Ai kishte një pamje të jashtme shumë të ngjashme me vrasësin, mbante të njëjtin emër me të dhe ishte pranë skenës së krimit në orën fatale: Carlos DeLuna e pagoi çmimin final dhe u ekzekutua gabimisht në vend të dikujt tjetër në Teksas, në vitin 1989, zbulon një raport i zbardhur së fundmi.
Me gjithë numrin e madh të personave me emrin Carlos në Teksas, DeLuna u dënua me vdekje dhe u ekzekutua vetëm në bazë të informacioneve të dhëna nga një dëshmitar okular, pavarësisht se ishin një sërë shenjash dhe provash që dëshmonin se ai nuk ishte fajtori, thotë profesori i drejtësisë, James Liebman.
Liebman dhe pesë nga studentët e tij në Fakultetin e Drejtësisë në Columbia, u morën për gati pesë vjet duke hulumtuar mbi detajet e një çështjeje, që sipas profesorit është “simbol i dështimit të sistemit të drejtësisë”.
DeLuna, 27 vjeç, u dënua me vdekje dhe më pas u ekzekutua, pasi “një hetim të paplotë, i cili padyshim ishte i gjithi një dështim”, thotë Liebman.
Nga analizimi dhe studimi i raportit prej 780 faqesh, profesori i drejtësisë dhe studentët e tij zbuluan një sërë procedurash të gabuara në bazë të të cilave autoritetet e kohës e kishin dënuar me vdekje 27-vjeçarin, ndërkohë që një tjetër person ishte autori i vrasjes.
DeLuna u akuzua për një ngjarje të ndodhur në vitin 1983, kur një nënë e re ishte vrarë me thikë në një stacion gazi në periferi të Teksasit, ku ajo punonte. 40 minuta pas ngjarjes, Carlos ishte arrestuar i akuzuar për vrasjen, duke u mbështetur vetëm nga informacionet e një dëshmitari okular, i cili kishte pohuar se kishte parë një mashkull hispanik që kishte veshur këmishë të bardhë dhe mbante mustaqe, të vraponte në vendin e ngjarjes. Edhe pse vet të dhënat e dëshmitarit ishin shpesh kontradiktore, kaq u mjaftoi autoriteteve të arrestonin Carlos DeLuna, i cili kalonte në atë kohë në zonën ku ndodhi ngjarja.
“Pas gjykimit nxituar DeLuna u ekzekutua me injeksion vdekjeprurës në 1989. Ndërkohë, vrasësi i vërtetë i gruas së re, Carlos Hernandez, i cili ishte arrestuar pasi kishte vrarë një tjetër grua me të njëjtën thikë, deri ditën kur vdiq në burg nga një sëmundje e mëlçisë, në mënyrë të përsëritur kishte pranuar vrasjen e gruas për të cilën u ekzekutua një person i pafajshëm”, – thotë Liebman.
15 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)
