Janë bërë prindër në moshë të vonë për t’u realizuar në jetën profesionale, por kur arrijnë në majë, e gjejnë veten duke bërë një detyrë të dyfishtë: suksesin në punë dhe ndërrimin e pelenave të fëmijës në shtëpi


Janë profesionistët urbanë me dy shpejtësi: ata që ecin më ngadalë me familjen dhe shtojnë shpejtësinë në punë. Anashkalojnë lindjen e fëmijëve për t’u përqendruar totalisht te karriera. Duke iu përkushtuar jetës profesionale, harrojnë ose lënë pas dore atë familjare dhe në moshë madhore kujtohen të nisin jetën familjare. Revista “Economist” i ka cilësuar “brezi i të ezauruarve”: janë 30 – 40-vjeçarët e sotëm që kanë marrë pushtetin para kohe, shumë më parë se prindërit e tyre, por që ndihen të stresuar, pa asnjë lloj energjie. Ndonjëherë janë të trishtuar për shkak të shtimit të përgjegjësive në momentin e gabuar. Ato janë gra si Marissa Mayer, që në moshën 37-vjeçare dhe për herë të parë shtatzënë caktohet si administratore e deleguar e “Yahoo”-së, e cilësuar si menaxherja më e popullarizuar e momentit, por që është e paqartë tani se si do t’ia bëjë më angazhimet publike dhe private; apo si Louise Mensch, shkrimtarja 41-vjeçare e romaneve rozë dhe deputete konservatore në pritje për t’u bërë ministre, e cila dha dorëheqjen nga detyra, sepse nuk arrinte më të kombinonte angazhimet politike me ato të një nëne me tre fëmijë dhe gruas së një agjenti i yjeve amerikanë të muzikës rok; apo akoma si aktorja 39-vjeçare Gwyneth Paltrow, që e ndarë mes dy detyrave të nënës në Londër dhe angazhimeve kinematografike në Hollivud braktisi Anglinë me qëllimin për të shpëtuar familjen dhe punën; si politikania 49-vjeçare Anne Marie Slaughter, që la postin e saj prestigjioz si këshilltare e sekretares së Shtetit amerikan, Hillary Clinton, për t’u kujdesur për dy fëmijët e saj. Ajo deklaroi në një artikull të revistës “Atlantic” se nuk është e vërtetë se gratë mund të kenë gjithçka.


Në fakt, nuk janë ezauruar vetëm gratë, por edhe burrat. David Cameron, ishte 43 vjeç kur u bë Kryeministër i Britanisë, baba i dy fëmijëve. Gjatë muajve të parë të detyrës ishte aq i sfilitur saqë harroi të birin në një klub nate, pastaj kur u kujtua shkoi ta merrte bashkë me eskortën e shërbimit sekret. George Osborne, këshilltar i thesarit që kur ishte 38 vjeç, është akuzuar se është një ministër i keq i thesarit dhe një baba “çka” për shkak të detyrës së dyfishtë.


I njëjti fenomen vërehet edhe në biznes, ku drejtuesit e firmave të mëdha janë më të rinj se dikur dhe jo vetëm në industritë dixhitale të tipit “Google” (Sergey Brin është 39 vjeç) dhe “Facebook” (Mark Zuckerberg është 28 vjeç): një studim i shoqërisë “Egon Zehnder International”, tregon se 40% e administratorëve të deleguar të firmave të mëdha perëndimore janë 40-vjeçarë, një përqindje e dyfishuar gjatë 15 viteve të fundit. Edhe ata pavarësisht kujdesit të dadove, vuajnë nga sindroma e ezaurimit fizik: shikoni rastin e portugezit Antonio Horta-Osorio, 46 vjeç shef ekzekutiv i “Lloyds Banking Group”, dhe baba i tre fëmijëve, që vitin e kaluar u sëmur papritur nga stresi. “Doja të bëja shumë gjëra në të njëjtën kohë”, tha ai më pas.


Natyrisht që nuk është rasti i Brin dhe Zuckeberger, ndoshta sepse asnjëri prej të dyve nuk ka akoma fëmijë. Një studim i “Financial Times” ka treguar se në 2012-n ka pasur një numër rekord, 320 dorëheqje administratorësh të deleguar në Europë, për shkak të krizës dhe recensionit. Në brezat e mëparshëm fëmijët bëheshin para dhe suksesi profesional vinte më vonë. Sot këto dy karakteristika përkojnë me njëra-tjetrën: fëmijët dhe suksesi vijnë bashkë, duke ushtruar një presion shpeshherë të papërballueshëm. “Zgjodha fëmijët dhe lashë mënjanë karrierën”, thotë ish-deputeti Louise Mensch. “Nëse futem në krizë do të bëj pushime me familjen të dielave”, pohon Marissa Meyer. “Do të rezervoj një natë romantike me gruan time dhe çdo fundjavë do ta kaloj me fëmijët”, sugjeron si zgjidhje David Cameron.


Sipas një raporti anglez çrregullimet psikologjike si vetmia, depresioni dhe nervozizmi janë më të shpeshtët në moshën nga 34 deri në 45 vjeç. Kjo është edhe periudha që familjet mund të prishen më lehtë: në Britaninë e Madhe, numri më i ndarjeve ndodh brenda tre vjetëve të lindjes së fëmijëve. Jo më kot sondazhi kombëtar mbi lumturinë i kryer nga qeveria britanike tregoi se kënaqësia personale arrihet nga mosha 20 deri në 25 vjeç, pastaj bie rreth të 30-ve dhe 45-ve, për t’u rritur sërish pas të 50-ve. “Kriza e moshës së mesme” ekziston akoma, por nuk prek më atë që konsiderohej mosha e mesme, por 35-vjeçarët e në vazhdim. Me pak fjalë rolet janë kthyer.


Sipas sociologëve 55-vjeçarët janë “45-vjeçarët e rinj”: nuk kanë më ankth në punë, kanë fëmijë të rritur dhe ndiejnë nevojën për të shijuar jetën. Doktor Frank Lipman i quan “Spent generation”: “Lodhja nga e cila vuajnë ka arritur nivele epidemike”, shton ai. “Për ta kapërcyer me sukses këtë fazë të jetës duhet të flini më shumë, të bëni një pushim 15 minutësh në drekë, ose një shëtitje në ajër të pastër. Provoni jogën, meditimin, çfarë dolloj gjëje që ju bën të ndiheni mirë”, përfundon doktori.