Një studim i ri i publikuar në revistën “Nutrition” sugjeron se konsumimi i gjizës para gjumit mund të ketë efekte pozitive në metabolizëm, rikuperimin e muskujve dhe procesin e kontrollit të peshës trupore gjatë natës.

Për një kohë të gjatë është besuar se ngrënia vonë në mbrëmje kontribuon në shtimin e peshës, pasi trupi i ruan kaloritë si yndyrë. Megjithatë, sipas nutricionistit Michael Ormsbee, kjo nuk vlen për ushqimet e pasura me proteina, si gjiza e freskët.

Ai shpjegon se konsumimi i një sasie të vogël gjize, rreth 30 minuta para gjumit, mund të ndihmojë organizmin gjatë procesit të rikuperimit dhe të ofrojë një alternativë më të shëndetshme krahasuar me ushqimet e zakonshme të mbrëmjes.

Sipas tij, proteina që gjendet në gjizë, kazeina, tretet ngadalë, duke siguruar furnizim të vazhdueshëm me aminoacide gjatë gjithë natës. Këto aminoacide përdoren nga trupi për ndërtimin e muskujve, riparimin e indeve dhe mbështetjen e sistemit imunitar.

Profesori Ormsbee nga Florida State University thekson se deri më tani nuk kishte prova të mjaftueshme për të krahasuar efektin e ushqimeve të plota me suplementet proteinike, por ky studim ofron një perspektivë të re mbi rolin e ushqimit natyral në mbrëmje.

Sipas studiuesve, përfshirja e proteinave të lehta para gjumit mund të ndihmojë në ruajtjen e masës muskulore dhe në optimizimin e proceseve metabolike gjatë pushimit, pa qenë e nevojshme përdorimi i suplementeve të përpunuara.