iSgurohet e para hartë e plotë e trurit të një gjitari, plotësisht në funksion, duke zbuluar mbi 600 mijë neurone të shpërndara në 279 zona, që përfaqësojnë 95% të vëllimit të trurit të një miu. Rezultati është fryt  i një bashkëpunimi të gjerë ndërkombëtar që përfshin 12 laboratorë në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.

Aty zbulohet se vendimmarrja shpërndahet në disa rajone të trurit shumë të koordinuara, në kundërshtim me teoritë tradicionale të vjetra. Ky zbulim i rëndësishëm, që vjen vetëm disa muaj pas hartës më të plotë të vizatuar ndonjëherë të qelizave dhe lidhjeve në trurin e miut, u botua në dy studime në revistën Nature dhe të gjitha të dhënat janë bërë të disponueshme.

Kjo është hera e parë që dikush ka prodhuar një hartë të plotë të aktivitetit individual të neuroneve gjatë vendimmarrjes, duke mbuluar të gjithë trurin: fushëveprimi është i pashembullt, thotë Alexandre Pouget, drejtues i grupit të Universitetit të Gjenevës që merr pjesë në projekt. Aktiviteti i vendimmarrjes dhe shpërblimi në veçanti, e ndriçon trurin si një pemë Krishtlindjesh.

Studiuesit përdorën elektroda të teknologjisë së fundit për të regjistruar aktivitetin e trurit të minjve ndërsa ata kryenin një detyrë: varësisht nga pozicioni i një drite në një ekran, kafshët duhej të kthenin një rrotë të vogël majtas ose djathtas për të marrë një shpërblim.

Të dhënat e marra tregojnë se sinjalet që mundësojnë vendimmarrjen janë çuditërisht të shpërndara në të gjithë trurin, jo të lokalizuara në rajone specifike. E njëjta gjë vlen edhe për pritshmëritë tona për atë që ka të ngjarë të ndodhë në të ardhmen, të cilat zhvillohen bazuar në përvojë.

Kjo mbështet idenë se truri vepron si një makinë parashikuese dhe mund të ndihmojë në kuptimin e gjendjeve të tilla si skizofrenia dhe autizmi, të cilat mendohet se shkaktohen nga ndryshimet në mënyrën se si përditësohen pritshmëritë në tru./TAR