Kemi dëgjuar për tatuazhet në vende të ndryshme në trupin tonë, por kurrë tek dhëmbët. Po, po e lexuat mirë te dhëmbët. Sipas disa raportimeve të fundit nga mediat kineze, tatuazhet e dhëmbëve po shfaqen si një trend tek brezat e rinj në Kinë.

Gdhendja e simboleve dhe imazheve në dhëmbët tuaj duket një ide e keqe për shëndetin oral, por tatuazhet e dhëmbëve nuk janë dhe aq të rrezikshme sa duken. Ato sigurisht që nuk tatuohen direkt në dhëmbë, por në sipërfaqen e një veshjeje të hollë të bërë duke përdorur teknologjinë e printimit 3D të dhëmbit dhe më pas vendosen mbi dhëmbin e vërtetë. Një nga “avantazhet” kryesore është se, ndryshe nga tatuazhet e lëkurës, të cilat nuk mund të hiqen lehtë, tatuazhet në dhëmbë mund të ndryshohen thjesht duke zëvendësuar kurorën.

Teksa disa besojnë se tatuazhet e lëkurës sipas tyre po dalin nga moda, tani tatuazhet e dhëmbëve janë një mënyrë e re dhe interesante për të shprehur veten. Bëhet e ditur gjithashtu se kjo tashmë ofrohet si shërbim nga klinikat dentare. Në vend të një kurore të thjeshtë, ata mund të marrin një model të personalizuar që i bën të dallohen ose u sjell fat.

Kur vendosin për tatuazhet e dhëmbëve, disa njerëz zgjedhin inicialet e partnerëve të tyre, numrat e tyre me fat, ose edhe fraza që sjellin fat si “të fitosh para” ose “të arrish qëllimet”. Trendi është bërë aq popullor saqë klinikat e mëdha dentare kanë filluar të reklamojnë tatuazhet e dhëmbëve si një bonus falas për kryerjen e shërbimeve të tjeraa në klinikat e tyre.

Edhe pse tatuazhet e dhëmbëve po marrin shumë reagime pozitive në mediat sociale kineze këto ditë, jo të gjithë i rekomandojnë ato. Për shembull, një dentist nga Shangai i tha China.com se gdhendja e shkronjave ose dizenjove në kurora nuk rekomandohet mjekësisht pasi mund të zvogëlojë forcën e kurorave dentare dhe të rrisë konsumimin.