Studiuesit kanë arritur këtë të diel të kurojnë plotësisht nga sëmundja e shekullit të shkuar, Sida, një fëmijë 2-vjeçar, duke rritur kështu shpresat e 6.6 milionë të prekurve në të gjithë botën
Një fëmijë i lindur me HIV në Misisipi duket se është kuruar, pasi u trajtua me një regjim të ashpër droge vetëm në moshën 2 vjeç e gjysmë. Ky është një rast i pazakontë, i cili mund të ndryshojë jetën e miliona personave deri më tani të pashpresë. Zbulimi i raportuar këtë të diel nga studiuesit shënon rastin e dytë të dokumentuar të një pacienti të kuruar nga virusi HIV. I pari ishte një i burrë i njohur nga mjekët si “pacienti nga Berlini”, i cili u kurua si rezultat i transplantit të palcës së kockave në vitin 2007. Rasti i ri u zbulua pasi nëna e vajzës së vogël ia ndaloi asaj mjekimet. Menjëherë pas kësaj, doktorët kuptuan se virusi ishte i padukshëm edhe pa përdorim të drogës, të cilën pacientët me HIV zakonisht janë të detyruar ta marrin për gjithë jetën. Hulumtuesit paralajmëruan se ky rast përfshin vetëm një paciente të vogël dhe se nuk mund të pranohet apriori për personat e rritur, të cilët virusin e kanë diktuar shumë kohë pas infeksionit. Studimi konfirmon se një mjekim mjaft herët mund të shpëtojë të sapolindurit nga HIV. Të gjitha vendet me buxhet të ulët apo të mesëm mund ta përballojnë këtë kurim agresiv të bebeve të lindura me virusin HIV. Udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetit këshillojnë një trajtim modest me një dozë të vogël që zgjat deri në 6 javë, për të sapolindurit tek të cilët nuk dihet me siguri prania e virusit, por që kanë lindur nga nëna me Sida. Nëse fëmija rezulton pozitiv, atëherë është koha e duhur për fillimin e kurimit agresiv. Në këtë rast, studiuesit besojnë se vendimi i mjekut për të filluar një trajtim agresiv antiretroviral brenda 31 orëve të lindjes së fëmijës ka çuar në shërimin e tij. Ata mendojnë se droga ka penguar formimin e të ashtuquajturave rezervuarëve viralë ku “ankorohet” virusi. Deri më sot, këto rezervuare kanë penguar gjetjen e kurës së HIV, sepse virusi rri i fshehur aty duke pritur përfundimin e trajtimit për t’u rishfaqur edhe më shkatërrues. Vajza e sapolindur mori trajtim dhe pastaj u shkëput nga trajtimi dhe çuditërisht virusi ishte zhdukur. Kjo ishte e padëgjuar deri më tani, sepse kur pacientët shkëputen nga terapia, virusi shfaqet në pak javë. Studiuesit po shohin mundësitë nëse mund ta bëjnë këtë një mjekim të përgjithshëm për fëmijët e sapolindur, që e kanë mbartur virusin nga nëna e tyre. Mundësitë që nëna ta transmetojë virusin te fëmija gjatë ngjizjes, lindjes ose ushqimit me gji, janë nga 15 deri në 45 për qind. Trajtimi me antiretroviral gjatë shtatzënisë dhe sidomos në kohën e hershme të lindjes së fëmijës, e redukton mundësinë e marrjes së virusit HIV në 2 për qind. Në botë rezultojnë 300,000-400,000 të porsalindur çdo vit, të cilët e kanë marrë virusin nga nënat e tyre, 90 për qind e fëmijëve mendohet të jenë nga Afrika. Fëmija i parë i kuruar nga virusi HIV lindi nga një nënë që nuk e dinte se e mbartte këtë sëmundje, për këtë arsye menjëherë pas lindjes kur nga analizat mjekët zbuluan HIV-in, ata bënë testin e virusit për beben. Pediatrja dhe specialistja e sëmundjeve infektive, Hana Gej, vendosi të mos priste për daljen e rezultateve, por të fillonte menjëherë trajtimin me antiretroviral. Gjatë gjithë kohës mjekja ishte e shqetësuar për faktin se, ndoshta ishte duke mjekuar me doza aq të forta një fëmijë të paprekur nga HIV. Por kur nga analizat rezultoi se vajza ishte pozitive ndaj HIV, mjekja vendosi vazhdimin e kurës. Trajtimi zgjati për disa kohë, por kur nëna e vajzës e ndaloi kurimin e saj për arsye të paditura dhe kur u kthye pas disa muajsh përsëri, mjekët vunë re se virusi nuk gjendej më në trupin e vajzës. Vogëlushja kishte shpëtuar nga sëmundja e shekullit. Ky rast i jep shpresë jo vetëm studiuesve, të cilët po përpiqen për shumë kohë të gjejnë mjekimin e HIV, por edhe pacientëve. Jeta e 6.6 milionë të prekurve kudo në botë, pritet të ndryshojë së shpejti. Njerëzimi duket se nuk i ka ndalur hapat e tij evolutivë drejt përmirësimit të vazhdueshëm të jetës.