Jo të gjithë e përjetojnë stresin njësoj. Disa preken nga dhimbje qafe dhe shpine, të tjerë nga dhimbje barku, të tjerë nga lodhje kronike apo probleme me gjumin. Shkencëtarët thonë se kjo “hartë e stresit” në trup është e lidhur ngushtë me sistemin nervor dhe historinë personale të secilit.

Studime në fushën e psikosomatikës tregojnë se:

-personat me prirje për ankth e ndjejnë stresin më shpesh tek stomaku dhe tretja,

-ata që shtypin emocionet e tyre kanë më shumë gjasa të përjetojnë tension muskulor dhe dhimbje qafe/shpine,

-ndërsa njerëzit me gjumë të çrregullt dhe orare të ngarkuara, shpesh raportojnë lodhje kronike dhe dhimbje koke të përsëritura.

Mjekët flasin për një “dialog të padukshëm” mes trurit dhe trupit: stresi i pandërprerë rrit nivelet e kortizolit, gjë që ndikon tek gjumi, oreksi, imuniteti dhe mosbalancimi i hormoneve të tjerë.

Kjo shpjegon pse pas një periudhe të gjatë tensioni, shumë njerëz thonë se u sëmuren më shpesh, kanë probleme me lëkurën apo humbin energjinë.

Ekspertët e shëndetit mendor theksojnë se sinjalet fizike nuk duhen injoruar.

Nëse vini re se:

-dhimbjet e trupit shtohen në periudhat më të stresuara,

-keni gjithmonë stomakun “të lidhur nyje” para situatave të rëndësishme,

-ose jeni gjithmonë të tensionuar, të ngrirë, me muskuj të ngurtësuar, atëherë trupi juaj mund të jetë duke ju treguar se keni nevojë për pushim, kufij më të shëndetshëm dhe mënyra më të mira për të menaxhuar ankthin.

Psikologët sugjerojnë hapa të vegjël, por të qëndrueshëm:

-shëtitje të rregullta në natyrë,

-aktivitet fizik të lehtë,

-rituale relaksuese para gjumit,

-bisedë me një psikolog ose terapist.

Mesazhi kryesor i studiuesve, kur trupi flet përmes dhimbjeve, lodhjes apo shqetësimeve të tretjes, shpesh nuk po kërkon vetëm ilaçe, por edhe ndryshime në mënyrën si menaxhojmë stresin dhe emocionet tona çdo ditë.