Amelie mbante flokët e gjata të zeza që i binin nën qafë, dhe në vështrim dukej sikur fshihte gjithnjë diçka. Ky portret nuk mund të mos binte në sy të djaloshit që ishte ulur pranë saj, veshur me një kostum elegant, teksa ndodheshin të dy në një dasmë, në Parisin e vitit 1897. Henri Matisse do ti fliste menjëherë vajzës, duke e ftuar në vallëzim.


Në mbrëmje ai do të këmbëngulte për ta shoqëruar në shtëpi, dhe kaq do të mjaftonte për ta bërë atë të mos flinte e qetë atë mbrëmje. Për gati një vit, Henri dhe Amelie Matisse do të jetonin një histori dashurie, që do ta frymëzonte shumë piktorin e ri. Ai do të gjente tek ajo gjithë ngjyrat e një stine për të cilat kishte aq shumë nevojë. Më 1898 ata do të martoheshin, duke u shpërngulur në një apartament të vogël. Amelie do të hapte një dyqan këpucësh, ndërsa Henri do të vijonte punën në studio.


Shumë shpejt gruaja e kuptoi se nuk do të ishte asnjëherë e para në jetën e Matisse. Teksa shihte talentin e tij ajo e dinte se një ditë do ta humbte nëse nuk do ta linte në lirë. Ai duhet të kishte gjithë hapësirën e duhur për të eksperimentuar e për tu ndjerë i vlerësuar, dhe ajo do të ishte gjithnjë e dyta pas artit të tij. Amelie e pranoi këtë fakt duke punuar që t’ia bënte më të lehtë rrugën drejt suksesit. Pas lindjes së dy djemve, ajo do të vijonte të bënte rolin e menaxheres së pikturave të tij. Por më vonë marrëdhënia e tyre do të niste të kishte probleme për shkak të presionit që Matisse ndjente nga prania e saj.


Ai nisi të kërkonte më shumë liri. Raporti i tyre do të ndjehej i kërcënuar në kohën kur Matisse nisi një histori dashurie me modelen e një pjese të madhe të veprave të tij Lidia Delectorskaya. Dhe pse për një kohë të gjatë Amelie e la të jetonte këtë lidhje, duke menduar se kjo do ta ndihmonte në artin e tij, në fund ajo i kërkon të zgjedh mes të dyjave. Artisti zgjedh gruan, por do të ndjente gjithnjë mungesën e së dashurës. Me një jetë të trazuar, Amelie Matisse kujtohet sot, si gruaja që qëndron pas çdo ngjyre që krijoi artisti. Biografët vijojnë të gërmojnë për jetën e saj, për ti dhënë kuptim shumë pikëpyetjeve mbi siluetat femërore në veprën e Matisse.



Gazeta Shqip