A qe Britania përgjegjëse për gjenocid?
The Economist
Më 1997, Tony Blair, Kryeministri i Britanisë së Madhe, bëri për herë të parë një lutje për falje për rolin e Britanisë së Madhe në Urinë e Irlandës. Mes viteve 1845 dhe 1855, Irlanda humbi një të tretën e popullatës së vet. Mbi 1 milion njerëz vdiqën nga uria e sëmundjet dhe 2 milionë të tjerë emigruan. Blair tregoi se e vriste ndërgjegjja për faktin se në atë kohë, ata që qeverisnin në Londër, dështuan t’u vinin në ndihmë nënshtetasve të vet. Dy libra të rinj historik të shkruar mbi rolin e Britanisë në urinë e Irlandës rihapin debatin nëse veprimet e këqija të qeverisë mund të konsiderohen një gjenocid.
“Varret po ecin” nga John Kelly, një historian dhe shkrimtar popullor, është një përshkrim i detajuar dhe i ashpër i urisë. Ai paraqet plot gjallëri shoqërinë viktoriane dhe femonenin historik, (atë të prodhuar nga natyra dhe atë të shkaktuar nga njeriu) që u bashkuan për të shkaktuar katastrofën.
Shkatërrimi i një mase të madhe të prodhimit të patates në vitet 1840 solli rrezikun e vdekjes masive nga uria, por qe përgjigjja e qeverisë së Britanisë që e përshkallëzoi tragjedinë. Dora e natyrës, siç përshkruhet në të dy librat, qe përgjegjëse për vetëm një pjesë të problemit.
Të dy autorët përshkruajnë çmendurinë dhe pashpirtësinë e politikës britanike viktoriane ndaj fqinjit të vet pothuajse të harruar, në detaje. Qeveria e Britanisë, e udhëhequr nga Sër Charles Trevelyan, ndihmëssekretari i Thesarit (me nofkën, Kromuelli i Viktorias), shfaqet shumë më i prirur në dëshirën e vet për të modernizuar ekonominë e Irlandës dhe reformimin e popullatës së saj “aborigjene” në natyrë sesa në shpëtimin e jetëve. Irlanda u bë testi i pafat i zellit të ri viktorian për parimet e tregut të lirë, ideve të dorës së padukshme që vetërregullon tregun dhe ideve për ndërtimin e kombeve.
Irlanda vijonte të funksiononte si një ekonomi bazë trambe – ku mallrat shkëmbeheshin me mallra dhe paraja qe shumë e paktë, ku popullata fshatare bazohej te prodhimi i patates, e vetmja bimë që mund të ushqente familjet e tyre të mëdha në kushtet e parcelave të vogla të tokës, por kjo bimë u prek nga sëmundja.
Por në vend që të siguronte ndihmë dhe të përcaktonte objektiva afatgjata për rimëkëmbje, Trevelyan dhe ndihmësit e tij panë një mundësi për të hapur reforma radikale për tregun e lirë. Siç tregon Kelly, Trevelyan dërgoi njerëzit e tij në Irlandë të pajisur me shkrimet e Adam Smithit, si misionarë të dërguar në tokat barbare të pajisur me bibla. Një projekt absurd për të vendosur ekonominë e parasë qe pjesërisht një projekt për punë publike. Fshatarët u punësuan për të ndërtuar rrugë të panevojshme në mënyrë që të fitonin para për të blerë ushqime. Por pagat shpesh nuk qenë të mjaftueshme për të mbuluar çmimet e larta të ushqimeve të shkaktuara nga masat e Trevelyan që synonte në këtë mënyrë të tërhiqte importe ushqimesh në Irlandë, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara.
Besimi se uria qe një vepër e Zotit qe ajo që udhëhoqi shumicën e politikës së Britanisë. Ata e panë dështimin e të mbjellave “si një vizitë nga qielli, një shprehje e pakënaqësisë hyjnore” me Irlandën dhe me popullatën e saj fshatare më së shumti katolike.
Brenda pak viteve, emigrantët nga Irlanda përmbytën qytetet porte të Liverpulit në Angli, Montrealit dhe Kebekut në Kanada dhe Nju Jorkut. Emigranti konsiderohej një objekt tmerri dhe neverie, shkruan Kelly: “Kalimtarët kthenin drejtim ose kalonin te trotuari tjetër përballë tyre; dyqanxhinjtë mbyllnin derën ose rrëmbenin një fshesë; të rinjtë në rrugë talleshin me këmbët e tij pa këpucë, rrobat e pista apo anglishten me theks galik”.
Përgjatë të gjithë librit, Kelly u kushton rëndësi efekteve tragjike të çmendurisë njerëzore, neglizhencës dhe ideologjisë viktoriane që shkaktoi urinë dhe pasojat e saj. Ai hedh poshtë akuzat se këto veprime duhet të klasifikohen si gjenocid. Tim Pat Coogan, nga ana tjetër, merr një këndvështrim më radikal. Titulli i librit të tij është “Komploti i Urisë”.
Coogan, një historian dhe gazetar irlandez, është, për shumë njerëz, zëri jozyrtar i historisë moderne të Irlandës. Në hyrjen e historisë së tij polemike mbi katastrofën, ai e cilëson urinë si një gjenocid dhe kritikon historianë të tjerë irlandezë si revizionistë që po e zbehin historinë e krizës së bukës. Libri i tij i mëparshëm mbi IRA dhe reputacionin e Presidentit të Irlandës së viteve 1960, Eamon de Valera, ka shkaktuar debate, por këndvështrimet e tij mbi urinë e Irlandës janë më gjerësisht të pranueshme. Njësoj si Kelly, Coogan akuzon ekonomiksin e tregut të lirë që britanikët u përpoqën dhe dështuan ta aplikonin në problemet e Irlandës, por beson gjithashtu se veprimet e tyre neglizhente qenë të qëllimshme. Ai përshkruan gjithashtu në detaje të dhimbshme, vështirësitë dhe poshtërimin e vuajtur nga popullata fshatare, e cila u stigmatizua nga për shkak të paragjykimeve antikatolike dhe nga besimi se varfëria qe e vetëshkaktuar nga vetë natyra e irlandezëve.
Argumenti i tij më bindës për neglizhencën britanike gjendet në kapitullin e fundit, ku ai rikujton imazhe ksenofobie dhe fjalët e përdorura shpesh në karikaturat e bëra për Irlandën ne Anglinë e epokës viktoriane. Trevelyan dhe arkitektë të tjerë të përgjigjes ndaj urisë kishin një rol direkt në mbushjen e gazetave me një “temë shpesh të përsëritur se uria qe rezultat i defekteve në karakterin e irlandezëve”. Dhe Punch (gushti), një revistë satirike e karakterizonte shpesh irlandezin si një majmun me kostum që po komplotonte një vrasje, që po përpiqej t’i bënte me hile njeriut punëtor anglez dhe që në përgjithësi jetonte përmes batakçillëkut.
Rezultati i kësaj propagande poshtëruese qe krijimi i politikave të palogjikshme, të cilat prezantoheshin jo vetëm si të logjikshme, por edhe si të drejta.
Pyetja mbetet nëse ideologjia e keqe e një epoke paraardhëse mund të shpallet fajtore për një të keqe më të madhe. Libri i Kelly tregon prova, por nuk e cilëson atë si gjenocid. Opinioni i Coogan se uria qe një gjenocid është i qartë. Por të dy librat përmbajnë argumente bindëse se pse ne duhet të rishqyrtojmë të kuptuarit që kemi sot për ngjarjen tragjike të një shekulli e gjysmë më parë.