Nga stoli rezervë te protagonisti absolut i pjesës së parë të kampionatit: ylli i ri i Milanit tregon për të paparashikueshmin vit 2012, duke parë nga e ardhmja: “Tani do të më duhet të luaj edhe kundër Mesit, nuk është çmenduri?
Para intervistës, djaloshi Stephan El Shaarawy kërkon dhjetë minuta kohë për t’u ndërruar. Kthehet dhjetë minuta më vonë, i veshur me kostumin e Milanit, thotë faleminderit dhe mirëdita, ulet dhe u përgjigjet ngadalë pyetjeve duke bërë herë pas here disa pauza të vogla. Është 20 vjeç, edhe pse nga shikimi duket si dhjetë, ndërsa nga veprimet si 30.
Stephan El Shaarawy, ju jeni emri i ri i këtij kampionati, e imagjinonit?
Sinqerisht jo. Mendoja vetëm të luaja pak më shumë pas largimit të Ibrës dhe Cassano-s. Por nuk e kisha menduar kurrë se do ta nisja kaq fuqishëm.
Ju ndodh që të zgjoheni në mëngjes dhe të “bekoni” krizën ekonomike?
Po na ka ndihmuar shumë, u ka dhënë hapësirë të rinjve. Për më tepër bëri të kuptohet se edhe të rinjtë janë të fortë.
Megjithatë merkatoja entuziazmon vetëm ku ka prurje të huaja.
Në fakt edhe ju keni një mbiemër plot me bashkëtingëllore?
Megjithatë jam italian, nga koka te këmbët, të një Italie që ka ndryshuar jo vetëm në futboll.
Ku do të arrini me kombëtaren?
Mund të shkojmë shumë larg. Ëndrra e parë është Botërori brazilian i futbollit më 2014-n, në tokën e futbollit.
Po në 2014-n, ju akoma do të mbani veshur fanellën e Milanit?
Shpresoj, ka qenë gjithmonë skuadra e zemrës sime. Dëshiroj të bëhem gjithmonë e më i rëndësishëm dhe të qëndroj këtu sa më gjatë të jetë e mundur.
Si një lloj Del Pieroje milanist?
Do të ishte e mrekullueshme.
Po nëse vijnë sheikët?
Nëse vijnë, shpresoj që Milani të ketë forcë t’u thotë jo. Të rinjtë nuk duhet të largohen.
Mendoni se do të qëndroni në krye të kampionatit si golashënuesi më i mirë deri në fund të majit?
Do të kisha shumë dëshirë të isha unë golashënuesi më i ri në historinë e Serisë A.
Pa atë lloj modeli floku mendoni se do të ishit bërë një personazh kaq shpejt?
Kush përqendrohet shumë te flokët e mi, i këshilloj të shikojë pak më mirë personin se sa lojtarin…
Ju si do ta përshkruanit veten?
Një djalosh të thjeshtë, të sjellshëm dhe i mirë me të gjithë. Të paktën unë përpiqem të jem kështu.
Ishit i detyruar të rriteshit kaq shpejt?
Në moshën 14-vjeçare stërvitesha me skuadrën e parë të Xhenovës. Por nuk mendoj se kam humbur ndonjë gjë: kam realizuar atë që doja që i vogël dhe më mirë kështu. Për më tepër vazhdova të studioja: do të më pëlqente të studioja për ekonomik si vëllai im.
Më falni nëse insistoj: flokët ashtu janë pjesë e juaja?
Mua më pëlqejnë dhe pikë. Që fëmijë i kisha gjithmonë flokët të shkatërruar, kështu që ky model është një pasojë logjike.
Si nisi e gjithë kjo?
Një ditë shkova te parukeri im dhe i thashë: më krijo ndonjë gjë të re.
Kopjoi ndonjë stil?
Jo, kam qenë mes të parëve. Në atë kohë e kishte vetëm Hamsik. Tani e di që ka djem që i presin flokët si unë, dhe më bëhet shumë qejfi.
Berluskoni ka thënë se mund t’i mbani flokët kështu mjafton që të shënoni gola…
Një arsye e mirë për të mos hequr dorë.
Jeni gati për t’u përballur me Mesin?
Unë kundër tij, është e pashpjegueshme. Nuk mund të shpjegohet diçka e tillë.
Çfarë do t’i vidhnit?
Përveç gjatësisë, gjithçka. Askush nuk e ka shpejtësinë e tij me topin në këmbë, dhe sigurisht askush nuk e ka teknikën e tij. Madje tani që e mendoj, mund t’i vjedh edhe gjatësinë, kështu mund të bëhem më i shpejtë.
Shorti i Champions ishte mizor me Milanin, si ju duket?
Barcelona është një kundërshtar shumë i vështirë, por jo i pamundur: edhe kundër tyre nisesh nga zero në zero.
Në kampionat ekziston vetëm Juve: shumë të fortë ata dhe të dobët të tjerët?
Prej një viti e gjysmë po fluturojnë me ritme shumë të larta. Por mund të them se mungojnë ende shumë ndeshje nga fundi, dhe mes nesh dhe tyre nuk ekziston ndonjë diferencë e pakalueshme. Përgatituni për surprizat: për momentin synojmë vendin e tretë, por mund të ecim edhe më mirë.
Çfarë do të thotë për Milanin ikja e Patos dhe Robinjos?
Do të humbitnim shumë, do të humbiste cilësia.
Çfarë janë Krishtlindjet për ju?
Një periudhë qetësie, ngrohtësie, një mundësi për të qëndruar së bashku, por pa asnjë domethënie fetare. Unë jam mysliman.
Praktikant?
Përveç Ramazanit, po.
Ende asnjë të dashur?
Jo, edhe pse dolën gjithandej fjalë se shoqërohesha me njërën, ajo është e dashura e vëllait tim. Dhe nuk është e vërtetë që ngacmoj vajzat në “Facebook”, ashtu siç kam lexuar. I përdor rrjetet sociale si çdo djalë i moshës sime.
Asnjë vëth, dhe mbi lëkurë as një tatuazh: e pazakontë apo jo?
Duhet të dallohesh. Nëse bëj tatuazhe në trup do të bëhem njëlloj me të tjerët.