Një fenomen i pazakontë po fiton terren në Francë: çiftet po shesin ftesa për dasmat e tyre te persona që nuk i njohin, për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve të eventit.
Ideja ka lindur nga startup-i parisien Invitin, i themeluar nga Katia Lekarski, e cila e konceptoi platformën pasi vajza e saj 5-vjeçare e pyeti pse nuk ishin të ftuar në dasma. Platforma u jep mundësinë çifteve të vendosin çmimin e ftesës dhe të përzgjedhin se kush mund të marrë pjesë.
Sipas “The Guardian”, fenomeni po ndryshon mënyrën se si njerëzit e shohin dhe e përjetojnë një dasmë, duke ofruar mundësi për ata që duan të jenë pjesë e një ngjarjeje speciale edhe pa njohur personalisht çiftin.
Të ftuarit duhet të respektojnë disa rregulla: veshje formale, sjellje të përshtatshme dhe ndalim të shpërndarjes së fotove pa leje. Deri tani janë regjistruar vetëm 6 dasma, kryesisht të çifteve të moshës 25-35 vjeç, ndërsa koncepti po tërheq interes edhe në vende të tjera të Evropës.
