“Jam rritur duke ndjekur emisionet fantastike të ‘Discovery Channel’ dhe asnjëherë nuk e kisha menduar që do të kisha mundësi të shihja arenën ku zhvillohet gjithë ajo magji televizive, e jo më që një ditë do të kisha mundësi të gëzoja famë nga suksesi i këtij kanali”


Studentja shqiptare e “Windsor University”


Quhet Florida Doçi. Është vajza e vetme e prindërve Arben dhe Fatbardha Doçi, të cilët banojnë në Tiranë. I ka nisur studimet në universitetin elitar kanadez “Windsor University” tre vite më parë, pasi, falë aftësive të veçanta të saj, fitoi konkursin e drejtuar prej autoritetit kanadez.


Pret të diplomohet me një Bachelor Honours (program i rezervuar për studentë me rezultate të larta), në Biologji dhe Bioteknologji, si dhe një tjetër Bachelor në Shkenca Politike.


Është zgjedhur presidente e “International Student Society” (grupi përfaqësues i studentëve ndërkombëtarë në të gjitha instancat e universitetit). Ndërkaq, që prej një viti është zëri përfaqësues i studentëve ndërkombëtarë në grupin parlamentar për çështjet studentore të senatit të universitetit.


Gjithashtu, punon si asistente pedagoge (Teaching Assistant) në Departamentin e Shkencave Kompjuterike, dhe, në të njëjtën kohë, vazhdon përkushtimin si asistente e sigurisë së laboratorit (Lab Safety Assistant) të bioteknologjisë.


 


 


XHOVANI SHYTI


Florida Doçi quhet vajza shqiptare që disa ditë më parë u shfaq në ekranin e gjigantit televiziv kanadez “Discovery Channel”, në krah të pedagogut, prof. i fizikës mjekësore të “Windsor University” të Kanadasë, Steven Rehse. Intervista televizive ishte planifikuar për të qenë pjesë e emisionit tepër të shikueshëm “Daily Planet”, të cilin e drejton Dan Riskin dhe është një program i përditshëm dedikuar të rejave më të fundit nga shkenca.


Studentja shqiptare Florida Doçi ishte përzgjedhur për të qenë pjesë e këtij programi, midis qindra homologëve vendas e të huaj, të cilët studiojnë në “Windsor University” të Kanadasë, falë aftësive të saja, që kanë sjellë rezultate elitare në fushën e shkencës bioteknologjike.


“Funksioni im në këtë event është drejtuese/koordinatore e Science Rendezvous Windsor. Unë drejtoj komitetin organizues që planifikon dhe organizon eventin në Windsor. ‘Discovery Channel’ u tërhoq nga lista e aktiviteteve interesante që Windsor ka për t’u ofruar vizitorëve dhe na përzgjodhi ne si grupin përfaqësues për të promovuar këtë event kombëtar në programin e tyre ‘Daily Planet’. Së bashku me profesorin Steven Rehse ishim të ftuar në ‘Daily Planet’ për të promovuar ‘Science Rendezvous’, dhe të demonstronim një ndër të shumtët eksperimente që do të kemi gjatë këtij eventi”, ka sqaruar, pas përfundimit të intervistës, studentja shqiptare e Windsor University, Florida Doçi, e prononcuar për gazetën “Shqip”. Dhe, nëpërmjet një entuziazmi të shprehur, vlerëson:


“Jam rritur duke ndjekur emisionet fantastike të ‘Discovery Channel’, por asnjëherë nuk e kisha menduar se do të kisha mundësi të shihja arenën ku zhvillohet ajo magji televizive, e jo më që një ditë do të kisha mundësi të gëzoja famë nga suksesi i këtij kanali”.


“Science Rendezvous” është eventi më i madh shkencor që prej më shumë se pesë vitesh, mbahet në mbi treqind vende brenda territorit të Kanadasë. Është festivali i vetëm që u kushtohet tërësisht demonstrimeve dhe aktiviteteve interaktive shkencore dhe ka arritur të tërheqë një numër të jashtëzakonshëm vizitorësh. Sipas të dhënave zyrtare, tridhjetë mijë pjesëmarrës e vizituan “Science Rendezvous” vitin e shkuar, ndërkohë që këtë vit numri u rrit më shumë se tri herë. Duke iu rikthyer intervistës në gjigantin televiziv kanadez, studentja shqiptare Florida Doçi vazhdon të sqarojë se ndër aktivitetet më tërheqëse që iu paraqitën “Discovery Channel” ata përzgjodhën eventin e Windsor-it për të bërë një spot në emisionin “Daily Planet”. Por cili ishte eksperimenti që iu paraqit dhe çfarë përmbante ai? Sikurse shpjeguan të ftuarit në emision, ai quhej “Tornado e zjarrit” (Fire tornado) dhe është një demonstrim që shpjegon ligjin e ruajtjes së momentit. Por gjëja më e rëndësishme për këtë eksperiment, dhe “Science Rendezvous” në tërësi, është se eventi i përvitshëm synon ta bëjë shkencën më të hapur për publikun e gjerë. “Janë demonstrime të vërteta shkencore, por njëherazi argëtuese, që nxisin kuriozitetin dhe inspirojnë inovacion në promovimin e shkencës”, saktëson studentja Doçi, për të cilën, dalja në ekranin e gjigantit televiziv ndërkombëtar “Discovery Channel”, ishte një sukses për “Windsor University”. Ishte një sukses për grupin e fizikës që kishte realizuar demon, ishte një sukses edhe për të, së pari që ishte koordinatorja e një demoje të tillë në listën e aktiviteteve, së dyti që prezantonte një event shkencor të përmasave të tilla dhe në një televizion ndërkombëtar.