Lufta moderne është e kushtueshme, por pritet të bëhet më pak falë shpikjeve të reja
Paraja, thoshte Ciceroni, më shumë se dy mijë vjet më parë, është vëllai i luftës. Kjo është e vërtetë edhe sot. Por së fundmi, nga këndvështrimi i amerikanëve, gjërat janë bërë paksa qesharake. Raketat inteligjente, p.sh., janë pabesueshmërish të kushtueshme. Një raketë Tomahok kushton rreth 1.5 milionë dollarë, ndërsa një raketë ajër-tokë me emrin “Hellfire” që peshon vetëm 50 kilogramë është 115 mijë dollarë copa. Në këmbim të një tanku të armikut, ky ndoshta është një çmim i mirë për t’u paguar. Por kur bëhet fjalë për të rrëzuar një kamion me pak guerilë të armatosur, kjo është një shifër paksa e lartë, ndërsa përdorimi i raketave të krahut Javelin, (147 mijë dollarë copa) për të vrarë ushtarë të caktuar të fshehur nëpër vrima, siç ndodh shpesh në Afganistan, kjo është një shifër shumë e lartë.
Është e qartë se diçka duhet të ndryshojë. Dhe në fakt, po ndryshon.
Një shenjë e këtij ndryshimi erdhi në mars, kur në Afganistan u dërgua për herë të parë APKWS II (Sistemi i armëve të avancuara për vrasje me precizion) i prodhuar nga “BAE Systems” dhe “Northrop Grumman”. Ky është një variant i kthyer në inteligjent i raketave të stilit të vjetër 70 milimetra, të cilat janë përdorur nga ushtria amerikane që nga viti 1948. Është gjithashtu e “lirë”, kushton vetëm 18 mijë dollarë për një goditje.
Kjo predhë ngarkohet dhe qëllohet njësoj si paraardhësja e saj, përmes raketahedhësve me 19 goditje, duke e bërë përdorimin e saj shumë të lehtë. Dallimi është se ajo mund të godasë me një saktësi prej vetëm 1 metër tolerancë, për shkak se është pajisur me një kokë që drejtohet nga laseri, pra ndjek një pikë të shënjestruar me rreze nga operatori i sistemit. Ajo ka një helikë që e dërgon predhën drejtpërsëdrejti te destinacioni i saj.
Praktika e zakonshme e predhave 70 mm është përdorimi i gati dy baterive, pra gjithsej 38 copë, ku secila prej tyre kushton një mijë dollarë, për të goditur vetëm një objektiv. Sistemi i ri rezulton kështu dy herë më i lirë për çdo vrasje. Kjo nënkupton gjithashtu se shumë më tepër objektiva mund të goditen brenda një misioni të vetëm.
BAE dhe “Northrop” janë thjesht të parat kompani që po hedhin në treg pajisje të tilla. ATK, “Lockheed Martin” dhe “Raytheon” janë duke punuar gjithashtu. Ndërkohë, marina amerikane po punon për variantin e vet të raketës së drejtuar me kosto të ulët, i quajtur Kërkuesi Vizual Imagjinues Terminal, armë që u testua me sukses vitin e kaluar. Kjo është një armë tjetër e krijuar përmes përmirësimit të predhës 70 milimetra, por në vend të drejtimit me laser, ajo e gjen objektivin përmes gjurmës së nxehtësisë. Për shkak se operatorët nuk kanë nevojë për të drejtuar një laser tek objektivi, ata mund të lëshojnë disa predha njëra pas tjetrës, një tipar shumë i rëndësishëm ky në rast se një anije sulmohet njëkohësisht nga një numër i vogël varkash.
Armët më të vogla me precizion janë gjithashtu të leverdishme në rrethanat kur pesha është një faktor i rëndësishëm. Avioni i telekomanduar “Hija”, që përdoret aktualisht nga ushtritë e SHBA-së, Australisë dhe Suedisë, është tepër i lehtë për të mbajtur raketat e rënda dhe për rrjedhojë, për momentin, përdorimi është i kufizuar në rolin e zbulimit. Por shpejt nuk do të jetë më kështu. “Hija” po armatoset me një raketë të vogël, të komandueshme dhe që mbahet ende sekret. Kjo pason suksesin e mëparshëm të pajisjes së avionit “Gjuetari” me bomba të drejtuara me laser, që peshojnë 20 kilogramë dhe që fillimisht u zhvilluan nga “Northrop Grumman” si një armë antitank. Kjo lloj arme është në gjendje të godasë një objektiv nga shumë kilometra larg.
Por përpjekja më e fortë për zhvillimin e një arme të vogël, të lirë dhe të telekomanduar, quhet F2M2. Ajo po prodhohet nga stacioni i Armëve Detare dhe Ajrore në Kaliforni. Steve Felix, menaxheri i projektit, thotë se dëshiron të prodhojë një armë të tillë vetëm 5 mijë dollarë për copë, duke përdorur komponentë të prodhuar më herët. Rezultati pritet të jetë një predhë që peshon më pak se 3 kilogramë dhe ka përmasat e një bagete. Kjo është një armë e testuar me sukses, si një raketë e lëshuar nga krahu dhe e lëshuar nga avionët pa pilot. Është pajisur me një sistem drejtimi optik, me një kamera që mund të vihet në dispozicion të operatorit, ose mund të zgjedhë vetë një objektiv të shënjuar me laser dhe të niset drejt tij. Ka një rreze veprimi prej 1500 metrash dhe për shkak se koka e saj është tepër e vogël për të dëmtuar një tank, ajo pritet të përdoret për të shkatërruar makina apo objektiva të tjera të pakorracuara me kosto më të lirë se sa alternativat e tjera.
Armët me precizion sakaq e kanë ndërruar natyrën e luftës nga themeli, edhe pse deri më sot kanë rritur çmimin e një beteje. Raketat e drejtuara me kosto të ulët, shpesh të ngarkuara në avionët pa pilot në vend të aeroplanëve dhe pilotëve të kushtueshëm, pritet ta ndryshojë luftën edhe më tej. Kur raketa të tilla do të kushtojnë disa mijëra dollarë në vend të miliona dollarëve, asnjë objektiv nuk do të jetë tepër i lirë për t’u kursyer.