Nuk ekziston një pamje fizike e njëjtë për të gjithë: secili ka kufijtë e tij, që duhet t’i respektojë, nëse dëshiron të arrijë rezultate konkrete
Të kesh një trup të shëndetshëm dhe pamje tërheqëse është qëllimi i shumë meshkujve dhe femrave, pavarësisht se nuk janë të shumtë ata që kënaqen me paraqitjen e tyre. Nëse flasim për meshkujt, problemi i tyre kryesor është grumbullimi i dhjamit në pjesën e barkut; për femrat pika e dobët janë këmbët, e sidomos celuliti.
Krahasimet nuk shërbejnë
Një gabim që bëjnë shumë njerëz kur kërkojnë formën e përkryer fizike është identifikimi fizik me persona të tjerë, qofshin këta miq, kolegë, personazhe të famshme. Kjo nuk është aspak e nevojshme: secili prej nesh ka gjenetikën e vet, një ndërtim dhe ndjeshmëri të rritjes së muskujve dhe duhet të jeni të vetëdijshëm se gjenetika nuk mund të ndryshohet. Gjithkush ka trupin e vet, që pikë së pari duhet të jetë në harmoni dhe ekuilibër.
Motivimi, hapi i parë i suksesit
Bindja dhe vullneti janë aleatë të çmuar, por nuk duhet të çojnë në shtrembërim të karakteristikave tona fizike, por të na ndihmojë të ruajmë ekuilibrin mes grupeve muskulore, tonifikimit të mirë, qëndrimit të rregullt dhe pse jo, një sjellje elegante. Nëse i frekuentoni rregullisht palestrat, mund të vëresh persona që nuk arrijnë as 170 centimetra gjatësi, me shumë muskuj, me krahë më të trashë se madhësia e kokës, gjoks si top futbolli dhe këmbët të holla për shkak të ushtrimit të pakët. Ky që sapo përshkruam është një trup i paekuilibruar, absolutisht jo në harmoni…
Një trup i këndshëm është para së gjithash harmonik
Qëllimi ynë nuk duhet të shtrembërohet: si çdo trajner i mirë, u duhet kushtuar shumë rëndësi karakteristikave individuale të një personi, të respektohen me përpikëri në 360 gradë, i duhet dhënë rëndësi gjatësisë, peshës, çdo mospërputhjeje të supeve ose shpatullave, qëndrimit dhe ndonjë intolerance ushqimore që mund të krijojnë zgjerim të stomakut dhe të formojnë efektin bark, gjë që është shumë e shëmtuar. Kështu pra duhet pasur parasysh që duke respektuar karakteristikat e përmendura më lart, secili mund të arrijë “përsosmërinë” e trupit të vet.
Rregulli universal, ta duam trupin tonë
Jeta bashkëkohore, sidomos në qytete, është vërtet frenetike: sillemi gjithë ditën majtas-djathtas për të përmbushur nevojat e punës, ndoshta me ankthin se nuk do të arrijmë në kohë. Në përgjithësi, ne hamë jashtë, në vendin ku ndodhemi dhe në bazë të kohës që kemi në dispozicion; në mbrëmje dalim nga puna të lodhur fizikisht dhe mendërisht duke marrë me vete të gjitha tensionet e akumuluara gjatë ditës dhe preferojmë të pimë një pije në një lokal, në vend të stërvitjes në palestër.
Ndryshime të vogla, rezultate të mëdha
Të duash trupin do të thotë të mos zhytesh në ritmin frenetik që na imponon shoqëria, por të përpiqemi ta mbrojmë atë duke ndryshuar menaxhimin e ditës. Le të fillojmë me gjërat e vogla të përditshme, për shembull si të përgatisim në darkë çantën për të nesërmen në palestër dhe dy toste të vegjël për t’i marrë me vete në punë, njërin për në mëngjes dhe tjetrin për pasdite. Vetëm mendimi që po kujdesemi për ushqimin e kombinuar pastaj me dëshirën për të zëvendësuar uljen në një lokal me palestrën, pasi çanta është gati në makinë, rrit vetëbesimin dhe e nxit personin të ketë një qëndrim pozitiv e konstruktiv ndaj trupit të tij. Të mos harrojmë se gjithçka nis nga mendja, prandaj nëse ne jemi aktivë dhe të orientuar për të rigjetur formën tonë të përsosur, atëherë kemi zgjedhur rrugën e duhur.