Ushqyerja me gji nxit një rritje të qelizave imune, të afta për të neutralizuar çdo kërcënim tumoral dhe përfitimet mund të zgjasin për dekada. Në këtë përfundim ka arritur një studim i botuar në revistën “Nature”, duke zbuluar mekanizmin që shpjegon se si ushqyerja me gji mbron nga kanceri i gjirit.

Sipas studiuesve, ushqyerja me gji nxit rritjen e një grupi qelizash imune, limfocitet T citotoksike (CD8+), që kanë aftësinë të njohin dhe të shkatërrojnë qelizat e dëmshme, përfshirë ato kancerogjene. Përfitimet e këtij procesi mund të zgjasin për dekada pas lindjes.

Studimet e mëparshme kanë treguar se për çdo vit ushqyerjeje me gji, rreziku për zhvillimin e kancerit të gjirit ulet me rreth 4.3%. Gjatë shtatzënisë dhe periudhës së laktacionit, gjiri pëson ndryshime të rëndësishme për prodhimin dhe ndalimin e qumështit. Pikërisht në këtë fazë, shumë qeliza T citotoksike migrojnë në indin e gjirit, ku mbeten si “roje lokale” të gatshme të neutralizojnë çdo kërcënim tumoral.

Onkologia australiane Sherene Loi dhe ekipi i saj në Qendrën e Kancerit Peter MacCullum analizuan mostrat e indeve të 260 grave, me dhe pa përvojë lindjeje apo ushqyerjeje me gji. Rezultatet treguan se gratë që kishin ushqyer me gji kishin më shumë qeliza imune mbrojtëse në indin e gjirit, dhe këto qeliza qëndronin për shumë vite.

Në eksperimente me minj, tumoret u rritën më ngadalë te ato që kishin kaluar një cikël të plotë lindjeje dhe ushqyerjeje me gji, ndërsa tek minjtë që nuk kishin ushqyer me gji, tumoret u zhvilluan më shpejt. Analiza të mëtejshme me mbi një mijë gra me kancer të gjirit trefish negativ treguan se ato që kishin ushqyer me gji kishin një mbijetesë më të gjatë.

Studiuesit theksojnë se duhen kërkime të reja për të kuptuar se cilat proteina aktivizojnë këto qeliza imune dhe si mund të imitohet ky efekt mbrojtës tek gratë që nuk kanë ushqyer me gji, me synimin për të zhvilluar strategji parandaluese universale kundër kancerit të gjirit.