Shkencëtari britanik, Stephen Hawking ia ka ‘ofruar’ trurin e tij shkencës për një eksperiment avangardë mbi leximin e mendjes


Imagjinoni që me anë të kompjuterit të arrini të hyni në trurin e një shkencëtari të madh për të kuptuar sekretet e dijes dhe njohurive të tij. Nuk bëhet fjalë për skenarin e një filmi fantashkencë, por për një eksperiment shkencor të sofistikuar në fushën e neurologjisë që ka për protagonist fizikanin dhe kozmologun e njohur britanik, Stephen Hawking.


Të navigosh mes valëve cerebrale


Shtatëdhjetëvjeçari Hawking, prej kohësh e ka të pamundur të lëvizë, për shkak të një forme të rëndë të atrofisë muskulare progresive, e cila për mbi 30 vjet e ka privuar edhe nga aftësia për të folur.

Që nga fillimi i viteve ’80, shkencëtari komunikon vetëm me ndihmën e një kompjuteri, por përkeqësimi i gjendjes së tij është duke e privuar edhe nga kjo mundësi. Për këtë arsye, prej disa kohësh ai është duke bashkëpunuar me shkencëtarin Philip Low, profesor në Stanford University dhe shpikësi i programit ‘iBrain’, një lloj skaneri special i aftë që të masë dhe të regjistrojë aktivitetin e trurit.

“Ne synojmë të hyjmë në trurin e Hawking në formën e hacker-it, – shpjegon studiuyesi, – projekti që do t’i paraqitet komunitetit shkencor muajin e ardhshëm është ende në fazën fillestare, por synimi i tij është leximi i mendjes së njeriut”.


“Vjedhje” elektronike e ideve


Tani për tani, Hawking ka mësuar të kontrollojë valët e trurit të tij, duke krijuar impulse shumë të thjeshta që shfaqen me anë të lëvizjes së një dore apo një këmbe. ‘IBrain’ identifikon këto impulse në mes të gjithë pjesës tjetër të aktivitetit elektrik të trurit dhe i tregon ato në një monitor.

“Rruga është ende e gjatë, por duket premtuese; në të ardhmen, sistemet e ngjashme mund të lejojnë njohjen e modeleve më komplekse elektrike, duke i përkthyer ato në fjalë apo imazhe. Në këtë mënyrë, mund të arrihet të ndihmohen ata që vuajnë nga sëmundje degjenerative të krahasueshme me atë të Hawking, por edhe nga depresioni, autizmi dhe probleme me komunikimin. Është një fushë interesante e kërkimit: për herë të parë na lejon të hapim një ‘dritare’ për të parë brenda në trurin e njeriut”, – përfundoi Low.

2 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)