Një formë e modifikuar e vitaminës K mund të ndihmojë në rikthimin e neuroneve të humbura tek pacientët me Alzheimer, ka treguar një studim i ri.
Studimi, i botuar në “ACS Chemical Neuroscience”, ka testuar 12 analoge të sapozhvilluara të vitaminës K që janë pasuruar me acid retinoik, një metabolit i vitaminës A i njohur për mbështetjen e rritjes së qelizave të trurit.
“Meqenëse humbja e neuroneve është një shenjë dalluese e sëmundjeve neurodegjenerative si sëmundja e Alzheimerit, këto analoge mund të shërbejnë si agjentë rigjenerues që ndihmojnë në rimbushjen e neuroneve të humbura dhe në rikthimin e funksionit të trurit”, tha Yoshihisa, bashkëautor kryesor i studimit.
Format natyrale të vitaminës K, përfshirë menakinonën-4 (MK-4), njihen për ndihmën në mpiksjen e gjakut dhe shëndetin e kockave dhe mund të ofrojnë njëfarë mbrojtjeje të trurit.
Megjithatë, ato kanë aftësi të kufizuar për të trajtuar neurodegjenerimin, thonë ekspertët.
Versionet e sapokrijuara janë treguar tri herë më efektive në shndërrimin e qelizave të trurit të papjekura në neurone gjatë testeve laboratorike.
Ato gjithashtu kanë kaluar me sukses barrierën gjak-tru në modelet shtazore, një hap thelbësor për çdo trajtim që synon trurin.
“Këto molekula të reja ruajtën përfitimet origjinale të vitaminave K dhe A, ndërsa shfaqën aktivitet të përmirësuar ndjeshëm të qelizave të trurit”, ka thënë Hirota.
Hulumtuesit tani planifikojnë të ecin përpara me provat në kafshë dhe njerëz për të përcaktuar potencialin klinik.
“Një ilaç i derivuar nga vitamina K që ngadalëson përparimin e sëmundjes së Alzheimerit ose përmirëson simptomat e saj jo vetëm që mund të përmirësojë cilësinë e jetës, por edhe të zvogëlojë barrën e kostove shëndetësore dhe kujdesit”, ka shtuar Hirota.