Nga inxhiniere (por adhuron mjekësinë dhe letërsinë) te presidente e “Lancome”: Youcef Nabi është një administratore jashtë skemave tradicionale. “Nuk jam një person si gjithë të tjerët, por ndihem mirë me jetën time”


Youcef NabiNga inxhiniere që adhuron mjekësinë dhe letërsinë te presidente e “Lancome”: Youcef Nabi është një administratore jashtë skemave tradicionale. “Nuk jam një person si gjithë të tjerët, por ndihem mirë me jetën time”. Ndoshta shumë pak e njohin, por Youcef Nabi është presidentja ndërkombëtare e firmës së mirënjohur “Lancome”. Karriera e saj është shumë e larmishme dhe ndërthur mjaft fusha së bashku. Profesioni i saj i vërtetë është inxhiniere agronome, por ajo është e pasionuar pas mjekësisë dhe biokimisë, artit dhe letërsisë. Emri i saj Youcef tingëllon paksa mashkullor, por në fakt gruaja më e pushtetshme e “Lancome” ka shumë feminilitet dhe elegancë. Është goxha e gjatë, ka flokë të dendur që i mban thuajse gjithmonë të mbledhur, një lëkurë të pastër dhe shumë klas. Ndoshta pak duhet ta dinë se ky person i jashtëzakonshëm ka lindur burrë dhe e ka ndërtuar gjithë jetën e tij në bazë të parimit për të qenë vetvetja, pra grua. Gjithsesi mënyra më e mirë për të njohur Youcef Nabi-n është përmes fjalëve të saj dhe ndjeshmërisë së refleksioneve: mbi jetën, bukurinë dhe dashurinë.


“Lancome” sapo ka prezantuar parfumin “La vie est belle”, në shitje nga vjeshta e këtij viti. Ajo tregon për momentet më të bukura të jetës së saj që lidhen pikërisht me këtë parfum: “Në nivel profesional, ndoshta jam duke e jetuar pikërisht tani. Ky parfum është rezultat i tre viteve punë dhe 15 viteve eksperiencë në industrinë kozmetike. Ndërsa në jetën time private shpresoj që momenti më i bukur duhej të vijë”. Spoti i reklamës së parfumit që ka si protagoniste Julia Roberts, tregon për një histori me fund të bukur, por pa princin e kaltër, por kjo nuk do të thotë se sot gratë e kërkojnë lumturinë vetëm te dashuria. “Nëse e kalon jetën në kërkim të princit të kaltër, nuk ke për ta gjetur kurrë. Teoria ime është: kërko vetveten, çlirohu nga ajo që të largon prej asaj që je vërtet dhe do e kuptosh se çfarë të bën të lumtur. E thjeshtë apo jo?”. Të jesh e lumtur bën që edhe të tjerët që të rrethojnë të kenë shumë energji pozitive. “Lumturia i bën të tjerët që t’u largohet trishtimi. Dhe për fat të mirë nuk ndodh kurrë e kundërta. Ka ditë kur e ndiej veten një person me fat, të tjera ku ndihem më pak e lutur. Gjithsesi kur shoh se përreth ka njerëz që kanë shumë më pak gjëra se unë dhe prapë janë të lumtur, gjej më shumë forcë dhe frymëzim. E përsëris që jeta është e bukur. Më ndodh shpesh kjo”. Por në fakt qëllimi i jetës është të jemi të lumtur. “Do të thosha të kundërtën. Duhet të jemi të lumtur për të jetuar. Jo më kot më jetëgjatët janë ata që janë më optimistë, çka do të thotë se duhet të fshihen momentet e trishtuara nga mendja”. Julia Roberts pranoi të ishte imazhi i “Lancome” për parfumin e ri ndoshta edhe për faktin se mes asaj dhe Youcef ekziston një marrëdhënie shumë e mirë. “Herën e parë që e takova në 2009-n, kaluam tri orë së bashku duke biseduar në restorant, duke folur për gjithçka, për të, fëmijët, për familjen. Më tha se me sa shumë dëshirë do të donte të ishte imazhi i një produkti të ‘Lancome’, por jo për një buzëkuq apo rimel. Ëndrra e saj ishte një parfum që t’i ngjante. Pikërisht si ‘La vie est belle’”. Pak e vështirë ta mendosh këtë ndryshim kur për shumë vite me radhë Isabella Rossellini ka qenë imazhi i fushatave të kësaj firme. “Në fakt është e drejtë. Unë vetë u dashurova me ‘Lancome’ përmes imazhit të saj. Isha 15 vjeçe, jetoja në Algjeri dhe kisha në shtëpi shumë revista që im atë i sillte nga udhëtimet e tij në Romë, Paris, apo Londër. I shfletoja dhe isha e magjepsur nga ajo. Është një nga fytyrat e saj universale”. “Është dhuratë. Por edhe inxhinieri, teknikë, kimi”.


Dita e saj nis duke parë gjithmonë ditën nga dritarja. “Nëse ka diell kam dëshirë të shkoj për të punuar, të takoj njerëzit apo të dal për drekë. Nëse ka re apo shi, dëshiroj vetëm që të vijë shpejt ora për të shkuar në shtëpi. Gjithmonë para se të fle nuk harroj t’u dërgoj sms njerëzve që dua shumë. Është një ritual që e bëj çdo natë për t’u siguruar se nesër do të komunikoj sërish me ta”. Nëse do të rilindte edhe njëherë, do të zgjidhte të kishte një jetë më të thjeshtë, jo kaq të vështirë dhe të komplikuar. “Jam lodhur nga fakti se më duhet të luftoj shumë për të arritur gjërat që dua. Gjithsesi ankthi dhe frika janë pjesë e evolucionit human”. Për të lumturi është një ndjesi statike: “Çdo ditë të propozon sfida dhe lodhje. Duhet shumë energji për ta arritur”.