetën, partinë liberale të orientuar nga Perëndimi me emrin UDAR (“Grushti”, Reuters raporton se sondazhet e nxjerrin këtë parti në vend të dytë pas asaj të Presidentit Yanukovich). Ish-kampioni është kritik i ashpër i Presidentit aktual dhe e ka përqendruar fushatën e partisë së tij në luftën kundër korrupsionit. Partia në pushtet synon të marrë edhe një herë mazhorancën në parlamentin me 450 vende, me qëllim që të mbrojë interesat e industrialistëve dhe bizneseve të mëdha që e mbështesin atë. Partia në pushtet, sipas një sondazhi, pritet të marrë 23.3 për qind të votave, ndërsa Partia Grushti do të marrë 16 për qind. Klitschko, 41 vjeç, është dy metra i gjatë dhe ende nuk e ka mbyllur përfundimisht karrierën e vet si boksier. Ai ka realizuar 45 fitore në boks, nga të cilat 41 i ka marrë me nokaut, por disponon edhe një doktoraturë në shkencën sportive. Ai e akuzon qeverinë se përfaqëson vetëm interesat e elitës financiaro-industriale. Ka refuzuar mundësinë e një koalicioni me Partinë e Rajoneve pas zgjedhjeve.


Skeda



  • Ukraina

  • Sipërfaqja: 603 mijë kilometra katrorë

  • Popullata: 45.9 milionë banorë

  • PBB: 165 miliardë dollarë

  • PBB për frymë: 3621 USD