Është një prani e heshtur, me të cilën kemi mësuar të jetojmë, edhe pse e dimë sa e dëmshme është. Quhet stres kronik. Është bërë pjesë e përditshmërisë dhe, në shumë raste, e kemi pranuar si “të pashmangshëm”. Por pesha e tij bie çdo ditë mbi shëndetin tonë dhe mbi jetëgjatësinë.

Sot flitet shumë për jetëgjatësinë shpesh në kontekst estetik, mjekësor, apo mirëqenieje. Por të jetosh gjatë nuk mjafton: duhet të jetosh mirë. Rritja e jetëgjatësisë ka kuptim vetëm nëse shoqërohet me një pleqëri të shëndetshme, me qartësi mendore dhe qetësi. Dhe megjithatë, në vrapin pas “rinisë së përjetshme”, duke ndjekur dieta perfekte, protokolle, suplemente apo stërvitje ekstreme, harrojmë armikun kryesor të një jete të gjatë e të shëndetshme: stresin.

Rrënjët e stresit kronik lidhen kryesisht me faktorë socialë. Jetojmë të zhytur në një presion të pandërprerë: duhet të jemi gjithmonë performantë dhe produktivë, të shkëlqejmë në punë, por edhe të jemi emocionalisht të qëndrueshëm, të disponueshëm në marrëdhënie, fizikisht aktivë dhe socialisht të pranishëm. Na kërkohet të jemi gjithçka dhe shpesh tepër në të njëjtën kohë. Rezultati është një ritëm jete i paqëndrueshëm, ku mirëqenia i lëshon vendin gulçimit.

E megjithatë, siç thotë një proverb i vjetër: ai që ecën ngadalë, shëndoshë e larg shkon. Ekspozimi i zgjatur ndaj stresit psikosocial rrit ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve kronike dhe lidhet me ulje të mbijetesës. Literatura shkencore e viteve të fundit e lidh stresin e lartë dhe të vazhdueshëm me një incidencë më të madhe të patologjive kardiovaskulare, metabolike dhe neurodegjenerative, si edhe me përshpejtimin e proceseve të plakjes biologjike.

Ka një dallim të rëndësishëm: të jetosh më gjatë dhe të jetosh më mirë. Objektivi nuk është thjesht numri i viteve, por vite të jetuara me shëndet e qetësi. Dhe stresit kronik i jepet roli i “sabotorit” që e dëmton këtë cilësi në heshtje. Të jetosh pa asnjë stres është e pamundur, por mund të mësojmë të ulim ngarkesën kronike mbi mendjen dhe trupin. Hapi i parë, është të braktisim obsesionin për perfeksion qoftë fizik, profesional apo emocional dhe të mësojmë të dëgjojmë veten: të njohim kufijtë, dëshirat dhe nevojat reale. Do të thotë edhe të menaxhojmë pritshmëritë sociale dhe të pranojmë se jo gjithçka është nën kontrollin tonë.

Ndërtimi i një jete më pak stresuese kërkon kohë dhe realizëm: sloganet motivuese shpesh janë kundërproduktive. Ajo që funksionon është ndërgjegjësimi, vullneti dhe hapa të vegjël konkretë objektiva të arritshme në afat të shkurtër dhe një rindërtim gradual i qetësisë, “tullë pas tulle”. Ekuilibri personal nuk imponohet me forcë; të ndihesh fajtor që s’e ke arritur, vetëm ushqen atë rreth vicioz ankthi e tensioni që po përpiqemi të ndërpresim.

Shkenca e shpjegon qartë pse stresi kronik është një nga përshpejtuesit kryesorë të plakjes. Kur organizmi jeton në gjendje alarmi të vazhdueshëm, boshti hipotalamus–hipofizë–gjendra mbiveshkore qëndron i aktivizuar dhe prodhon tepricë kortizoli, hormoni i stresit. Ky çrregullim, kur zgjat, ndryshon metabolizmin, rrit presionin e gjakut, dobëson sistemin imunitar dhe dëmton aftësinë e trupt për të riparuar indet.

Nuk ka rëndësi vetëm sasia e kortizolit, por edhe ritmi i tij ditor: studime afatgjata tregojnë se profile të çrregulluara (kortizol i lartë në mbrëmje ose rënie e pamjaftueshme gjatë natës) shoqërohen me rrezik më të lartë vdekshmërie dhe sëmundjesh kardiovaskulare. Paralelisht, grumbullimi i inflamacionit kronik të nivelit të ulët (inflammaging) dobëson organizmin dhe favorizon problemet tipike të moshës.

Mjeku thekson se ndër mekanizmat kryesorë janë: dëmtimi kardiovaskular (përmes disfunksioneve endoteliale dhe rritjes së presionit), ulja e imunitetit (me ndjeshmëri më të lartë ndaj infeksioneve dhe riparim më të dobët), si edhe inflamacioni kronik e stresi oksidativ, që lidhen me shkurtimin e telomerëve pjesët fundore të ADN-së që mbrojnë kromozomet dhe konsiderohen tregues të jetëgjatësisë qelizore.