I rrethuar vetëm nga femra që në fëmijëri, i mbështetur nga një grua perfekte, nga yje të muzikës dhe kinemasë, Barak Obama është politikani që nuk i josh, por i bën gratë “të çmenden” për të. Ja se cilat qëndrojnë pas tij


Mjafton ta dëgjosh teksa tregon për jetën e tij, duke shpjeguar se si arriti të bëhej ky njeri që ne njohim sot, për të kuptuar që Barak Husein Obama është rritur dhe formuar i ndikuar nga gratë, si asnjë President tjetër i SHBA-së. Meshkujt në jetën e tij, nga babai student kenian që nxitoi të kthehej në Afrikë, pasi la shtatzënë të ëmën, te njerku indonezian që u martua dhe e çoi në Xhakarta, e deri te gjyshi që luftoi në Europë kundër Gjermanisë naziste, kanë qenë gjithmonë figura margjinale, që nuk zënë thuajse asnjë vend në albumin fotografik të jetës. Universi njerëzor, madje dhe ai politik i Obamës, rrotullohet rreth grave, atyre që e kanë rritur, që i kanë paguar studimet, që e kanë dashur, e që sot pas Mishel Obamës formojnë atë gardë që e mbron dhe e mbështetin në këtë betejë të tij të fundit, ndoshta më të vështirën, por jo të pamundurën. Ja cilat janë të gjitha gratë e Presidentit. Djali i një bote femërore ka nevojë ende për to nëse kërkon të rizgjidhet president, sepse vota e amerikanëve të bardhë me siguri do të jetë kundër tij, ndërsa vota e vëllezërve me ngjyrë nuk do të jetë e mjaftueshme për të bërë diferencën. Kështu, fytyra publike e fushatës së tij elektorale është një grua me emrin Stefani Kuter, një avokate e dalë nga i famshmi “Georgetown Mafia”, universiteti nga i cili doli edhe Bill Klinton. 42 vjeçe dhe e fiksuar pas punës, Stefani erdhi në oborrin e Obamës për Mishelën, e cila e donte si këshilltare. Ishte pikërisht ajo “arkitektja” e popullaritetit të madh të Mishelës, duke krijuar sipërmarrja në dobi të shëndetit dhe atë kopshtin e famshëm organik me perime në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë. Por mos mendoni se është në gjendje të bëjë vetëm kaq. Ideja “për të shpërthyer” luftën për të kaluarën e kundërshtarit të Obamës për milionat e bëra nga aktivitetet e tija private, ishte e saja. Ndoshta për këtë arsye tani emri i saj është njëri nga më të urryerit për Romney–n. Por Barak Obama nuk është një qejfli, nuk është një njeri që di t’i hipnotizojë gratë me sharm, me aftësinë që t’i bëjë të ndihen në qendër të universit edhe për pak sekonda, ashtu si Bill Klinton. Martesa e tij me Mishelën funksionon për mrekulli. Një tjetër grua në krah të tij është edhe Sandra Fulke, e diplomuar edhe kjo në Universitetin Georgetown, që ishte thirrur për të dëshmuar përpara një komisioni parlamentar kundër përpjekjeve të një kompanie sigurimi për t’u mohuar grave rimbursimin për kontraceptivët dhe ilaçet për të parandaluar shtatzënitë e padëshiruara. Fulke u refuzua nga republikanët në komisione. Sigurisht që nuk mungojnë divat, yjet e kinemasë apo muzikës, ato gra që ndriçojnë nëpër skena për të dalë dhe treguar hapur mbështetjen e tyre në fushatën për rizgjedhjen e Obamës. Eva Longoria, aktore me gjak latin, mishërimi i “Shtëpiakeve të dëshpëruara”, vrapon dhe flet për Obamën, duke u bërë imazhi i atij “trofeu” që Presidenti kërkon të fitojë: integrimi i femrave latine. Me Barakun është bashkuar edhe Skarlet Xhohanson. Por nuk mund të ngelej pas Ana Uintor, drejtoresha e parezistueshme e “Vogue”, historia e së cilës tregohet nga Meril Strip në filmin “Djalli vishet me Prada”. Ana nuk ngurroi të kalonte Atlantikun për të shkuar në Angli, vendlindjen e saj, e për të mbledhur fonde elektorale për Obamën. Dhe në fakt nuk doli keq: 250 mijë dollarë vetëm në gusht. Pastaj janë edhe ato gra që nuk mungojnë kurrë, ato që janë në shërbim të vazhdueshëm në “oborrin” e demokratëve, si Karolin Kenedi, apo Nensi Pelosi. Nuk mund të mos përmendet Debi Uaserman Shultz, të cilën Presidenti e kërkoi të ishte në krye të komitetit drejtues të Partisë Demokratike, e para femër në histori. Ndoshta fakti që vjen nga Florida, një shtet gjithmonë vendimtar për fitoren elektorale, me siguri e ka frymëzuar Obamën ta zgjedhë.