Një grup njerëzish që janë gjysmë botues, gjysmë biznesmenë dhe gjysmë politikanë janë shkaktarët e krizës, thonë kritikët
Stephen Grey dhe Dina Kyriakidou
(“Reuters”) – Vonë në vitin 2011, ministri i Financave të Greqisë bëri një lutje për ndihmë për të shpëtuar vendin e tij nga rrënimi financiar.
“Ne kemi nevojë për një përpjekje kolektive kombëtare: të gjithë ne duhet të mbajmë së bashku barrën”, tha Evangelos Venizelos, i cili që nga ajo kohë është bërë udhëheqës i Partisë Socialiste PASOK. “Ne kemi nevojë për diçka që duhet të jetë e ndershme dhe shoqërisht e pranueshme.”
Fjalimi synonte të bëhej një thirrje për luftë; por përfundoi në nënvijëzimin e dobësisë kyçe në përpjekjet e Greqisë për reformë. Ideja e Venizelos konsistonte në një taksë të re mbi pasurinë, të pagueshme përmes faturës së energjisë elektrike, gjë që do të bënte të vështirë evazionin fiskal. Publiku u zemërua shumë dhe media i bëri jehonë reagimit, duke i vënë taksës damkën “haraç” sipas taksës së urryer që osmanët vendosën dikur mbi grekët. Damka ngjiti dhe Jorgos Papandreu, në atë kohë Kryeministër, u ndie i detyruar t’ua shpjegonte votuesve: “Na duhet që ne të gjithë të humbasim diçka në mënyrë që të mos humbasim gjithçka”.
Por jo të gjithë do të humbitnin nën këtë taksë. Dy muaj më parë, një njeri i brendshëm i industrisë së elektricitetit zbuloi se disa nga bizneset më të mëdha të vendit, përfshirë grupimet e medias, po paguanin më pak se sa gjysma e normës së taksës, ose nuk po e paguanin taksën fare. Nikos Fotopoulos, një udhëheqës sindikalist te kompania e elektricitetit PPC, deklaroi se qeveria ka lejuar përjashtime nga kjo taksë.
“Ishte një dhuratë për bosët e vërtetë, pronarët e vërtetë të vendit”, tha ai. “Të pasurit nuk po paguajnë as këtë herë.” Por kësaj radhe, media nuk bëri shumë zhurmë. “Lajmi nuk u mbulua nga media… për shkak se pronarët e medias qenë mes të favorizuarve”, thotë Fotopoulos. Gazetat kryesore të përditshme në Athinë ose nuk e përmendën fare ose ua ulën rëndësinë deklaratave të tij, zbuloi një analizë e “Reuters”.
Për shumë vëzhgues, episodi ilustron mbivendosjen mes politikës, bizneseve të mëdha dhe pronarëve të fuqishëm të medias. Interesat e ndërthurura në këta sektorë, megjithëse jo domosdoshmërish ilegalë apo të papërshtatshëm, shikohen si një pengesë në përpjekjet e Greqisë për shpëtimin e ekonomisë së vet. Ata janë, thonë kritikët, pjesërisht përgjegjës për krizën aktuale dhe për fshehjen e reformave.
Disa pronarë të rëndësishëm të medias të kontaktuar nga “Reuters”, mohuan të ushtronin ndonjë ndikim të papërshtatshëm apo të kërkonin favore, ose nuk iu përgjigjën fare pyetjeve.
Por, për shkak të ndikimit që kriza greke ka për të gjithë botën, shqetësime të tilla tashmë shkojnë përtej kufijve të vendit. Një burim brenda trojkës së kredidhënësve, që po mbajnë Greqinë jashtë falimentit, Bashkimi Europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qendrore Europiane, tha: “Sistemi është tërësisht një incest. Interesat e fshehtë po u rezistojnë reformave të nevojshme për ta bërë ekonominë konkurruese.”
Anët e kundërta të spektrit politik të Greqisë flasin mbi këtë temë me terma shumëngjyrëshe. “Në Greqi pushteti real është i pronarëve të bankave, anëtarëve të sistemit politik të korruptuar dhe medias së korruptuar. Ky është trekëndëshi i mëkatit”, thotë Alexis Tsipras, udhëheqës i Syriza, opozita kryesore.
Panos Kanenos, udhëheqës i Partisë së Grekëve të Pavarur në spektrin e djathtë, thotë: “Media e Greqisë është nën kontrollin e njerëzve që varen nga shteti. Media kontrollon shtetin dhe shteti kontrollon median. Panorama është ajo e shantazhimit të ndërsjellë.”
Të tjerë janë më të përmbajtur. I pyetur për taksën e haraçit, Venizelos pranoi se ka disa “raste flagrante të pagesës së më pak taksave ose të mospagesës së taksave fare”, por përgjegjës për këtë, sipas tij, janë të dhënat e dobëta nën kontrollin e kompanisë shtetërore të elektricitetit. “Nuk ka pasur në asnjë mënyrë ndonjë diskriminim në favor të disa pronarëve të caktuar”, tha ai.
Simos Kedikoglou, një zëdhënës i qeverisë, tha se zyrtarët po i monitorojnë taksat e pronësisë dhe se çdo gabim do të korrigjohet. Përpjekje të mëparshme për të ulur konfliktin potencial të interesave, veçanërisht në lidhje me median, kanë pasur pak efekt, sipas një raporti të Komisionit Europian mbi lirinë dhe pavarësinë e medias, të publikuar në dhjetor 2011. Aty thuhet se politika e medias së Greqisë “ka mbetur gjerësisht e centralizuar në duart e qeverisë së ditës”, dhe se ajo “është ndikuar në tërësi, megjithëse në një mënyrë opake dhe informale, nga interesa të fuqishme ekonomike dhe të biznesit që kanë kërkuar të fitojnë pushtet, fitime, apo që të dyja.”
Ngritja e medias private
Ndërthurja mes politikanëve dhe medias është e zakonshme në shumë vende europiane, veçanërisht në Itali, ku Silvio Berluskoni ishte njëkohësisht Kryeministër dhe drejtues i një grupi mediatik, apo në Britaninë e Madhe, ku pronarët e medias, si Rubert Murdoch, kryetar i “News Corp”, kishte kontakte me kryeministrat njëri pas tjetrit.
Por kritikët thonë se lidhje të tilla janë veçanërisht të rëndësishme në Greqi, për shkak se shteti këtu luan një rol të madh në ekonomi dhe se media është zhvilluar në këtë mënyrë.
Stacionet e radios dhe kanalet televizive private u shfaqën vetëm në vitet 1980, pas shumë dekadash kontroll shtetëror mbi median. Ndërsa biznesmenët nxituan të hyjnë në këtë treg, rregullimi ishte i hallakatur. Qeveritë e njëpasnjëshme i lejuan transmetuesit të veprojnë pa licencat e duhura, sipas një raporti të vitit 2011 nga BE-ja për median në Greqi. Kjo përqasje gjysmë e rregulluar bëri që Greqia të kishte një numër të madh mediash në raport me popullatën e vet prej vetëm 11 milionë banorësh.
Në vitin 2009, vendi kishte 39 gazeta të përditshme, 23 gazeta kombëtare të së dielës dhe 14 revista kombëtare javore, sipas një raporti të mëparshëm. Për frymë, Greqia kishte më shumë tituj gazetash kombëtare se sa Gjermania apo Britania e Madhe. Vendi kishte gjithashtu edhe nëntë stacione televizive kombëtare, gjashtë prej të cilave, nën pronësi private dhe shumë stacione private radioje.
Një kabllogram e vitit 2006 nga ambasada e SHBA-së në Athinë, e publikuar nga “Wikileaks”, vërente: “Si mundet që gjithë këto organizata mediatike të dalin me fitime? Në fakt jo. Ato subvencionohen nga pronarët e tyre, të cilët, megjithëse mirëpresin çdo të ardhur nga shitjet e medias, e përdorin atë kryesisht për të ushtruar ndikim politik dhe ekonomik.”
Në të njëjtën kohë, shumica e ekonomisë jashtë industrisë së transportit detar varet nga kontratat apo licencat shtetërore.
“Shumica e kompanive në Greqi në thelb po presin të marrin para nga shteti”, thotë Theodoros Roussopoulos, një ish–zëdhënës i qeverisë. “Greqia është zyrtarisht kapitaliste, por në praktikë, socialiste.”
Një pronar i mediave, Ioannis Alafouzos, i tha “Reuters” se disa media “janë në fakt zyra shtypi për grupimet e biznesit”.
Alafouzos, familja e të cilit ka nën pronësi SKAI TV, televizionin e pestë më të madh të Greqisë, si dhe gazetën kryesore “Kathimerini”, shton: “Është zhvilluar një situatë shumë e pashëndetshme. Qëllimi i medias ka qenë gjerësisht të ekzekutojë detyra specifike për pronarët e vet.”
Alafouzos, pasuria e të cilit vjen nga transporti detar, thotë se familja e tij ka qenë e kujdesshme që të mos bjerë në varësinë e kontratave të qeverisë. Kritikët e tij thonë se SKAI është një nga kompanitë e zbuluara mes atyre që nuk e paguajnë haraçin, një fakt që SKAI thotë se është shkaktuar nga burokracia vendore, ndërkohë që ky grup mediatik akuzohet se përfiton nga reklamat shtetërore.
Alafouzos thotë se reklamat shtetërore përbëjnë një pjesë të vogël të të ardhurave të medias së kontrolluar prej tij.
Lidhje familjare
Një fushë tjetër e interesave të ndërthurura është kanali MEGA, stacioni më i madh televiziv i Greqisë, i cili është nën bashkëpronësi të biznesmenëve që janë udhëheqës apo kanë lidhje të fuqishme në sektorë të tjerë të ekonomisë.
Paketa më e madhe kolektive në aksionet e këtij televizioni është nën pronësinë e anëtarëve të familjes së George Bobolas. Një nga djemtë e tij, Fitios, është drejtor i “Teletypos”, kompania që kontrollon kanalin televiziv. Një djalë tjetër, Leonidas, është drejtor ekzekutiv dhe aksioner kryesor në “Ellaktor”, një gjigant ndërtimi i themeluar nga i ati që ka marrë pjesë në kontrata multimiliardere shtetërore. Leonidas nuk ka aksione te “Teletypos”.
Familja Bobolas kontrollon gjithashtu “Ethnos”, një e përditshme popullore, një gazetë të së dielës dhe media të tjera të shtypura apo në internet. Nga zyrat e tyre të mëdha dhe gri në Halandri, një lagje në veri të Athinës, përmasat e interesave familjare janë të dukshme. Aty pranë gjendet autostrada unazë e Athinës, e ndërtuar nga një konsorcium ndërkombëtar që përfshinte edhe “Ellaktor”. Përgjatë rrugës gjendet një linjë e re hekurudhore drejt aeroportit, që është ndërtuar gjithashtu me përfshirjen e Bobolas.
George Bobolas nuk iu përgjigj fillimisht pyetjeve mbi interesat e ndryshëm të familjes së tij. Në vend të kësaj, gazeta e tij “Ethnos” publikoi shumë artikuj në ditët pasi “Reuters” dorëzoi kërkesën për pyetje. Në një artikull aludohet se “‘Reuters’ vijon të godasë vendin tonë, ekonominë e Greqisë dhe sipërmarrjen.” Një tjetër e përshkroi “Reuters” si një “kolonë e pestë” e trojkës dhe aludoi se Athina po përmbytet nga të huajt për të “shkatërruar figurat publike sipas praktikave anglo-saksone”.
Pas kërkesave të tjera nga “Reuters”, Bobolas tha në një letër: “Unë nuk e kam përdorur kurrë median nën pronësinë e kompanive ku unë marr pjesë, për promovimin e interesave të kompanisë ‘Ellaktor S.A.’ …gazeta ‘Ethnos’ nuk e ka përdorur kurrë influencën apo nuk ka kërkuar asnjë favor nga sundimtarët në përfitim të ‘Ellaktor’”.
Bobolas thotë se ai nuk ka kërkuar kurrë asnjë favor dhe shton: “Dikush mund të thotë se gjykimi i ashpër i ‘Ethnos’ mbi veprimet e qeverisë dhe politikanët në përgjithësi, mund të konsiderohet si një pengesë dhe jo si ndihmë për interesat e korporatës ‘Ellaktor’”.
Në një deklaratë me shkrim, kompania e ndërtimit “Ellaktor” thotë se degët e saj janë angazhuar si në kontrata publike ashtu edhe në kontrata private dhe se ajo i kryen kontratat publike “duke marrë pjesë ekskluzivisht në tenderë ndërkombëtarë, në përputhje me ligjet greke dhe europiane.”
Figura të tjera të përfshira në kanalin “Mega” përfshijnë familjen e Vardis Vardinoyannis, i cili është i njohur në naftë dhe transport detar, si dhe Stavros Psycharis, i cili kontrollon kompaninë mediatike DOL.
George Vardinoyannis, i biri i Vardis, shërben në bordin e MEGA dhe familja e tij ka gjithashtu nën pronësi një televizion më të vogël të quajtur “Star”. Familja është gjithashtu aksionere kryesore në “Motor Oil Hellas”, një nga dy operatorët e rafinerive në Greqi.
Në një email, zëdhënësja e familjes tha: “Shumica e kompanive tona i kanë bazat jashtë vendit dhe kanë ekspozim ndërkombëtar. Prodhimi dhe shitja e ‘Motor Oil Hellas’, investimi ynë më i madh në Greqi, është vazhdimisht me destinacion eksportin në masën 70 për qind… asnjë nga kompanitë tona nuk varet në asnjë mënyrë nga bizneset apo kontratat e qeverisë.”
Psycharis, kompania DOL e të cilit publikon gazeta kryesore dhe ka fituar kontrata shtetërore në arsim, kulturë, udhëtime, e shtypshkrime, është kryetar i kanalit MEGA.
Në vitin 2006, ai hodhi në gjyq dy gazetarë investigativë që aluduan në një program radioje se ai ka lobuar për shitjen e “Eurofighers” në Greqi dhe se ka përdorur gazetën e vet për të promovuar të mirat e marrëveshjes. Psycharis i mohoi aludimet. Tre vjet më pas, në një seancë gjyqësore, kërkesa e tij u rrëzua.
Gjykata hodhi poshtë një nga pretendimet e gazetarëve, por pranoi se gazeta e tij kishte bërë fushatë për marrëveshjen me “Eurofighter”. Gjykimi është aktualisht në apel. Psycharis nuk iu përgjigj pyetjeve mbi këtë çështje.
Vonë në nëntor, një nga gazetat e tij ndëshkoi Apostolos Kaklamanis, një ish-kryetar të Parlamentit të Greqisë, kur ai u tha deputetëve të PASOK-ut se koha kur oligarkët “emëronin udhëheqësit e partisë” ka kaluar. Disa ditë më vonë, pasi Kaklamanis foli, “To Vima”, një gazetë e rëndësishme e kontrolluar nga Psycharis, publikoi një artikull ku thuhej se dispononte të dhëna turpëruese për Kaklamanis.
Psycharis nuk iu përgjigj pyetjeve mbi median e kontrolluar prej tij.
Kritikët e lidhjeve mes medias dhe bizneseve citojnë gjithashtu rastin e një projekti për minierë ari në Halkidiki, Greqia e veriut. Minierat u shitën nga qeveria e Greqisë në vitin 2003 te një kompani e sapokrijuar. Shpejt pas kësaj, kompania e ndërtimit në të cilën familja Bobolas ka interesa, bleu një paketë aksionesh te kompania e minierave.
Kundërshtarët vendas bënë fushatë të ashpër kundër dhënies së licencës për projektin e minierës, duke deklaruar se do të dëmtonte mjedisin. Tolis Papageorgiou, një udhëheqës i organizatës së protestës “Hellenic Mining Watch”, aludon se gazetat e kontrolluara nga familja Bobolas nuk raportuan mbi demonstratat e mëdha kundër hapjes së minierës dhe përgojuan një ministre Mjedisi, Tina Birbili, e cila bllokoi licencën për minierën.
“Vetëm pak ditë pasi mori detyrën e saj më 2009-n ajo u bë shënjestër e medias së kontrolluar nga Bobolas, për shkak se refuzoi të japë një licencë për kompaninë e minierave”, thotë Papageorgiou.
Shpejt pas emërimit të Birbilit më 2009-n, gazetat nën pronësinë e familjes Bobolas e emërtuan atë “Tina e Gjelbër” dhe kritikuan punën e saj. Lajmet qenë se ajo po bllokonte shumë lloje zhvillimi. Artikujt nuk përmendnin faktin që pronarët e medias kishin interesa familjare te miniera, ndërtimi apo tregtia.
Në letrën e tij për “Reuters”, Bobolas tha se “Ethnos” mbështet fort projektet në shkallë të madhe që krijojnë vende pune dhe ndihmojnë vendin të rimëkëmbet nga kriza ekonomike.
Birbili, e cila refuzoi të komentojë për këtë artikull, u pushua nga puna më 2011-n; një licencë pune për minierën u dha menjëherë pas kësaj. Pasi licenca u dha, kompania e ndërtimit “Ellaktor”, sipas bilancit të saj vjetor, realizoi një fitim prej 261 milionë eurosh, pjesërisht duke shitur dhe pjesërisht duke vlerësuar aksionet e saj në një kompani kanadeze, që në këtë kohë pati blerë 95 për qind të minierës.
Një ish-këshilltar i Kryeministrit të Greqisë në atë kohë, tha se pushimi nga puna e Birbilit nuk lidhej me minierën. Bobolas thotë se lidhja e vetme që familja e tij ka me minierën është paketa e aksioneve të djalit të tij prej më pak se 1 për qind.
Dy kapele
Në media, konfliktet e interesit mund të shfaqen edhe në nivele të ulëta. Në zyrat e saj në Athinë, sindikata e gazetarëve ESHA, ka një listë me anëtarët e vet që punojnë për qeverinë, për shembull në zyrat e shtypit; dhjetëra prej tyre kanë një kapele të dytë si gazetarë në të njëjtën kohë.
Rregullat e sindikatës caktojnë që anëtarët e saj nuk lejohet të punojnë në organizma që kanë për detyrë t’i mbulojnë si gazetarë. Në një përpjekje për të demaskuar ata që thyejnë këtë rregull, sindikata mori një listë të gazetarëve të punësuar pranë qeverisë më 2005-n. Por kjo listë nuk u publikua kurrë.
Disa prej atyre që ishin përfshirë në listë u ankuan; zyrtarët grekë gjykuan se publikimi i listës dhunonte ligjin për privatësinë. Ishte një vendim që Dimitris Trimis, presidenti i sindikatës, e cilëson si një disfatë serioze.
“Ka një trekëndësh të pushtetit politik, pushtetit ekonomik dhe pronarëve të medias dhe askush nuk mund të thotë se kush realisht kontrollon”, i tha ai “Reuters”, ndërsa ishte ulur nën portretet e pluhurosura të paraardhësve të vet. “Ajo fillon në krye, mes ministrave e botuesve, dhe vijon poshtë te zyrat e shtypit dhe gazetarët. Është një piramidë.”
Një shembull, tha ai, është një studio televizive e krijuar më 2007-n nga Ministria e Bujqësisë për të promovuar aktivitetet e veta. Megjithëse rreth 50 njerëz, përfshirë gazetarë të politikës, u punësuan, vetëm disa prej tyre kishin me të vërtetë çfarë të bënin. “Shumë më tepër nga sa nevojiteshin u punësuan dhe kjo dukshëm ishte një përfitim”, thotë Trimis.
Një zëdhënës për ministrinë tha se në studio nuk u punësuan kurrë njerëz me kohë të plotë dhe se ajo u mbyll më 2009-n. “Reuters” identifikoi së paku nëntë zëdhënës për institucione financiare që njëkohësisht shkruajnë edhe në media, e cila gjerësisht nuk ka raportuar nevojën për reformim të sistemit financiar të vendit. “Ata me kapele të dyfishtë” përfshijnë Alexandros Kasimatis, një gazetar financash në gazetën e së dielës, i cili punon gjithashtu si kreu i zyrës së marrëdhënieve me publikun në Komisionin për Tregjet e Kapitaleve, një institucion rregullator i rëndësishëm për kompanitë e renditura në bursë. “Reuters” nuk gjeti artikuj nga Kasimatis, i cili shkruan për kompani, por jo për rregullatorin, ku ka një rol të deklaruar.
Kasimatis tha: “Nuk është një konflikt interesi. Sindikata e Gazetarëve të Athinës i lejon anëtarët të punojnë në zyrat e shtypit me kushtin që të mos mbulojnë të njëjtën fushë. Unë nuk shkruaj kurrë për Autoritetin”.
Në një email për “Reuters”, Costas Botopoulos, president i Autoritetit, tha se dy punët e Kasimatis qenë të pajtueshme.
Një gazetare tjetër që nuk përballej me konflikt të drejtpërdrejtë interesi, e kishte nofkën mes kolegëve të vet Zonjusha Drita-Ujë-Telefon, për shkak se punon njëkohësisht te gazeta “To Voma” dhe tri kompani shërbimesh publike. Ioanna Mandrou, e cila tani punon për “Kathimerini SKAI TV”, konfirmoi se ka punuar te zyra e shtypit e OTE, kompania shtetërore e telefonisë, dhe shkurtimisht si këshilltare te një kompani shtetërore ujësjellësi. Ajo tha se nuk ka punuar për ndonjë kompani elektriciteti.
“Te ‘To Vima’ unë isha reportere e çështjeve gjyqësore dhe kjo nuk kishte lidhje me punën time te OTE. Dhe kur ju thoni se unë ‘punoja’ për OTE, unë them se me të vërtetë punoja”, thotë ajo. “Mund t’ju them se 95 për qind e njerëzve të punësuar në poste të tilla nuk bëjnë asgjë.”
Ajo thotë se ishte e zakonshme për politikanët të siguronin punë të tilla për ndere. Kedikoglu, zëdhënësi i qeverisë, tha se anëtarët e Sindikatës së Gazetarëve “kanë të drejtë të punojnë në kompanitë shtetërore dhe si zëdhënës nën disa kushte të caktuara, dhe nuk duhet të kenë konflikt interesi.”
Perspektivë për ndryshime
Duke pirë verë me qebapa në një mbrëmje të ftohtë tetori më 2004-n, Kryeministri i atëhershëm, Costas Karamanlis, u shpalli luftë forcave të fuqishme në shoqërinë greke.
“Ne nuk do të lejojmë pesë tutorë dhe pesë interesa të fshehta të manipulojnë jetën tonë politike”, u tha ai deputetëve konservatorë të thirrur në një darkë në tavernën “Bairaktaris” në Athinë, sipas njerëzve të pranishëm në takim. Ai nuk specifikoi se për kë bëhej fjalë.
Përpjekjet e Karamanlis konsistonin në kufizimin e aksesit te kontratat shtetërore për pronarët e medias dhe një masë e tillë u përball me një sulm frontal nga media. Por në fund, disfata erdhi nga Komisioni Europian: më 2005-n, KE tha se planet e Karamanlis dhunonin rregullat e konkurrencës së BE-së, duke e detyruar ta heqë ligjin.
Që nga ajo kohë, asnjë përpjekje e rëndësishme nuk është bërë për luftimin e interesave të ndërthurura. Politikanët që përplasen me pronarët e medias rrezikojnë të kritikohen ashpër, thotë një zyrtar i lartë grek që foli për eksperiencën e vet si ministër në qeverinë paraardhëse. Në një rast, tha ai, pronari i një mediaje i kërkoi të ndalonte një hetim ligjor mbi bizneset e veta. Dhe, në një tjetër, një botues gazete që i detyrohej një milion euro një kompanie shtetërore i kërkoi një marrëveshje për t’i shpëtuar borxhit.
“Ai tha: ‘Unë do të vendos një reklamë të kompanisë shtetërore çdo ditë në gazetë për të kompensuar borxhin.’ Priste që unë të urdhëroja kompaninë të bënte marrëveshjen. Unë refuzova të ndërhyja”, tha ish-ministri në kushtet e anonimitetit. Për rrjedhojë, gazeta filloi ta sulmonte ashpër.
Vijueshmëria e konfliktit të interesit reflektohet në Raportin e Fundit për Perceptimin e Korrupsionit që përpilohet nga grupimi i Transparencës Ndërkombëtare. Indeksi e renditi Greqinë në vend të 94, 14 vende më poshtë se më 2011-n dhe renditja më e ulët në eurozonë. Grupi konkludoi se “ka probleme të rënda strukturore me qeverinë, median dhe sektorin e biznesit.”
Kedikoglou, zëdhënësi i qeverisë, tha se ministrat po kërkojnë të “normalizojnë” tregun e televizioneve. Qeveria synon të reformojë regjimin e “licencave të përkohshme” dhe të sjellë një “ligj që do të përcaktojë në mënyrë permanente rregulla të zbatueshme në këtë treg”, tha ai.
Edhe pa legjislacion, peizazhi po ndryshon. Nga viti 2013 ekonomia e Greqisë do të ketë rënë me një të katërtën në pesë vjet. Presioni financiar është intensifikuar. Reklamat kanë rënë dhe një studim i “Reuters” tregon se 18 media me bazë në Athinë kanë deklaruar borxhe me vlerë të përgjithshme prej 2 miliardë eurosh.
Në të njëjtën kohë, kreditorët ndërkombëtarë kërkojnë reforma reale në këmbim të miliardave të tyre. Ata janë, për shembull, duke kërkuar që ekspertë të trojkës të ulen nëpër bordet e bankave dhe të kenë të drejtë vetoje në miratimin e kredive të mëdha, përfshirë kreditë për organizatat e medias.
Gazetat “Ethnos” dhe “To Vima” reaguan ndaj propozimit me editoriale të ashpra. “Greqia nuk është një koloni”, shkroi Psycharis në një artikull të faqes së parë te “To Vima”. “Çfarë dështoi të bënte Rajhu i Tretë mund të bëhet realitet nga kredidhënësit europianë tani.