Të ndjerit vazhdimisht fatkeq dhe i padrejtë është një alibi. Kjo është një sjellje që ndryshon personalitetin dhe dëmton shëndetin, por ka mënyra sesi mund të çliroheni prej saj
Ndonjëherë jeta të godet rëndë. Secilit prej nesh i ka ndodhur të paktën një herë në jetë, dhe jo vetëm në fëmijëri, të ndihet viktimë, të sillet në mënyrë agresive, të pushtohet nga negativiteti, të jetë manipuluese dhe të ketë ndier thellë padrejtësinë dhe shtypjen. Diçka ose dikush na ka bërë të themi me vete: “Pse pikërisht unë?”. Kjo është një përvojë kaq e përhapur dhe e rrënjosur thellë te njeriu, saqë në vitet ‘70 iu kushtua edhe një film vizatimor, i titulluar “Kalimero”. Filmi fliste për një zog të vogël të zi me një kapele në kokë që në fund të çdo aventure ai mbetej vetëm, i hidhëruar, i pavlerësuar, ishte objektiv i fatkeqësive dhe padrejtësive. Por gjërat që i ndodhnin dukej sikur lidheshin me faktin se si ai e konsideron veten: që është i vogël (i pafuqishëm dhe nevojtar) dhe i zi (i pafat dhe i patalentuar).
Ndjenjat e fajit
Sindroma e Kalimeros është sinonim i viktimizmit, ose i asaj sjelljeje për të cilën personi ndihet viktimë e fatit dhe e kundërshtarëve. Kjo mund të shpjegohet për shembull me shprehjet: “Të gjitha gjërat mua më ndodhin”; “Gjithmonë unë jam pa fat”; “E dija që në fund do të më fajësonin mua”; “I paguaj të gjitha unë për të tjerët”; këto janë shprehjet tipike të personit që hiqet si viktimë. Ndonjëherë mjafton një kritikë te një pikë e dobët, një debat me zë të lartë, një batutë ironike që godet në shenjë, disa kundërshtime, ose edhe një keqkuptim: menjëherë personi në fjalë ndihet i lënduar, i tradhtuar, i padëshiruar, por edhe fajtor, përgjegjës, i pafat. Dhe nëse kundërpërgjigjja do të jetë: “Të lutem mos u hiq si viktimë”, ai do ta bëjë akoma më shumë. I përhapur më tepër se ç’mendohet, fenomeni i viktimizimit tregon një mënyrë papjekurie të të jetuarit të marrëdhënieve dhe përballimin e realitetit. Viktimizimi nxitet më shumë kur personi ndien se nuk mund ta mbështesë përballjen në një mënyrë të barabartë. Ndërkaq, duke u hequr si viktimë mund të ketë shumë avantazhe: kënaqje, të tjerët do ta dëgjojnë, do të ketë dashuri dhe mbrojtje. Në qoftë se personi tjetër ndihet lehtë fajtor, viktima mund të dominojë në zgjedhjet e tij dhe madje ta mbajë lehtë nën kontroll, për një kohë shumë të gjatë. Kështu ndodh kur viktima bëhet tirane. Megjithatë, në çdo rast viktimizimi nuk paguhet, por ka mënyra se si të çliroheni prej tij: mund ta jetoni jetën si i rritur duke përdorur mekanizmat tipikë të fëmijërisë.
Shkaqet e viktimizimit
– Shembull i marrë nga një prind
– Dhunë fizike ose psikologjike në fëmijëri
– Mosinteresimi i familjarëve ndaj tij
Kur bëhet një strategji
Viktima i bën të tjerët të ndihen gjithmonë në faj dhe kështu mund të marrë prej tyre ç’të dojë: vëmendjen, fjalët, dashurinë, interesin, etj., duke dominuar mbi ta.
Ndërgjegjësimi për situatën
“Viktimat” duhet të përballen me pasigurinë që kanë në vetvete. Duhet medoemos ta luftojnë këtë fenomen. Nuk duhet të lejoni që historia juaj t’ju mbajë peng dy herë. Mendoni që personazhi i viktimës nuk ju ka sjellë ndonjë të mirë deri më sot. Nuk ju ka bërë kurrë të lumtur dhe nuk mund t’ju ndihmojë të kaloni traumën e vjetër.
Silluni si i rritur
Bëni një provë: kur fillon të shfaqet “fëmija-viktimë”, ju shtiruni sikur jeni i rritur, që jeni i sigurt në vetvete. Merrni përgjegjësitë që ju takojnë. Nuk mund t’ia hedhësh gjithmonë fajin fatit ose të tjerëve.
Për personat që ju qëndrojnë pranë duhet të largoni ndjenjat e fajit
Viktimizimi i të tjerëve mund të ndikojë tek ju vetëm ngaqë ndiheni në faj, ose jeni shumë të dobët nga ndonjë vuajtje që ju ka lënduar. Punoni me veten dhe gjeni motivin se përse jeni kaq të dobët.
Ndihmojeni viktimën të rritet
Në qoftë se e doni me të vërtetë personin që bën rolin e viktimës mos e përkrahni. Këshillojeni atë që të sillet në një tjetër mënyrë, të rritet dhe të mësojë që t’i ndajë marrëdhëniet. Nuk mund të sillet gjithnjë kështu.