Ekziston një dhimbje që nuk mund ta shihni, një që nuk lë shenja të dukshme, por që depërton thellë në shpirtin e atyre që e përjetojnë. Eshtë fjala për migrenën, një shoqëruese e heshtur që prek miliona njerëz në jetën e tyre të përditshme, duke i transformuar ditët e zakonshme në beteja kundër një armiku të padukshëm.

Të jetosh me këtë sëmundje do të thotë të ndash veten midis ditëve kur ke një atak akut dhe të tjerave kur ke frikë se do të fillojnë dhimbjet. Ankthi dhe frika kanë qenë shoqërueset e mia besnike për vite me radhë, me të cilat më është dashur të përballem çdo ditë, u shpreh Alessandra Sorrentino, presidente e shoqatës “Cefalalgic Alleanza”.

Të jesh i padukshëm do të thotë të mos jesh në gjendje të flasësh për dhimbjen që ndjen sepse për të tjerët, shpesh është vetëm një dhimbje koke.

Migrena nuk është vetëm dhimbje. Eshtë një sëmundje që shpesh ka origjinë gjenetike dhe manifestohet me simptoma intensive e jo vetëm: dhimbje pulsuese, të përziera, të vjella, mbindjeshmëri ndaj dritës e zhurmës. Faktorë të tillë si stresi, pagjumësia dhe ndryshimet në rutinë gjithashtu e përkeqësojnë situatën, shpjegon Piero Barbanti, neurolog e profesor në universitetin “San Raffaele” në Romë.

Në këtë kontekst, është prezantuar një qasje e re terapeutike: rimegepanti, ilaçi i parë oral që synon CGRP (peptidi i lidhur me gjenin e kalcitoninës), një proteinë kyçe në patofiziologjinë e migrenës sepse kontribuon në zgjerimin e enëve cerebrale dhe sensibilizimin e shtigjeve të dhimbjes.

Ilaçi i ri ka treguar efektivitet për pacientët e rritur si për trajtimin e episodeve akute ashtu edhe për parandalimin tek ata që përjetojnë të paktën tetë ditë migrenë në muaj.

Jo vetëm të dhënat e analizuara në studimet klinike, por edhe ato të mbledhura në mjedise të botës reale konfirmojnë si efikasitetin ashtu edhe sigurinë e rimegepantit.

Eshtë një tabletë që merret çdo ditë tjetër. Ka pak ndërveprime me ilaçe të tjera e toleranca e shkëlqyer e bën të përshtatshme edhe për pacientë me patologji të tjera. Formulimi orodispersibël nxit aderencë të lartë e sjell përfitime klinike, funksionale dhe relacionale, me një ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës, sipas studiuesve.

Ilaçi mund të na japë një cilësi më të mirë jetese. Kjo do të thotë që nuk keni më nevojë të hiqni dorë nga përfitimet tuaja.