Një qafore e veçantë do të monitorojë rrahjet e zemrës së kafshëve, duke i lajmëruar barinjtë kur ato ndihen të frikësuara
Epoka e supremacisë së ujqve mbi delet mund të marrë fund një herë e mirë. Të paktën në alpet e Zvicrës, aty ku po bëhen përpjekje për të zbuluar një mënyrë efikase se si delja mund të ‘lajmërojë’ të zotin kur ndjen rrezikun e një ujku vërdallë.
Disa studiues në Zvicër janë duke punuar për të krijuar një qafore të veçantë, e aftë për të monitoruar rrahjet e zemrës së kafshës, duke i lajmëruar menjëherë rritësit e tyre kur kafsha shfaq shenja stresi apo frike, si në rastin e pranisë së një kafshe të egër.
Sipas ideatorit të shpikjes interesante, modelet e para do të dalin në shator dhe do të jenë disa llojesh: një mundësi do të jetë që kur qaforja që monitoron rrahjet e zemrës së deles të tregojë prani rreziku (në gjendje normale një dele ka 60-80 rrahje zemre në minutë, ndërsa në praninë e një rreziku dhe kur është e frikësuar, i trefishon), të zotit të saj i shkon një SMS alarmi; dhe e dyta mund të jetë që qaforja të lëshojë tinguj të fortë që dëgjohen në një distancë të largët ose të hedhë një lloj spraji në mënyrë që të largojë grabitqarin.
10 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)