I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë teologu Vladimir Kera. Ai ka folur më shumë për festën e Kurban Bajramit, rëndësinë e saj, si dhe ritet që bëjnë besimtarët…
Cila është historia e Kurban Bajramit?
Kjo histori është e veçantë, sepse bashkohet tek ai që ne e konsiderojmë si babai i gjithë profetëve dhe të gjitha fetë me burim hyjnor, pra hebraizmi, si krishtërimi, si islami, burojnë nga djemtë e këtij profeti të madh, që është Abrahami, ose Ibrahimi që ne njohim. Tek ai pastaj vijnë dy breza të mëdha, vjen Is’haku që vjen deri tek Krishti dhe nga krahu tjetër vjen Ismaili dhe vjen Profeti Muhamed. Pra Ibrahimi është ai që njihet ndryshe si babai i gjithë profetëve dhe të të tri fetë e mëdha nga ai vijnë.
Historia e Kurban Bajramit është pikërisht me këtë zotëri të madh, me profetin Ibrahim, i cili kishte parë në ëndërr që të flijonte djalin e tij. Pasi kishte ndërtuar shtëpinë e shenjtë, që është Meka sot, sepse ai e ka ndërtuar bashkë me djalin e vet, në fund të ndërtimit të kësaj shtëpie, ai ka parë në ëndërr tri net rresht, që të flijojë djalin e tij për Mekën. Ai e fsheh këtë, nuk e tregon, deri kur një ditë i thotë djalit të tij që në përgjithësi ëndrrat e profetëve janë të vërteta. Pra, profetët nuk kanë ëndrra të rrejshme, siç mund të kemi ne vegime ose iluzione, ose hallet e ditës që i shohim ne natën.
Por profetët kanë ëndrra të vërteta dhe ai kuptoi që mund të jetë një kërkesë nga Zoti për atë, për ta sprovuar profetin Ibrahim në një çështje. Se ai vetëm atë fëmijë kishte me bashkëshorten e vet, të cilët jetonin në ato rrethinat e Mekës. Dhe me bashkëshorten e tij tjetër që ishte hebreje, nuk kishte fëmijë, pra vetëm një fëmijë kishte me bashkëshorten e tij të dytë. Ngaqë nuk bënte dot fëmijë me të parën, kishte marrë të dytën dhe vetëm një djalë kishte, që ia vuri emrin Ismail. Kur e shikon këtë, ia tregon djalit të tij dhe ia shpjegon shqetësimin që ai kishte.
Pra, mua më jep një mesazh të veçantë, që njeriu ka disa shqetësime dhe mirë është që t’i shprehë edhe me fëmijët, edhe pse janë të vegjël. Mund të jenë të vegjël në syrin tonë, por ai është i madh në botën e vet dhe nuk është se nuk lë gjurmë. Prindërit ndonjëherë nuk zgjedhin që t’i komunikojnë gjërat, qoftë edhe shqetësimin që ka për fëmijën e vet. Është mirë që të komunikohet, sido që të jetë gjëja, mirë apo keq, komunikoje. Dhe historia këtu lind, ku ai vendos që ta zbatojë këtë premtim dhe Zoti thotë: “Unë vetëm të provova besnikërinë tënde ndaj meje, ka mbaruar dita ku njeriu flijohet për çdo gjë”. Sepse ishte traditë e popujve që flijonin njerëzit, për gjëra të mëdha, për fenomene me demek të Zotave.
Dhe ai tha që: “Nuk kërkon Zoti flijim nga njeriu, tregoja njerëzve që Zoti nuk ka nevojë të flijojë askënd.” Dhe i solli një dash në formë kurbani dhe i tha që ‘flijo këtë për njeriun’. Dhe kjo është simbolika e Kurban Bajramit, ne flijojmë në shenjë historie për profetin Ibrahim, në shenjë respekti dhe bindje ndaj Zotit, flijojmë një nga mirësitë që i ka falur Zoti në shërbim të njeriut, për të jetuar njeriu. Në njëfarë forme në modernitet, duhet të flijojmë materien dhe të jetojnë njerëzit, jo të flijojmë njerëzit që të jetojë materia. Dhe mendoj se është një temë që duhet hapur, qoftë për të na kujtuar profetin Ibrahim. Kjo është zanafilla e kësaj dhe nga ajo kohë e deri më sot, besimtarët myslimanë, por dhe hebrejtë dhe të krishterët, e kanë flijimin, këtë që ne e konsiderojmë respekt për Zotin, për t’iu bindur atij, por gjithmonë përfitimi janë njerëzit, të varfrit, nevojtarët, e kështu me radhë. /TAR/
