Ankaraja po përdor diplomacinë e kushtëzimit dhe pretendon objekte të nxjerra nga territori i saj një shekull më parë


DAN BILEFSKY, NYT


Stamboll – Një fushatë agresive nga Turqia për të rimarrë në posedim thesare të antikitetit, për të cilat thotë se i janë vjedhur përgjatë historisë, bëri që një sfinks dhe shumë objekte ari nga e shkuara e pasur e rajonit, të ktheheshin “në shtëpi”. Por fushata ka shkaktuar protesta dhe zemërim nga disa prej muzeve më të mëdha të botës, të cilat i konsiderojnë veprimet e Turqisë si një “shantazh kulturor”.


Në përpjekjen e tyre të fundit, zyrtarët e Turqisë dorëzuan një denoncim penal në sistemin gjyqësor të këtij vendi, duke kërkuar hetime mbi atë që ata e quajnë “gërmim arkeologjik ilegal” për 18 objekte që sot përbëjnë një pjesë të rëndësishme të koleksionit Norbert Schimmel në Muzeun e Artit Metropolitan të Nju Jorkut. Vitin e kaluar, drejtori i përgjithshëm i Trashëgimisë Kulturore të Turqisë, Murat Suslu, i dërgoi një ultimatum tronditës zyrtarëve të muzeut të famshëm amerikan: duhet të vërtetoni prejardhjen e figurinave antike dhe kupave të arta në koleksion, ose përndryshe Turqia do të ndalojë dhënien hua për ekspozita të pasurive të saj. Turqia tani thotë se kërcënimi tashmë është bërë realitet.


“Ne dimë me siguri 100 për qind që këto objekte janë nga Anadolli”, thotë Suslu, një arkeolog, duke iu referuar rajonit të Turqisë të mirënjohur për mbetjet nga lashtësia. “Ne thjesht dëshirojmë të rimarrim atë që na përket dhe është e jona.”


Përpjekjet e Turqisë kanë shkaktuar një debat ndërkombëtar mbi pyetjen se kush ka pronësinë mbi lashtësinë pas shumë shekujsh lëvizjesh të kufijve. Muze si MET, Getty, Luvri dhe Pergamon në Berlin thonë se misioni i tyre për të ekspozuar thesaret e artit botëror është aktualisht nën kërcënim nga taktikat e Turqisë.


Drejtorët e muzeve thonë se kërkesat për riatdhesim po ndryshojnë praktikat e gjithëpranuara deri më sot, si ato që janë përcaktuar në Konventën e UNESCO-s, ku muzetë lejohet të blejnë objekte që kanë qenë jashtë vendit të tyre të origjinës para vitit 1970. Megjithëse Turqia e ratifikoi konventën më 1981-shin, ajo tani po vepron duke cituar një ligj të epokës otomane të vitit 1906 – një ligj që ndaloi eksportin e artifakteve – për të pretenduar pronësinë e të gjitha objekteve që kanë dalë pas kësaj kohe.


Vjedhjet dhe grabitjet janë të gabuara, thotë Turqia, dhe nuk ka rëndësi se kur kanë ndodhur ato. “Artifaktet janë njësoj si njerëzit, kafshët apo bimët, kanë shpirt dhe memorie historike”, thotë ministri i Kulturës së Turqisë, Ertugrul Gunay. “Kur ata riatdhesohen te vendi i tyre, balanca në natyrë rivendoset.”


Turqia nuk është e vetmja që kërkon rikthimin e artifakteve që janë hequr prej saj në kohët e vjetra; Egjipti dhe Greqia kanë shprehur kërkesa të ngjashme ndaj muzeve dhe Italia detyroi një muze të kthejë një kupë të lashtë të njohur si Eufronios më 2006-n.


Por teknikat agresive të Turqisë, të cilat kanë ardhur në forcim krahas fuqizimit të saj politik në Lindjen e Mesme para Pranverës Arabe, kanë qenë veçanërisht alarmuese për muzetë. Zyrtarët në Turqi kanë filluar të refuzojnë kërkesat për huamarrje të thesareve, kanë vonuar licencat për kërkime arkeologjike apo kanë kritikuar publikisht muzetë.


“Turqit janë angazhuar në polemika dhe në politika të frikshme”, thotë Hermann Parzinger, president i Fondacionit për Trashëgiminë Kulturore Prusiane, fondacion që mbikëqyr muzeun Pergamon. “Ata duhet të tregohen më të kujdesshëm kur ngrenë pretendime morale për sa kohë muzetë e tyre janë përplot me thesare të vjedhura”, të fituara, thotë ai, nga otomanët gjatë shekujve kur qeverisën pjesë të mëdha të Lindjes së Mesme dhe Europës Juglindore.


Një shembull për këtë është një sarkofag shumë i rëndësishëm i emëruar për Aleksandrin e Madh, i zbuluar në Sidon, Liban, më 1887-n dhe që tashmë gjendet në Muzeun Arkeologjik të Stambollit. Suslu thotë se sarkofagu i përkiste ligjërisht Turqisë, për shkak se ishte zbuluar në një territor që i përkiste Turqisë në atë kohë.


Ndërkohë, fushata e Turqisë ka shënuar suksese të konsiderueshme. Vitin e kaluar, Pergamon pranoi të kthejë një sfinks 3 mijë vjet të vjetër nga Perandoria Hitite që Turqia pretendoi se ishte marrë nga Gjermania për restaurim më 1917-n. Zyrtarët e Gjermanisë thanë se Turqia ka kërcënuar me bllokimin e shumë projekteve të rëndësishme arkeologjike në rast se sfinksi nuk kthehej.


Por, edhe pse kërkesa e saj u plotësua, Turqia sërish refuzoi të bashkëpunojë dhe hodhi poshtë kërkesën për të dhënë hua katër objekte për një ekspozitë. Suslu tregoi se Pergamon duhet të kthejë edhe shumë objekte të tjera para se procesi i huadhënies të rifillojë.


Parzinger thotë se Turqia nuk ka të drejtë ligjore të kërkojë objektet e diskutuara dhe se po e trajton Gjermaninë si një hajdute të rëndomtë. Këto masa, sipas tij, po vendosin në rrezik më shumë se një shekull bashkëpunim arkeologjik dhe po dëmtojnë marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërkohë që Turqia kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Ai shtoi se perëndimorët kanë qenë në pararojë për shpëtimin e historisë së pasur të Turqisë.


“Nëse të gjithë perëndimorët na qenkan thjesht hajdutë”, pyet ai, “atëherë kush e ka restauruar trashëgiminë e tyre kulturore?”


Në një fitore tjetër, muajin e kaluar, Muzeu i Arkeologjisë në Universitetin e Pensilvanisë, njoftuan se kanë rënë dakord t’i japin hua Turqisë për një kohë të pakufizuar 24 arkifakte nga Troja e lashtë, prejardhja e dyshimtë e të cilave ka frymëzuar Konventën e UNESCO-s të vitit 1970. Në këmbim, Turqia pranoi të japë hua objekte të saj për ekspozitat e ardhshme të muzeut. Disa drejtorë muzesh thonë se kanë frikë se ky rast dorëzimi rrezikon kërkesa të tjera nga ana e Turqisë. Universiteti i pati blerë këto objekte më 1966-n.


Në shtator 2011, Muzeu i Arteve të Bukura të Bostonit, ktheu gjysmën e sipërme të një statuje 1800-vjeçare të titulluar “Herkuli i lodhur”, të cilin Kryeministri Recep Tajip Erdogan e mori triumfalisht në shtëpi me avionin e tij zyrtar. Për të detyruar muzeun MET të dokumentojë objektet e koleksionit Schimmel, zyrtarët e Turqisë deklaruan se kanë refuzuar të japin hua objekte për një ekspozitë të titulluar “Bizanti dhe Islami: Epoka e Tranzicionit”. Por MET thotë se nuk ka bërë kërkesë për hua nga Turqia. Drejtori, Thomas P. Campbell, tha në një intervistë, se besonte se objektet e pretenduara nga Turqia janë blerë në mënyrë të ligjshme nga Norbert Schimmel në tregun europian të antikiteteve në vitet ’60 para se t’i dhuroheshin muzeut më 1989-n dhe rrjedhimisht qenë në përputhje me Konventën e UNESCO-s. Ai pranoi se shumica e objekteve nuk kanë histori të pronësisë të dokumentuar, por gjithashtu nuk ekzistojnë prova as për gërmime të paligjshme apo trafikim.


“Nëse ekzistojnë prova se këto objekte janë gërmuar apo vjedhur, ne do të trajtojmë problemin rast pas rasti”, thotë Campbell. Ai shton se argumentimi që objektet duhet të kthehen gjithmonë në vendet e tyre të origjinës është i dyshimtë, duke parë se shumë artifakte kanë udhëtuar përgjatë shekujve. “Ne jemi në biznesin e lartësimit të kulturës së Turqisë”, tha ai, “dhe janë pikërisht ekspozitat e mëdha në Londër, Paris dhe Nju Jork më shumë se çdo gjë tjetër që do t’i nxisin njerëzit të shkojnë në Turqi dhe të eksplorojnë trashëgiminë e tyre kulturore dhe jo thjesht diellin dhe plazhin.”


Marc Masurovsky, një ekspert mbi artin e grabitur në Uashington, thotë se nuk është habi që Turqia po i drejtohet diplomacisë kushtëzuese për të zgjidhur pretendime të tilla, për shkak se mungon një agjenci ndërkombëtare për zbatimin e masave kundër vjedhjeve. Por Turqia po përballet me pengesa në planin për të zbatuar ligjin otoman jashtë kufijve të vet. Edhe nëse ky ligj pranohet si i zbatueshëm, vërtetimi i datës së gërmimit të paligjshëm të çfarëdolloj objekti është i vështirë, për shkak se nuk mbahen shënime.


Megjithatë, Suslu thotë se asgjë nuk mund të justifikojë vjedhjen dhe vuri në dukje posedimin e disa qeramikave të Iznik të shekullit të 16 nga Muzeu i Luvrit. Ai thotë se janë vjedhur nga restauruesi francez Albert Sorlin-Dorigny më 1880-n. Qeramikat janë nga mauzoleu i Sulltanit Selim i Dytë në Stamboll dhe ishin dërguar në Paris për riparime, por restauruesi ia dha Luvrit më 1895-n në vend që t’ia kthente Turqisë.


Luvri nuk iu përgjigj mesazheve që iu dërguan për koment. Zyrtarët e Turqisë thanë se francezët këmbëngulin se qeramikat iu dhanë restauruesit nga një anëtar i familjes së sulltanit, por nuk dhanë asnjë provë dokumentare për këtë.


“E kush me mendje të shëndoshë mund të japë si dhuratë diçka nga varri i një njeriu të tij për një vend të huaj?” pyet Suslu. “Nëse vjen në shtëpinë time dhe vjedh një objekt të shtrenjtë për mua, a nuk kam unë të drejtë të kërkoj të më kthehet?”