“Tregon sa e rëndësishme është lidhja midis etërve dhe bijve, më kujton marrëdhënien me babanë tim”
Më 11 qershor 1982, në skenat e kinemasë doli një film mbi historinë prekëse të një jashtëtokësori shumë të dashur, i quajtur E.T, i cili kishte mbetur në tokë. Regjisori amerikan i filmit, që u kthye shumë shpejt në një mit, Steven Spielberg, shpjegon marrëdhënien e tij me filmin…
Unë fillova të mendoj sërish për E.T. ndërsa isha duke xhiruar një tjetër film të së njëjtës natyrë me të. Kështu nisa të imagjinoja: çfarë do të kishte ndodhur nëse alieni i vogël do të kishte qëndruar këtu në tokë dhe nuk do të kishte arritur të kthehej me anijen-nënë, siç ndodh në filmin e 30 vjetëve më parë. Dhe kështu doli filmi “Aventurat e Tintinit”, në vitin 2011, gjatë xhirimit të të cilit gjëja që më ka zbavitur më shumë kanë qenë pikërisht kujtimet e E.T.
Unë e kam parë gjithmonë jashtëtokësorin e vogël E.T si një figurë atërore, si një njeri të urtë, të mençur, një njeri-fëmijë, një plak-fëmijë. Mbaj mend atë që i kam thënë personit i cili do të krijonte kukullën E.T. 30 vjet më parë, Carlo Rambaldi: ‘Pamja e E.T duhet të jetë fëmjërore dhe e plakur në të njëjtën kohë’. Dhe ai arriti ta bënte në mënyrë të përkryer, tamam ashtu si unë kisha ndërmend.
Mund të them se ai film është puna ime më personale, pasi më kujton marrëdhënien me babanë tim. Historia e E.T ishte mënyra ime për t’u kujtuar të gjithëve se sa e rëndësishme është lidhja midis etërve dhe bijve.
Për përvjetorin e njëzetë të filmit, dhjetë vjet më parë, ne prodhuam një version në DVD, me disa efekte speciale, skena të përmirësuara, disa gjëra të shtuara apo të hequra nga origjinali që doli në sallat e kinemasë në vitin 1982, duke aplikuar edhe disa rregullime me karakter dixhital.
Unë në fakt, u përpoqa një herë ta ndryshoja filmin dhe realisht më vjen keq që e kam bërë. Jo aq sepse me ketë mund të zhgënjeja fansat e shumtë të personazhit, por edhe sepse vetë ndihesha shumë i zhgënjyer. Gjithmonë kam qenë tepër i ndjeshëm ndaj reagimeve për personazhin e E. T., dhe kam menduar për një moment se meqenëse edhe teknologjia ka evoluar (duke të krijuar mundësinë që të mund të ndërhysh për përmirësime në disa gjëra) … nuk do të ishte keq, por menjëherë e kuptova se në këtë mënyrë do t’u vidhja njerëzve kujtimet e tyre, që lidheshin pikërisht me personazhin aq të dashur të E.T, në atë formë siç erdhi 30 vjet më parë, as më shumë e as më pak se aq.
Skenat më të paharrueshme të filmit janë ato të cilat ende i prekin njerëzit sa herë e shohin atë film.Kur biçikleta ku ndodhet E.T fluturon drejt hënës së plotë dhe ai pëshpërit: “shtëpi… shtëpi”.
Me një çarçaf të bardhë të mbështjellë rreth fytyrës si një burka, jashtëtokësori i vogël duket si një Lorenc i Arabisë hipur në një biçikletë, si një njeri i të gjitha kohërave. E.T mbetet një personazh mitik dhe i pazëvendësueshëm, shumë i natyrshëm dhe njerëzor, që pavarësisht zhvillimit të teknologjisë dhe mundësive të pafundme për ta rikrijuar, është e pamundur ta risjellësh edhe një herë si 30 vjet më parë, pasi nuk do të kishte më brenda kujtimet e shumë brezave e që u rritën me të.
11 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)