Në Francë po lind një trend i pazakontë dhe mjaft interesant, gjithnjë e më shumë çifte të reja po shesin ftesa për dasmat e tyre te persona të panjohur, me synimin për të mbuluar një pjesë të kostove të ceremonisë. Ky koncept, që po zgjon shumë kuriozitet, është frymëzuar nga ideja se dasma mund të mos jetë vetëm një event privat, por edhe një përvojë unike për këdo që dëshiron ta përjetojë.

Pas këtij modeli qëndron Invitin, një startup me qendër në Paris, i themeluar nga Katia Lekarski. Sipas saj, ideja lindi pas një pyetjeje naive nga vajza e saj pesëvjeçare, e cila u habit pse familja e tyre nuk merrte pjesë kurrë në dasma. Kjo frymëzim e bëri Lekarskin të mendojë se shumë njerëz mund të dëshironin të shijonin atmosferën e një dasme, edhe pa qenë të afërt me çiftin.

Platforma u jep mundësinë çifteve të vendosin vetë çmimin për pjesëmarrjen dhe të zgjedhin aplikantët që duan të pranojnë në festë. Kjo jo vetëm që ndihmon financiarisht çiftin, por edhe u ofron të ftuarve një përvojë të veçantë, duke i bërë pjesë të një momenti të rëndësishëm në jetën e dikujt tjetër.

Sipas The Guardian, ky model po sfidon perceptimet tradicionale për dasmat, duke i hapur ato për publikun e gjerë. Megjithatë, ka edhe rregulla të qarta: pjesëmarrësit duhet të jenë të veshur në mënyrë elegante, të sillen me mirësjellje dhe të mos publikojnë foto apo video pa lejen e organizatorëve.

Deri më tani, janë realizuar vetëm gjashtë dasma përmes Invitin, kryesisht nga çifte të moshës 25-35 vjeç. Edhe pse projekti është ende në fazat e para, interesi po rritet ndjeshëm, madje edhe jashtë Francës, në vende të tjera evropiane.

Ky trend ngre edhe diskutime më të gjera mbi privatësinë, traditën dhe mënyrën si e konceptojmë martesën në shekullin 21, një ngjarje intime që tashmë mund të kthehet edhe në një eksperiencë të hapur dhe të paguar.