Stilistja Vivienne Westwood tha: “Nuk arrij t’i kuptoj austriakët. Nëse çdo grua vishet në këtë mënyrë, atëherë nuk do të ketë më asnjë të shëmtuar në rrugë”. Kjo batutë duket se ngjiti shumë dhe pas kësaj të rinjtë dhe të rejat filluan të veshin në masë kostume tradicionale si pjesë e rigjallërimit të së shkuarës shumëngjyrëshe
Në Austri dhe Gjermani, kostumet tradicionale të njohura si Tract janë parë gjithmonë si një veshje për ultrakonservatorët. Por këto veshje të vjetra të quajtura lederhosen për burrat dhe dirndl për gratë, janë bërë sërish shumë tërheqëse.
Në majë të një kodre pranë Salzburgut, një fermer me veshje të tillë po kërcente në festivalin e fshatit.
Ai mbante veshur pantallona të shkurtra me rripa krahësh dhe këpucë me lëkurë të regjur. Aty pranë, një grup vajzash po bënin thashetheme me njëra-tjetrën dhe po qeshnin. Që të gjitha kishin veshur fustanet shumëngjyrëshe tradicionale: jelekë me ngjyrë të errët mbi këmishat e bardha me kraharor të zbuluar, si dhe fustane të gjatë me zbukurime shumëngjyrëshe.
“Është shumë e zakonshme të veshësh Tract këtu”, thotë një banor i fshatit. “Ndoshta jo çdo ditë, por kjo është pjesë e identitetit tonë”.
Kjo gjë nuk po ndodh vetëm në zonat rurale. Edhe në qytetet e mëdha si Vjena, mund të përballesh me njerëz që po shkojnë në punë të veshur me xhaketat tradicionale, të cilave u është shtuar një kollare e shkurtër e gjelbër.
Në Austrinë e pasluftës, shpesh kjo gjë është parë si një deklaratë politike. “Për shumë vite, veshja e tractit shoqërohej me ideologjinë konservatore apo të ekstremit të djathtë”, thotë një vjenez.
“Gjatë sundimit nazist, hebrenjtë ndaloheshin të mbanin veshje të tilla dhe më vonë, ato konsideroheshin si simbol i njerëzve që nuk qenë të gatshëm të hapeshin ndaj botës. Por kjo gjë po ndryshon. Në fakt, këto ditë, veshje të tilla po bëhen modë”.
Shitësit e veshjeve tradicionale po realizojnë për rrjedhojë, fitime të bollshme. Veshjet po shiten si në dyqane të specializuara, ashtu edhe nëpër supermarketet masive.
Së fundmi, në një festë, Clemens, i cili është 30 vjeç dhe punon në një kompani telekomunikacioni, tha se ai pëlqen të përziejë veshjet moderne me ato tradicionale.
“Zakonisht, për ditë të premte, në zyrat tona janë të shumë njerëzit që veshin lederhosen”, thotë ai. “Mua më pëlqen t’i vesh mbi një bluzë sportive. Është e rehatshme dhe nuk besoj se mbart sot ndonjë mesazh politik si në të shkuarën”.
Megjithatë, janë të shumtë ata që vijojnë ta refuzojnë. Një prej tyre thotë se nuk do të vishet në atë mënyrë edhe sikur të jetë i vdekur. “Kjo është çfarë veshin politikanët e ekstremit të djathë, unë nuk do ta vesh kurrë!”, thotë ai. Pastaj shton duke psherëtirë: “Ndoshta e vesh në ndonjë rast dasme”.
Dhe janë pikërisht dasmat ato që e kanë mbajtur të gjallë veshjen historike. Në një dyqan të specializuar për veshje të tilla në qendër të Vjenës, gjenden albume të mbushura me foto personale të nuseve të mrekullueshme, me këmishë të bardhë e me jelek të kuq.
Shitësja beson se ndryshimi i sjelljes së austriakëve ndaj veshjeve tradicionale u detyrohet shumë komenteve të bëra nga një stiliste britanike, e cila e vizitoi Austrinë në vitin 2001.
Stilistja, Vivienne Westwood tha: “Nuk arrij t’i kuptoj austriakët. Nëse çdo grua vishet në këtë mënyrë, atëherë nuk do të ketë më asnjë të shëmtuar në rrugë”. Kjo batutë duket se ngjiti shumë dhe pas kësaj, të rinjtë dhe të rejat filluan të veshin në masë kostume tradicionale si pjesë e rigjallërimit të së shkuarës shumëngjyrëshe.
“Po të huajt a mund të veshin një dirndl? Apo duhet të jesh patjetër nga Austria?”
Përgjigjja është po. Kjo interpretohet si një respekt kundrejt Austrisë dhe jo si një vjedhje identiteti.
Por shumë të huaj që jetojnë në Vjenë duket se nuk janë ngacmuar kurrë nga ideja e veshjes në këtë mënyrë.
Lederhosen – Pantallona të shkurtra lëkure, të prodhuara përgjithësisht me lëkurën e viçit apo kaprollit. Besohet se është përdorur në kontinentin europian që nga shekulli i 15 dhe veçanërisht është veshur nga gjahtarët.
Tract – Veshje e përdorur përgjithësisht nga të pasurit e fshatit në Bavari e Austri. Ajo nënkupton veshje të karakterit sportiv, e përshtatshme për vjeshtën e vonë dhe siguron ngrohtësinë e duhur për të qëndruar në ambient të hapur
Dirndl – Veshja shumëngjyrëshe e vajzave dhe grave përbëhet nga një këmishë e bardhë me kraharor të hapur me jelek me ngjyra të ndryshme, që vijon në formë fustani deri poshtë gjurit. Një përparëse i shtohet, duke i dhënë pamjen e amvisës