I ftuar në emisionin “Vitality Vibes” me Ilvi Begollin në Top Albania Radio ka qenë doktori i njohur Altin Veshti, i cili ka analizuar me detaje gjithçka rreth kujdesit që ne duhet të kemi për të pasur një zemër të shëndetshme dhe jo vetëm kaq…

Prof. Dr. Altin Veshti një prej emblemave të kardiokirurgjisë në vendin tonë, është një mjek i cili punon në të gjithë botën por zgjedh të qëndrojë në Shqipëri duke dhënë kontributin e tij në fushën e kardiokirurgjisë. Kur u pyet nga Ilvi në lidhje me ndërhyrjet në zemër dhe a është e vërtetë që zemra mund të ndalohet gjatë një operacioni?

Po,  gjëja më interesante kur ne operojmë është që gjithmonë kemi dy studentë në sallë të vitit të pestë për të bërë ciklet e ndryshme dhe vijnë shohin ndërhyrjet kardiokirurgjikale dhe pjesa që ju intereson më shumë është momenti kur ne bëjmë një substancë që quhet kardioplegjia, mban kalium ajo dhe e ndal zemrën. Është momenti kur zemra është duke rrahur normalisht dhe fillon e ul ritmin derisa ndalet komplet dhe bëhet vijë e drejtë. 

Për sa kohë mund të ndodhë kjo?

Mund ta ndalim një, dy ose tre orë e kemi mbajtur të ndalur. Është një aparat që e mban trupin në jetë që zëvendëson edhe trupin dhe mushkëritë. Gjaku del jashtë, kjo është fantazi që nuk e besojnë sepse gjaku del jashtë trupit dhe oksigjenohet në një aparat dhe kthehet përsëri në trup. Truri dhe të gjitha organet mbahen në jetë nga ky aparat që e menaxhojnë anestezistët. Imagjino se sa ekselentë janë këta anestezistë që unë i besoj 100% jetën e këtij pacienti që po operoj sepse unë nuk e ngre kurrë kokën nga zemra. Ata menaxhojnë jetën e pacientit. Imagjino çfarë përgjegjësie. Pastaj e vëmë në punë, mjafton të hapim fluksin e gjakut që të hyjë brenda në zemër, në momentin që gjaku hyn në zemër ajo fillon dhe lëviz nuk është organ që është bërë për të qëndruar i palëvizur.