I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë psikologu Eduart Tafa. Ai ka folur më shumë për besëtytnitë, magjinë e zezë, fallxhoret dhe pse shqiptarët vendosin që t’i besojnë kaq shumë…

Në Shqipëri ka shumë të rinj që mund të jenë prekur nga magjia e zezë. Besojnë se një vezë e thyer ose një bluzë mund t’i shkatërrojë fatin dhe jo pak vajza marrin bluzat e partnerit dhe ikin t’i çojnë për t’i ‘kënduar’. Si mund ta shpëtojmë këtë rini që po beson në gjëra të pabazuara që besojnë se jeta e tyre do të shkojë ters sepse dikush u ka bërë magji?”, e pyeti moderatori i njohur.

“Magjia e zezë, por po vendosim edhe macen e zezë, praktikisht, i dëgjon në përditshmëri apo në kontakte me njerëz që të pyesin sepse janë shumë kureshtarë ose ndoshta edhe të frikësuar. Shkenca nuk ka arritur t’i shpjegojë me baza të vërteta shkencore. Më tepër i shikon si produkte apo shpjegime psikologjike si fenomen, se sa të vërteta shkencore të cilat ka të dhëna empirike ndaj tyre. Për të ardhur te pjesa e besueshmërisë.

Ne përmendim disa faktorë më sipër për sa i përket besueshmërisë së tyre. Interpretimi që i bëhet një situate të caktuar, në këtë rast po themi për magjinë e zezë dhe forca që besohet mbi të, është e ekzagjeruar dhe e pabazuar. Unë për ta thjeshtuar dhe për të mos përmendur terma klinike apo për të mos u futur në struktura të ndryshme të trurit, po them që pjesa më e madhe e njerëzve kanë dëgjuar për efektin “Placebo”.

Efekti Placebo zakonisht përdoret në mjekësi, që doktori të jep një pilulë që është sheqer dhe nuk ka asnjë lloj elementi apo medikamenti kimik brenda, që personi vetëm duke e ditur që ajo është një pilulë shëruese e dhënë nga doktori, e merr dhe e shikon që natyra e tij e dhimbjes nuk vjen si një element organik, por burimi i saj është me natyrë psikike, si në rastin e magjisë së zezë. Pra personi kur e merr këtë pilulën, ai thotë që ndihet më mirë. Dhe besimi që i jep pilulës Placebo dhe pse në të vërtetë ajo nuk ka asnjë lloj funksioni shërues, arrin të shërohet nëpërmjet kësaj”, tha psikologu. /TAR/