Estrogjeni është hormon kyç për funksionimin e shëndetshëm të organizmit, veçanërisht tek gratë, por edhe tek burrat. Kur estrogjeni është në nivele normale, ai kontribuon ndjeshëm në mirëqenien e gruas, por çdo çrregullim në ekuilibrin e tij mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore. Niveli i lartë i estrogjenit, i njohur si “dominancë estrogjenike”, po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm kryesisht për shkak të stilit modern të jetesës, ushqyerjes dhe ekspozimit ndaj toksinave.

Estrogjeni përfshin tre forma kryesore; estronin, estradiolin dhe estriolin dhe ka rol të pazëvendësueshëm në rregullimin e ciklit menstrual, ruajtjen e densitetit të kockave, mbështetjen e shëndetit riprodhues dhe ndikimin në gjendjen shpirtërore. Përveç kësaj, ai ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e zemrës, metabolizmin dhe funksionimin e organeve riprodhuese.

Megjithatë, “estrogjeni i lartë” nuk është diagnozë më vete, zakonisht lidhet me gjendje si sindroma e vezoreve policistike (PCOS) apo me faktorë të stilit të jetesës, përfshirë stresin. Prandaj, është thelbësore që çdo grua të konsultohet me mjekun për çdo simptomë të dyshimtë, për të siguruar diagnozë dhe terapi të përshtatshme. Një nga shenjat e para të nivelit të lartë të estrogjenit janë ndryshimet në ciklin menstrual. Nëse keni gjakderdhje të tepërta, cikle të parregullta apo ngërçe të forta, kjo mund të tregojë çekuilibër hormonal. Sindroma PCOS shkaktohet nga çekuilibri i hormoneve riprodhuese, që shpesh çon në rritje të estrogjenit.

Sipas studimeve të botuara në revistën Cells, si estrogjeni ashtu edhe receptorët e tij janë shpesh më të lartë tek gratë me PCOS. Gjatë shtatzënisë, nivelet e larta të estrogjenit mund të shkaktojnë përzierje, veçanërisht në tremujorin e parë. Kjo është një përgjigje natyrale e trupit ndaj ndryshimeve hormonale, por nëse simptomat janë të forta dhe të zgjatura, këshillohet vizita tek mjeku. Estrogjeni ndikon drejtpërdrejt në trurin tonë, sidomos në nivelin e serotoninës, hormonit të lumturisë. Teprica e tij mund të shkaktojë ndryshime humori, ankth të shtuar ose depresion.

Niveli i lartë i estrogjenit nxit ruajtjen e yndyrës, veçanërisht në pjesën e poshtme të trupit. Nëse vini re shtim në peshë pavarësisht ushqyerjes së njëjtë, mund të jetë sinjal hormonal. Teprica e estrogjenit shpesh shoqërohet me puçrra në pjesën e poshtme të fytyrës, nofull dhe qafë, si dhe me hiperpigmentime si melazma ose njolla të errëta. Estrogjeni ndikon në ekuilibrin e ujit dhe kripës në trup. Prandaj, ndjenja e vazhdueshme e fryrjes dhe ënjtja mund të jenë shenja të qarta të nivelit të lartë hormonal.

Çrregullimet hormonale ndikojnë ndjeshëm në dëshirën seksuale. Teprica e estrogjenit mund të shkaktojë libido të ulët dhe thatësi vagjinale. Edhe pse shpesh lidhet me mungesën e estrogjenit, edhe teprica e tij mund të shkaktojë rënie të flokëve. Kjo ndodh për shkak të ndërprerjes së ciklit normal të rritjes së flokut. Estrogjeni i lartë mund të ndikojë në cilësinë e gjumit, duke shkaktuar pagjumësi, lodhje dhe ndjenjë shqetësimi, edhe pas pushimit të mjaftueshëm. Simptomat më të zakonshme të estrogjenit të lartë janë cikle menstruale të çrregullta, fryrje, ndjeshmëri në gjoks, ndryshime humori, shtim në peshë (veçanërisht në ije dhe kofshë), dhimbje koke, lodhje kronike, ulje e dëshirës seksuale, rënie e flokëve, vështirësi në përqendrim.