Çdo vit, në fund të vjeshtës, mijëra njerëz dynden në Bangye–ri, një fshat në Korenë e Jugut, për të dëshmuar bukurinë e një peme madhështore 860-vjeçare Ginkgo biloba. Pema e Ginkgo biloba është një monument kombëtar i Koresë së Jugut i famshëm për kurorën mbresëlënëse e cila aktualisht mbulon një perimetër prej rreth 17 metrash. Me një lartësi prej rreth 32 metrash, nuk është as pema më e lartë e Ginkgo biloba në vendin aziatik, por mënyra se si janë përhapur degët e saj e bën atë një nga pemët më mbresëlënëse vizualisht në Tokë. Në Korenë e Jugut, Pema e Ginkgo biloba shpesh quhet pema më e bukur në botë.

Kur gjethet e saj të mëdha dhe me ngjyrë të artë bien duke formuar një qilim të ndritshëm në tokë, skena shndërrohet në një spektakël natyror që magjeps çdo vizitor. Pamja e saj është bërë ikonike. Është interesante se pema më e bukur e Koresë së Jugut arriti kulmin e popullaritetit të saj gjatë pandemisë Covid-19, si pjesë e asaj që disa ekspertë e quajtën “trendi i udhëtimit të epokës Covid”. Familjet filluan të udhëtonin duke vizituar më shumë atraksione në natyrë me makinat e tyre për të minimizuar kontaktin me personat e huaj.

“Ky fshat dikur ishte i qetë para pandemisë Covid-19, por vizitorët u trefishuan vitin e kaluar dhe më pas u katërfishuan këtë vit”, tha Chae Beom-sik, kreu i fshatit Bangye-ri, në vitin 2021.

“Mesatarisht 4,000 njerëz e vizitojnë atë në ditë, qoftë gjatë javës apo në fundjavë. Nuk ka restorante përreth dhe dyqani më i afërt është 1.5 kilometra larg, por njerëzit vërshojnë vetëm për bukurinë e kësaj peme.”

Pandemia Covid-19 mund të jetë shumë pas nesh tani, por popullariteti i Pemës Ginkgo biloba mbetet i lartë. Këto ditë, ndërsa pema lëshon gjethet e saj të verdha, duke krijuar një qilim natyror dhjetëra metra përreth saj, mijëra njerëz dynden në Bangye-ri për të dëshmuar magjinë nga afër. Pemët e Ginkgo biloba-s janë atraksione turistike shumë të njohura edhe jashtë Koresë së Jugut.