Ato që mbajnë syze ose lente, duhet t’i kushtojnë kujdes të veçantë grimit dhe zonës përreth syve, sepse irritimet dhe alergjitë janë më të shpeshta. Ndiqni këshillat për të pasur një shikim magjepsës, pa harruar edhe shëndetin e syve


Vajzat e me syzeSyzet janë parë gjithmonë si sinonim i tërheqjes së pakët. Por me rikthimin e modeleve të vjetra të syzeve, vajzat janë shndërruar në ikona stili. Madhësitë, format dhe ngjyrat janë nga më të ndryshmet. Por pavarësisht njëmijë alternativave të mundshme, ka vajza që pëlqejnë të përdorin lentet. Në të dyja rastet, duhet bërë kujdes me mënyrën e lyerjes dhe produktet e zgjedhura, sepse zona e syve është jashtëzakonisht e ndjeshme dhe më e prirur ndaj alergjive dhe irritimeve. Ja disa këshilla për të aplikuar mbi fytyrë një grim natyral dhe për t’u dukur më tërheqëse.


Grimi me syze


1) Fillohet me pluhurat e syve, duke i zgjedhur në bazë të ngjyrës së lëkurës dhe syve. Fatmirësisht sot ekzistojnë shumë adresa në internet ku mund të provoni virtualisht nuanca dhe të vendosni atë që ju shkon më shumë.


2) Është e këshillueshme që të përdorni syze me xhama antireflektues për të shmangur mbledhjen e depozitave kozmetike. 3) Shmangni kremrat ose fondatinën tepër vajore që mund të njollosin xhamat.


4) Mos e teproni me grimin në sy.


5) Këshillohen ngjyra të errëta si kafja, bluja dhe lejlaja që e bëjnë shikimin më të thellë dhe mbi të gjitha e theksojnë atë.


6) Gratë miope, xhamat e syzeve ua zvogëlojnë sytë. Për t’i zmadhuar më shumë janë të këshillueshme nuancat e errëta dhe lapsa të hapur, ndërsa rimeli i zi duhet vënë me bollëk.


7) Gratë hipermetrope kanë problemin e kundërt: xhamat ua zmadhojnë sytë. Nuancat e hapura janë të përshtatshme në këtë rast, por ndalohet lapsi i zi dhe rimeli që duhet vendosur sa më lehtë. Në këtë mënyrë, sytë nuk ngjajnë të mëdhenj.


8) Për ato që kanë pak dioptri, ekzistojnë syze me skelete të veçanta të përshtatshme për grim, sepse e kanë pjesën e përparme të lëvizshme: mund të ngresh dhe të ulësh ose njërën lente, ose tjetrën.


Grimi me lente


1) Hapi i parë pasi të keni vënë lentet është vendosja në fytyrë e fondatinës dhe jo anasjelltas.


2) Nëse mbani lente, duhet të përdorni produkte kundër ujit dhe me kohëzgjatje maksimale, sepse sytë me lente nuk i tolerojnë aspak papastërtitë e grimit.


3) Për të larguar grimin nga fytyra, duhet të shmangni produktet që përmbajnë substanca alkoolike.


4) Bëni kujdes që lentet t’i prekni vetëm me duar të pastra dhe duke u siguruar që nuk kanë papastërti të grimit.


5) Kur përdorni lente, është shumë e rëndësishme që herë pas here të ndryshoni lapsnin e syve, rimelin dhe fondatinën: te produktet e përdorura për 3-4 muaj ekziston rreziku që të gjenden baktere, gjë që më tej mund të shkaktojë edhe irritimin e syve.


6) Duhet të përdorni produkte kozmetike cilësore, duke i blerë ato në dyqane të shtrenjta kozmetike ose farmaci, më mirë akoma nëse janë antialergjikë, sepse janë të përshtatshëm për sy të ndjeshëm. Në fakt, produktet kozmetike mund ta kenë afatin e përdorimit 1-6 muaj.


7) Mos i aplikoni asnjëherë produktet kozmetike shumë afër syrit. Shmangni ato vajore dhe ato që përmbajnë lanolinë, duke qenë se është një nga substancat më alergjike.


8) Rimeli është i pirur të thërrmohet pas disa orëve që e keni vënë në sy, kështu që këshillohet ta përdorni lehtë.


9) Edhe peneli duhet ndërruar çdo 3-4 muaj dhe nuk duhet aplikuar mbi të gjithë bordurin e qepallës së syrit, sepse mund të krijojë irritim.


10) Pluhurat me ngjyra ylberi, ose të shndritshëm mund t’i irritojnë lehtësisht sytë e ndjeshëm. Kështu është më mirë që të zgjidhen ngjyra më bazike dhe të përqendroheni te nuancat e lehta, por homogjene.