Ajo që hamë, si flejmë dhe sa lëvizim nuk ndikon vetëm në trupin tonë — por edhe në mënyrën si dashurojmë, si mendojmë dhe si reagojmë emocionalisht.

Një studim i publikuar në “Nutrients Journal” ka zbuluar se tre zakone të përditshme, dieta e shëndetshme, gjumi cilësor dhe aktiviteti fizik, ndikojnë drejtpërdrejt në humorin, vetëvlerësimin dhe marrëdhëniet tona shoqërore e romantike.

Në këtë kërkim, që përfshiu 928 studentë, u vu re se ata që ushqeheshin sipas dietës mesdhetare, flinin rregullisht dhe ushtronin të paktën tre herë në javë, kishin më pak nivele ankthi dhe stres kronik.

Këta individë kishin gjithashtu komunikim më të mirë me partnerin dhe një ndjenjë më të madhe sigurie emocionale.

Shkencëtarët theksojnë se truri dhe trupi janë të lidhur ngushtë. Një organizëm i lodhur apo i ushqyer dobët ndikon në aftësinë për të kontrolluar emocionet, për të dëgjuar me durim dhe për të ndërtuar lidhje të thella.

Përkundrazi, një stil jetese i ekuilibruar forcon sistemin nervor dhe përmirëson mirëqenien mendore — duke krijuar bazën për marrëdhënie më të shëndetshme dhe më të ndjeshme.