Rreth 11 vjet më parë, lajmet për një burrë që përpiqej të linte duhanin u përhapën në televizion dhe media të tjera kur ai vendosi një kafaz rreth fytyrës. Burri turk i quajtur Ibrahim Yucel e mbylli kokën e tij në një top metalik në formë helmete për ta lënë cigaren. Në vitin 2013, gazetat raportuan se Ibrahim Yucel ka pirë duhan për 26 vitet e fundit dhe megjithë përpjekjet e shumta për ta lënë, ai nuk mundi të hiqte dorë nga zakoni i tij i pirjes së dy pakove në ditë. Çdo vit, në ditëlindjet e tre fëmijëve dhe në përvjetorin e martesës, ai linte cigaren, por nuk kalonte më shumë se disa ditë pa to.

Edhe pse imazhet dhe videot e tij me kokën e mbyllur në kafaz dhe gruan e tij që e mbante çelësin e kafazit u bënë virale, nuk ka ende asnjë provë konkrete të disponueshme se ai ishte në gjendje të linte duhanin apo jo. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, çdo vit, më shumë se 8 milionë njerëz vdesin nga përdorimi i duhanit. Sipas hulumtimeve të reja, çdo cigare që pini, mund t’ju marrë mesatarisht 20 minuta nga jeta juaj, sipas “New York Post”.

Studimi, i kryer në “University College London”, përcaktoi se gratë humbasin 22 minuta dhe burrat 17 minuta për çdo cigare që pinë. Por, lënia e duhanit në çdo moshë mund të bëjë një ndryshim në jetëgjatësinë tuaj dhe heqja dorë nga zakoni i pirjes së 10 cigareve në ditë, do të thotë që vetëm për një javë, ju mund të parandaloni humbjen e një dite të tërë të jetës suaj. Hulumtimi, i autorizuar nga Departamenti i Shëndetësisë dhe Kujdesit Social të Britanië së Madhe, ofron një pamje më të mprehtë për duhanpirësit se më parë.