Scroll i pandërprerë i videove në TikTok, Instagram Reels dhe YouTube Shorts, që kalojnë para syve tanë në rrjetet sociale, jo vetëm na shpërqendron. Ajo ndikon edhe në mënyrën se si e perceptojmë kohën dhe, mbi të gjitha, në aftësinë tonë për të menduar për të ardhmen.

Të kesh një perspektivë për të ardhmen do të thotë të jesh në gjendje të lidhësh veprimet e së tashmes me rezultatet që mund të sjellin në një moment të mëvonshëm. Për një nxënës, kjo nënkupton të kuptojë vlerën e të mësuarit, sepse e di se përpjekjet e sotme mund t’i sjellin nota të mira, të cilat mund t’i hapin rrugën drejt universitetit dhe, më vonë, drejt një vendi pune.

Kjo mënyrë të menduari, që e lidh të tashmen me të ardhmen, i ndihmon të rinjtë t’i japin përparësi mësimit, në vend që të zgjedhin kënaqësinë e menjëhershme që u ofrojnë videot e shkurtra apo videolojërat.

Studiues nga disa universitete në Kinë zhvilluan një studim me më shumë se 1 mijë e 500 nxënës të shkollave të mesme. Rezultatet treguan se konsumimi i shpeshtë i videove të shkurtra mund të ndikojë ndjeshëm në mënyrën se si adoleshentët e shohin të ardhmen e tyre.

Videot e shkurtra, tërheqëse dhe të lehta për t’u konsumuar aktivizojnë sistemin e shpërblimit në tru, duke krijuar kënaqësi të menjëhershme. Një studim i mëparshëm ka treguar se kjo lloj përfshirjeje mund të aktivizojë mekanizma të trurit që lidhen me varësinë dhe, në disa raste, ta bëjë të vështirë ndërprerjen e shikimit.

Por ndikimi mund të shkojë edhe më tej: videot e shkurtra mund të dobësojnë aftësinë tonë për të planifikuar të ardhmen, deri në atë pikë sa të na bëjnë më pak të interesuar për të.

Efektet në tru prekin edhe të rriturit, por mund të jenë më të theksuara te adoleshentët, shpjegon dr. Vera Feuer, drejtuese klinike në Child Mind Institute, një organizatë që ofron shërbime të shëndetit mendor.

Adoleshentët e kanë më të vështirë se të rriturit të planifikojnë për të ardhmen dhe të kontrollojnë impulset, sepse korteksi paraballor i trurit, i cili luan rol të rëndësishëm në këto funksione, nuk është zhvilluar ende plotësisht. Në përgjithësi, ky proces zhvillimi vazhdon deri rreth moshës 25-vjeçare.

“E dimë se të rinjtë e kanë më të vështirë të presin, të përballojnë zhgënjimin dhe të shtyjnë kënaqësinë për një moment të mëvonshëm. Ata hasin gjithashtu më shumë vështirësi në përballimin dhe kapërcimin e pengesave”, thotë Feuer, e cila nuk ka qenë e përfshirë në studimin kinez.

Megjithatë, rezultatet e studimit nuk janë krejtësisht pesimiste.

“Një nga gjetjet e reja të këtij studimi është se aftësia e adoleshentëve për të kapërcyer vështirësitë në shkollë përmirësohet kur ata kanë një vizion të qartë dhe të qëndrueshëm për të ardhmen”, thekson Feuer.

Studimi shqyrtoi atë që studiuesit e quajnë qëndrueshmëri shkollore: mënyrën se si nxënësit reagojnë ndaj presionit të zakonshëm të shkollës dhe vështirësive të përditshme gjatë procesit të të nxënit, si dhe aftësinë e tyre për t’u rimëkëmbur pas tyre.

Nxënësit që e kanë më të vështirë të përballojnë pengesat shkollore, siç janë notat e ulëta, priren t’i përdorin më shpesh videot e shkurtra si një mënyrë për t’u larguar përkohësisht nga problemet. Kështu, rrezikojnë të futen në një rreth vicioz.

Me fjalë të tjera, videot mund të mos jenë domosdoshmërisht shkaku i zvarritjes së detyrave, por një shenjë e saj. Kur fëmijët e kanë të vështirë të përballojnë sfidat ose nuk shohin lidhjen mes përpjekjeve të sotme dhe rezultateve të së ardhmes, videot mund të kthehen në një mënyrë të lehtë për t’u arratisur nga përgjegjësitë.

Prandaj, t’i ndihmojmë fëmijët të vendosin objektiva ambiciozë dhe të realizueshëm është një mënyrë për t’i lidhur përpjekjet e tyre në shkollë me synimet afatgjata, në vend që të zgjedhin gjithmonë shpërblimin e menjëhershëm që u ofron ekrani.

Ad
“Zhvillimi i perspektivës për të ardhmen te adoleshentët është, për rrjedhojë, thelbësor për të zbutur efektet e dëmshme të varësisë nga videot e shkurtra dhe për të forcuar aftësinë e tyre për të përballuar vështirësitë në mjedisin shkollor”, shkruajnë autorët e studimit. Studiuesit nuk pranuan të komentonin kur u kontaktuan për këtë çështje.

Platformat sociale nën presion

Kompanitë e rrjeteve sociale janë vënë nën vëzhgimin e autoriteteve rregullatore dhe janë përballur edhe me padi gjyqësore për ndikimin e produkteve të tyre te të rinjtë.

Në këtë kontekst, ato kanë ndërmarrë disa ndryshime për të kufizuar përdorimin problematik të platformave nga të miturit. Ndër masat e marra përfshihen rikujtuesit për të bërë pushime, çaktivizimi i njoftimeve gjatë natës dhe heqja e luajtjes automatike të videove në llogaritë e adoleshentëve.

Në kuadër të një marrëveshjeje jashtëgjyqësore me vlerë 18 miliardë dollarë, të lidhur mes Meta Platforms dhe 48 shteteve amerikane për sigurinë e fëmijëve në internet, gjiganti teknologjik pranoi të vendoste një kufi ditor prej dy orësh për adoleshentët në Instagram dhe Facebook, si dhe të ndërpriste shfaqjen e rrjedhës kryesore të përmbajtjes nga mesnata deri në orën 06:00.

Meta u ka bërë thirrje edhe TikTok-ut, YouTube-it dhe Snap-it të miratojnë kufizime të ngjashme kohore në platformat e tyre.

Pesë gjëra që mund të bëjnë prindërit

Prindërit mund të luajnë një rol të rëndësishëm për t’i ndihmuar fëmijët të përqendrohen te mësimet dhe përgjegjësitë e tyre. Ja pesë mënyra praktike për ta bërë këtë.

Vendosni kufij për përdorimin e aplikacioneve – Kontrolli prindëror nuk është gjithmonë i lehtë, por një nga mënyrat më praktike për ta zbatuar është vendosja e kufijve kohorë drejtpërdrejt në pajisjen që përdor fëmija.

Bisedoni me fëmijët për kohën e përdorimit – Nëse fëmijët dëshirojnë të shikojnë video të shkurtra, përcaktoni së bashku oraret ose ditët kur kjo lejohet. Shpjegojuni arsyet e kufizimeve. Qëllimi nuk është thjesht t’u ndaloni telefonin, por t’i ndihmoni të kuptojnë rëndësinë e ekuilibrit mes argëtimit, mësimit, pushimit dhe aktiviteteve të tjera.

Çaktivizoni njoftimet gjatë mësimit – Njoftimet nga mesazhet dhe rrjetet sociale mund ta ndërpresin vazhdimisht përqendrimin. Nxitini fëmijët të aktivizojnë funksionin Focus ose mënyrën e përqendrimit gjatë kohës së studimit. Kjo do t’i ndihmojë të shmangin shpërqendrimet dhe të ruajnë vëmendjen te detyrat.

Mbajini telefonat larg dhomës së gjumit – Gjatë mësimit, telefoni duhet të përdoret vetëm kur është vërtet i nevojshëm për detyrat shkollore. Edhe nëse fëmijët thonë se u duhet për makinën llogaritëse ose për kërkime në internet, mund të jetë më e dobishme të përdorin një pajisje tjetër, kur kjo është e mundur. Po aq e rëndësishme është që telefonat të mos mbahen në dhomën e gjumit gjatë natës. Kjo ndihmon në shmangien e përdorimit të tyre deri në orët e vona dhe krijon kushte më të mira për gjumë të mjaftueshëm.

Mësojini fëmijët të praktikojnë vetëdijen e ndërgjegjshme – Termi mindfulness, ose vetëdije e ndërgjegjshme, kjo praktikë mund të luajë rol të rëndësishëm në përqendrimin dhe vetëkontrollin. Sipas një studimi, ajo shpjegon rreth gjysmën e lidhjes mes përdorimit problematik të videove të shkurtra dhe neglizhimit të detyrimeve shkollore. Një ushtrim i shkurtër para fillimit të mësimit, si frymëmarrja e ngadaltë, vëzhgimi i mendimeve pa i gjykuar ose përqendrimi te momenti i tanishëm, mund t’i ndihmojë nxënësit të qetësohen dhe të përqendrohen më mirë.