Një studim i bërë së fundmi ka zbuluar vendet më të rrezikshme në botë për të bërë “selfie”. Në këtë mënyrë, u kujton udhëtarëve se siguria duhet të vijë gjithmonë para fotos perfektë.
Studimi në fjalë u realizua nga “The Barber Law Firm”, një firmë ligjore për dëmtime trupore me qendër në Teksas. Studimi zbuloi se India mban vendin e parë si destinacioni më i rrezikshëm për selfie, me 42,1% të të gjitha incidenteve të raportuara mes marsit 2014 dhe majit 2025.
Në total, aty janë regjistruar 271 raste të lidhura me “selfie”, prej të cilave 214 kanë përfunduar me humbje jete dhe 57 me lëndime.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës renditet e dyta me 45 raste dhe Rusia e treta me 19 incidente. Në vijim renditen Pakistani (16) dhe Australia (15), ndërsa Indonezia, Kenia, Mbretëria e Bashkuar, Spanja dhe Brazili ndajnë të njëjtën shifër prej 13–14 rastesh secili.
Renditja e plotë është si më poshtë:
India – 271 incidente (214 vdekje, 57 lëndime)
SHBA – 45 incidente (37 vdekje, 8 lëndime)
Rusia – 19 incidente (18 vdekje, 1 lëndim)
Pakistani – 16 incidente
Australia – 15 incidente
Indonezia – 14 incidente
Kenia – 13 incidente
Mbretëria e Bashkuar – 13 incidente
Spanja – 13 incidente
Brazili – 13 incidente
Shkaqet më të zakonshme:
Për të mbledhur të dhënat, firma ligjore analizoi tituj të raportuar nga “Google News” midis marsit 2014 dhe majit 2025, që lidhnin drejtpërdrejt përpjekjen për të bërë një selfie me pasoja fatale ose me dëmtime. Rezultatet treguan se 46% e vdekjeve apo dëmtimeve nga “selfie” kanë ardhur si pasojë e rënieve nga vende të larta, shpesh shkëmbinj, ura apo ndërtesa.
“Studimi nxjerr në pah një prirje shqetësuese, ku kërkimi për vizibilitet në rrjetet sociale po u kushton njerëzve jetën. Thjesht nuk ia vlen të rrezikoni kaq shumë për foton perfektë”, u shpreh Kris Barber, themelues dhe avokat kryesor i “The Barber Law Firm”.
Ai shtoi se shumica e këtyre tragjedive mund të ishin shmangur me kujdes minimal:
“Mjafton një hap pas ose gjetja e një këndi më të sigurt për të shmangur rrezikun. Ka gjithmonë alternativa më të sigurta për të kapur momente të bukura pa vënë jetën në rrezik. Asnjë numër pëlqimesh apo shpërndarjesh nuk mund të justifikojë humbjen e jetës”.