Mbajtja e një higjiene të mirë është shumë e rëndësishme për shëndetin e veshëve, por pastrimi duhet të bëhet në mënyrën e duhur, përndryshe rrezikoni ta dëmtoni veshin


Veshi është një organ i çmuar dhe shumë delikat, që na lejon të dëgjojmë tingujt, zhurmat dhe që “qeveris” sensin tonë të ekuilibrit. Për këtë arsye, kërkon një kontroll të vazhdueshëm dhe pastrim korrekt, në mënyrë që të shmangen shqetësimet e mundshme që lidhen me një grumbullim të tepruar të dyllit.


Çfarë është dylli i veshit dhe për çfarë shërben?


Veshi ka një sistem vetëpastrimi: gjëndrat e pranishme në kanalin e jashtëm të dëgjimit prodhojnë një substancë të trashë që e mbron nga grimcat e huaja dhe mban konstante karakteristikat e membranës së daulles së veshit. Kështu dylli luan një veprim mbrojtës, antibakterial, antimykotik dhe zbutës për kanalin e veshit, duke ruajtur në të njëjtën kohë edhe ekuilibrin delikat fiziologjik. Duke dalë spontanisht jashtë, kjo substancë eliminon papastërtitë që futen çdo ditë në vesh, duke e mbajtur atë të pastër dhe duke e mbrojtur nga agjentët e jashtëm.


Përse dylli mund të kthehet në një problem


Ndonjëherë kur sistemi i vetëpastrimit të veshit nuk funksionon mirë, dylli mund të grumbullohet me tepricë.


Në këto raste, krijohet e ashtuquajtura “tapë”, që nëse nuk hiqet, mund të bllokojë kanalin e veshit dhe të shkaktojë shumë shqetësime dhe bezdisje, si për shembull ndjesinë e humbjes së dëgjimit, kumbim, gumëzhimë, dhimbje dhe marramendje.


Kush preket më shumë nga këto shqetësime


Disa kategori njerëzish janë më të ndjeshme ndaj këtyre problemeve. Të parët janë fëmijët, që mund të kenë gjëndra dylli veçanërisht aktive. Edhe të moshuarit bëjnë pjesë në kategorinë e njerëzve që kanë probleme me veshin. Ata kanë gjëndra që prodhojnë dyllë më të thatë, i cili rrëshqet me vështirësi drejt daljes dhe si pasojë, grumbullohet në kanalin e dëgjimit. Gjithashtu personat që mbajnë aparate dëgjimi dhe kufje e kanë të vështirë ta mbajnë pastër veshin. Probleme kanë edhe ata që praktikojnë sportet ujore, sepse uji mund ta trashë dyllin; po ashtu edhe personat që udhëtojnë me avion ose ngjiten në mal sepse ndryshimi i presionit mund të shkaktojë bezdi në prani të tapës së dyllit.


Higjiena e përditshme e veshit


Për të ruajtur mirëqenien e veshit është mirë që të njihni dhe të përdorni mjetet e duhura. Me kunjat e zakonshme dhe tradicionale të veshit jo vetëm që e shtyni më thellë dyllin, por mund ta dëmtoni edhe kanalin e veshit. Specialistët këshillojnë të përdoren metodat e duhura. Në qoftë se nuk mund t’i pastroni vetë, drejtojuni mjekut specialist.


Një pastrim korrekt ndihmon edhe në parandalimin e çrregullimeve të tjera të veshit, si otiti. Otiti është një inflamacion me natyrë kryesisht infektive, por ka edhe forma të tjera:


– të brendshëm, që përfshin veshin e brendshëm


– të mesëm, që prek veshin e mesëm


– të jashtëm, që përfshin kanalin e jashtëm, me përfshirje të mundshme të membranës timpatike.


Meningjiti është inflamacioni fundor i membranës timpatike.


Otiti mund të përkeqësohet duke u kthyer në labirintit, një inflamacion i labirintit mund të ndryshojë sensin e ekuilibrit dhe dëgjimin. Shkakton marrje mendsh dhe konfuzion. Duke qenë se otiti varet nga një infeksion bakterial ose viral, duhet kuruar me antibiotikë dhe antiviralë, që veprojnë menjëherë kundër patogjenit përgjegjës. Për kontrollin e dhimbjes, mund të përdoren produkte me efekt analgjezik.