Gruaja më e dobët në botë


“Çdo ditë marr letra nga 20-vjeçaret që kërkojnë të duken si unë, por nuk dua t’i mësoj si të vdesin…”


Figura e saj e kequshqyer dhe prej një kunji dhëmbësh duhet të shërbejë si shembull për vajzat që kanë probleme me të ngrënin. Por pavarësisht pamjes së frikshme, ajo pohon se vazhdon të marrë email-e nga adhurueset e dëshpëruara, të cilat duan të kopjojnë pamjen e saj skeletike. “Mund t’u duket e pabesueshme, por çdo ditë marr letra nga shumë vajza, të cilat më kërkojnë t’u mësoj që të bëhen si unë. Të gjitha letrat që kam marrë janë nga femrat, kryesisht 20-vjeçaret që më shohin mua si një lloj frymëzimi. Kjo është arsyeja pse unë dua të bëj edhe një fushatë kundër anoreksisë. Nuk dua t’u mësoj atyre sesi të vdesin. Ato duhet ta kuptojnë se jeta nuk është as lojë dhe as shaka”, thotë 39-vjeçarja.


Valeria është me origjinë nga Rusia, por tani jeton në Monako. Ajo filloi të kishte probleme me ushqimin që në adoleshencë. Kjo është hera e parë që Valeria flet për sëmundjen që i shkatërroi jetën dhe se pret me padurim të shërohet, me qëllimin që në fund të ketë edhe një familje. “Me historinë time dua të ndihmoj viktimat që kanë të njëjtin fat si unë dhe familjet e tyre. Dua që të rinjtë të jetojnë të gëzuar, të jenë të shëndetshëm mendërisht dhe fizikisht. Anoreksia më bëri të vetmuar, jo tërheqëse dhe të papranueshme për njerëzit që më rrethojnë”, shton ajo.


Sëmundja i ka lënë një sërë pasojash, por më shumë i ka dëmtuar kujtesën. Shpeshherë Valeria harron se çfarë shije ka buka, ose ushqimet e tjera. Sipas “National Health Service” (Shërbimi Kombëtar i Shëndetit), pesha e saj normale duhet të jetë 62 kg, por nuk është as sa gjysma e kësaj. Valeria peshon 25,4 kg.


Përgjegjësia


Dieta e saj ditore nuk përfshin një frut, një copë mishi të vogël dhe zarzavate. Shumë ushqime nuk duhet t’i konsumojë, sepse nuk pranohen nga trupin i saj. Për dhjetë vjet Valeria nuk ka pasur asnjë lidhje sentimentale, sepse sëmundja e tjetërsoi. “Është shumë e vështirë të kesh një lidhje dashurie kur nuk mund të ndash me partnerin gjërat normale që bëjnë njerëzit, si për shembull të darkosh në restorant, apo të shijosh jetën. Një djalë refuzon të qëndrojë përkrah një vajze që është e sëmurë ose ka probleme. Djemtë duan të jetojnë të lumtur dhe jo të shqetësohen për problemet e partnereve”, thotë Valeria.


Ajo mendon se kritikat e së ëmës e nxitën të shndërrohej në këtë që është tani. “Ime më kishte frikë se mos bëhesha obeze si të afërmit e mi, prandaj filloi të më kufizonte ushqimin që në moshë të vogël. Më nxiste të peshohesha rregullisht, në mënyrë që të mos shtoja asnjë gramë. Unë isha vajzë e vetme dhe si e tillë kërkonte përsosmëri”, shton Valeria.


Në moshën 16-vjeçare, kur peshonte 63,5 kg, Valeria u transferua në Çikago bashkë me të ëmën dhe njerkun. Kjo shpërngulje solli me vete edhe presionin për të qenë akoma më e dobët. “Mjedisi ishte shumë ndryshe. Doja që të pëlqehesha nga të gjithë dhe mendoja se duke rënë nga pesha do të pranohesha në shoqëri. Fillova të eliminoja disa ushqime nga dieta ime e përditshme: nuk duhej të haja ëmbëlsira dhe karbohidrate. Kështu, dalëngadalë si pa e kuptuar, hyra në një rreth vicioz, ku që të ndihesha mirë me veten duhej të dobësohesha. Tani edhe po të dua e kam të pamundur të rikthej peshën time të mëparshme, sepse trupi nuk më pranon shumë ushqime”.


Kur një shok klase bëri një koment mizor për Valerian, ajo u bë edhe më e vendosur që të dobësohej. “Ne po luanim futboll dhe gjatë lojës një djalë tha: ‘Unë e di sesi mund të fitojmë. Duhet ta vëmë Valerian në portë, sepse është e shëndoshë dhe na pret topat’. Kur dëgjova këto fjalë më lëvizi toka nën këmbë. E gjithë bota më ra sipër”, tregon ajo. Në atë kohë ajo ishte 23 vjeçe dhe si me magji masa e fustaneve nga 12 shkoi në 6. Përpjekjet për t’u marrë me modën e rënduan edhe më shumë gjendjen, sepse personat që përzgjidhnin modelet i thoshin se ishte shumë e shëndoshë. “Fakti që isha edhe e huaj ndikoi negativisht tek unë”, shton ajo.


Pasioni i Valerias ishte baleti dhe ajo ëndërronte të bëhej një kërcimtare, por nuk mundi, sepse në moshën 24-vjeçare peshonte 38,1 kg, gjë që nuk përputhej me rregullat e shkollës. Për dhjetë vitet e ardhshme Valeria do të takonte më shumë se 30 specialistë shëndeti, të cilëve u kërkonte ndihmë sesi të dilte nga ky tunel. “Kjo sëmundje nuk mund të kurohet nga doktorët. Problemi është më i thellë nga ç’mund të duket me sy të lirë, por mund ta përkufizoj si një prishje e harmonisë mes trupit dhe shpirtit. Kura më e mirë që gjeta ishte kur i thashë vetes: ‘Unë do të shërohem’. E përsërisja çdo ditë dhe pak nga pak fillova të ndihesha më mirë. Kur ndihesh mirë edhe trupi fillon t’i rikthehet normalitetit. Kur ti je e shëndetshme, trupi kërkon ushqim dhe jo e kundërta. Nuk mund ta sforcosh veten që të hash, sepse do të bëhesh më mirë, nuk është kështu, kjo mënyrë nuk funksionon. E di që jam akoma e dobët. Duhet të bëj shumë kujdes kur eci dhe çfarë bëj”, tregon Valeria.


Fëmija


Tani ajo beson se zgjidhjen do ta gjejë kur të rikthehet në Moskë. Ka shumë pak gjasa që ta rimarrë veten, megjithatë vazhdon të shpresojë. Ëndrra e saj është të sjellë në jetë një fëmijë. Mendon se do ta ketë kur të jetë sërish e shëndetshme. “Besoj se rikthimi në Moskë do të më ndihmojë të jem më mirë dhe të ndihem më e qetë me veten. Ëndërroj të kem një familje, sepse ndiej që kam shumë për të dhënë. Megjithatë nuk dua të sjell në jetë një fëmijë pa u shëruar plotësisht. Nuk do të ishte e drejtë. Dua t’i jap fund njëherë e përgjithmonë anoreksisë. Unë duhet ta fitoj këtë betejë, që të mos mendoj më pas se jeta ime nuk ia vlen”, përfundon Valeria.