Personazh
Ai ishte fëmija i parë i çiftit mbretëror Diana dhe Çarls. Sipas radhës, i bie të jetë mbreti i ardhshëm i Britanisë së Madhe. Fëmijërinë nuk e pati të lumtur me gjithë skandalet e familjes së tij, skandale publike dhe private, që padyshim do të kishin lënë gjurmë te çdo fëmijë tjetër. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe edhe për të voglin Uilliam. Por për të drama më e madhe do të ishte ikja e parakohshme dhe fatkeqe nga jeta e nënës së tij, Diana, në një aksident tragjik që i mori jetën, duke e lënë pa dy fëmijët e saj, të cilët i donte më shumë se gjithçka.
E ndërsa pjesa e parë e jetës, ajo e hershmja, mund të quhet një pjesë e mbushur me dhimbje dhe e finalizuar me një tragjedi e humbje të pakthyeshme, pjesa e dytë e saj, të paktën në dukje, i ka të gjitha shanset që të jetë e lumtur në krahët e bashkëshortes së re e bukuroshe, Kejt. Madje aq i dhënë është pas saj dhe jetës së tij të re, sa i vëllai, Herri, ankohet se tashmë që i vëllai është martuar, jeta e tij është bërë shumë më e “mërzitshme”. Jeta e re e princit thuhet se është shumë e thjeshtë. Ai punon në një skuadër aviatorësh që merret me rastet e urgjencës së shpëtimit të njerëzve në situata të vështira. Kur është me shërbim e shoqja qëndron në shtëpi nën shoqërinë e qenit Lupo. Kejt zakonisht bën pazarin për ushqimet e çiftit në supermarketin e lagjes, bën vetë reçel, pjek bukë ndonjëherë dhe gatuan me dëshirë. Darka e parapëlqyeshme e Uilliamit është pula e pjekur.
Në darkë shohin filma dhe ndonjëherë edhe telenovela. Të dyve u pëlqen shumë edhe jeta jashtë shtëpisë, veçanërisht aktivitetet në natyrë me njerëz të dashur apo edhe me njerëz të zakonshëm. Çifti shpesh shkon në breg të detit në afërsi të shtëpisë ku banon për të shijuar perëndimin e diellit. Gjithçka në jetën e tyre duket shumë normale dhe e qetë.
Me ndihmën e Kejt, Uilliam duket se ka arritur një balancë shumë të mirë mes jetës private dhe angazhimeve zyrtare në publik. Por ky vit do të sjellë për të një ndryshim, duke qenë se dy ditë më parë ka mbushur 30 vjeç dhe është shndërruar në një të ri financiarisht të pavarur, duke qenë se ai merr në dorëzim trashëgiminë që ka nga e ëma, Diana, një trashëgimi prej 10 miliardë paundësh. Ndërkaq edhe profili i tij publik pritet që të rritet më shumë dhe nëse do të jetë në gjendje që të ruajë balancën e jetës personale me atë publike do të shërbejë si një rol modeli i ri për një monark të shekullit të 21. Një model që do të kishte qenë i pamundur për paraardhësit e tij dhe kjo për shumë arsye. Madje edhe ditën e përvjetorit të 30, ai ka punuar në një pjesë të saj dhe festimet kanë qenë shumë të qeta, private dhe familjare. Ky është një tregues i një tjetër stili jetese të princit të ri, ndryshe nga ai i paraardhësve që ishte shumë pompoz me festime ekstravagante e shumë të shtrenjta. Uilliam vitet e fundit dhe veçanërisht që pas martesës, duket se është vendosur në qendër të vëmendjes dhe me kalimin e kohës qartazi ua ka marrë dorën sjelljeve para njerëzve. Është shumë i qetë, i matur, me një mënyrë të thjeshtë komunikimi dhe shumë i pranueshëm, edhe pse jo aq rrëzëllitës sa Diana, nëna e tij. Por është lehtësisht e dallueshme ngjashmëria mes të dyve në të gjitha aspektet. Ai është kokë e këmbë i biri i princeshës së bukur. Dhe kjo rritje besimi dhe ekuilibri sigurisht që është rritur shumë edhe për shkak të pranisë përkrah tij të Kejt. Në dukje të parë duket se Uilliam nuk e çon aspak nëpër mend që të shndërrohet shumë shpejt në mbret. Ai kalon një kohë shumë të mirë me familjen dhe gruan e tij, është i përqendruar te puna dhe nuk ka ambicie të shfaqur, apo ndonjë nxitim për të marrë përsipër në këtë moment rolin e tij, të cilin do të duhet që ta marrë në një të ardhme. Por në këtë ndryshim të portretit dhe personit të tij me paraardhësit jo çdo meritë është e tija. Tashmë edhe kohët kanë ndryshuar dhe si pasojë të gjithë njerëzit dhe institucionet, përfshi edhe monarkinë, duhet që të ndryshojnë me to. Por, nga ana tjetër, duhet thënë se kjo paraqitje ndryshe e tij është mbi të gjitha edhe kulmimi i një fushate të përqendruar dhe të madhe të ndërmarrë nga pallati mbretëror që kërkon të shfaqet pas viteve të gjata të skandaleve familjare me një fytyrë tjetër, atë të një monarku të ardhshëm të përgjegjshëm, me këmbë në tokë dhe mbi të gjitha shumë, shumë “të thjeshtë”. Për shumë vite me radhë politika e një hapjeje më të madhe ndaj mediave dhe një transparence ndaj publikut në lidhje me gjithçka ka qenë shumë e diskutuar dhe shpesh nuk ka pasur rezultatin që do të donin monarkët, por duket se më në fund me çiftin e ri të porsamartuar, transparenca duket se është konsideruar si mënyra më e mirë e komunikimit me publikun. Dhe me këtë çift të ri ndoshta i jepet fund edhe kapitullit të gjatë dhe shpesh të dhimbshëm të skandaleve të familjes dhe marrëdhënies së tyre problematike dhe shpesh konfliktuale me median. Të gjitha këto ndryshime bëhen në prag të një ndryshimi të madh në kalimin e stafetës nga mbretëresha aktuale te pasardhësi i saj në fron, i cili ende nuk dihet nëse do të jetë Uilliami shumë popullor dhe i dashur, apo babai i tij, Çarls, që ka një jetë të tërë që pret në fron. Por duket se mbretëresha e fortë nuk ka ndërmend që ta lëshojë fronin. Ajo thotë se për momentin ka dy zëvendësues në radhë dhe se ka ndërmend që t’i përdorë të dy gjatë kësaj kohe.
Uilliam është një monark në detyrë, një ushtarak dhe ndryshe nga vëllai i tij Herri, atij nuk i lejohet që të shërbejë në front. Por ndërkohë puna e tij si pilot shpëtimi, që sipas tij është një punë që i jep kënaqësi, e mbush dhe i nxit ndjenjën e detyrës dhe të përgjegjësisë. Por ndërkohë nuk i kërkohet më shumë dhe mund të jetë ndoshta për disa vjet i qetë në jetën e tij të re derisa do t’i duhet të tërhiqet tërësisht nga ushtria e t’i dedikohet monarkisë dhe detyrimeve të tjera që rrjedhin prej saj.
Por për sa i përket karrierës së deritanishme, ai thotë se ajo e ka pajisur me disa cilësi shumë të mira që do i shërbejnë kur të jetë mbret. “Njerëzit me të cilët punon marrin vendime të jashtëzakonshme dhe në detyrën time gjatë gjithë kohës je nën presion e stres dhe kjo të bën që të mbash gjithçka nën kontroll dhe të racionalizosh jetën tënde”, thotë princi. Për sa i përket jetës mbretërore, si Uilliam ashtu edhe Kejt do të vazhdojnë që të mbajnë edhe në të ardhmen një grup të vogël këshilltarësh, ata që kanë edhe aktualisht, dhe te të cilët kanë besim të plotë dhe me të cilët ndajnë vlera të përbashkëta veç miqësisë. Uilliam, tërësisht në një stil të ri, preferon kushte pune dhe një atmosferë informale dhe jo nën survejimin e rregullave strikte e tradicionale dhe ngulmon që të gjithë t’i drejtohen njëri-tjetrit në numrin njëjës. Uilliam nuk e pëlqen formalizmin dhe të tillë i do edhe marrëdhëniet me njerëzit që i qëndrojnë rrotull. Ndryshe nga i ati, i cili ka shumë shërbëtorë dhe sekretarë, Uilliam nuk ka një maxhordom të posaçëm që kujdeset për nevojat dhe kërkesat e tij. Edhe Kejt i ka refuzuar shërbime të tilla, duke e bërë gjithçka vetë, madje edhe pazarin dhe gatimin. Të dyve u ka shërbyer shumë përvoja e shkollës kur u duhej që t’ia dilnin jetës vetë në të gjitha drejtimet dhe ata nuk duan që ta ndryshojnë një rutinë të tillë, të cilën e konsiderojnë të shëndetshme dhe diçka krejt të natyrshme e normale për shekullin në të cilin jetojnë. Një tjetër ndryshim i Uilliamit në lidhje me të atin e tij dhe paraardhësit në përgjithësi, është ai se çfarëdo ndryshimi do të ndërmarrë për jetën e tij profesionale, do të bëhet në këshillim me Kejt, gruan e tij prej 14 muajsh dhe mbështetësja më e madhe në jetën private e burimi i sigurisë dhe qetësisë së munguar që nga periudha e vdekjes së mamasë.
Kjo mbështetje i vjen në çdo moment prej saj dhe shumë ilustrues dhe domethënës është momenti kur pasi shkëmbyen betimet për dashuri dhe besnikëri të përjetshme në kishë, ishte Kejt ajo që e pyeti të shoqin e saj të ri: “A ndihesh mirë”? Kejt e ka ndihmuar dhe kujdeset vazhdimisht për çdo gjë të tijën. Miqtë thonë se ajo i përgatit vaskën dhe darkën çdo natë kur kthehet nga puna dhe është e gatshme që ta dëgjojë deri në orët e vona të natës për gjithçka që i thotë. Sigurisht që kanë bërë plane për t’u bërë me fëmijë dhe për të pasur një familje të tyren. Edhe pse duket se nuk kanë ndonjë plan shumë të shpejtë, por të dy shpresojnë që të bekohen me fëmijë. Uilliam, sikundër i ati, e di shumë mirë që do të kalojë ndoshta shumë kohë para se të ushtrojë të drejtën e tij të lindjes. Çarls, në moshën 63-vjeçare, është monarku që ka kaluar kohën më të gjatë në pritje të hipjes në fron dhe nuk dihet nëse do të shkojë ndonjëherë në këtë situatë, duke qenë se mbretëresha është ende në gjendje të mirë shëndetësore.
Uilliam, ndërkohë, në një intervistë të dhënë së fundi, ka thënë: “Ndërsa fluturoj me helikopterin tim mbi vendin tim, përpiqem që të jem i lirë si një zog dhe të mos mendoj për ditën kur do të më duhet të marr në dorë fatet e vendit”.