Zgjidhja për të mposhtur verbërinë njerëzore mund të fshihet te një kërmill i ujërave të ëmbla që është në gjendje të rigjenerojë syrin brenda vetëm 30 ditësh.
“Bëhet fjalë për Pomacea canaliculata, i njohur si “kërmilli i mollës së artë”, një specie që po tërheq vëmendjen e komunitetit shkencor për aftësinë e jashtëzakonshme rigjeneruese”.
Ky kërmill mund të rigjenerojë plotësisht syrin pas një ndërhyrjeje kirurgjikale, duke rindërtuar thjerrëzën, retinën dhe nervin optik brenda rreth një muaji.
Studiuesit e kanë përqendruar vëmendjen te kjo specie sepse syri i saj i tipit “kamera” ndan tipare thelbësore strukturore me syrin e njeriut, duke e bërë atë një model të rrallë për të studiuar se si një sistem kompleks shikimi mund të rindërtohet nga e para.
Studimi është publikuar në revistën shkencore “Nature Communications”, ku biologia e “Universitetit të Kalifornisë”, Davis, Alice Accorsi, së bashku me ekipin e saj, kombinuan diseksione dhe analiza gjenomike për të hetuar mekanizmat që fshihen pas këtij fenomeni.
Sipas tyre, shumë nga gjenet që kontrollojnë zhvillimin e syrit tek njerëzit janë gjithashtu të pranishme dhe aktive tek ky kërmill.
Pas rigjenerimit, struktura e syrit të ri dhe profili i shprehjes gjenike përputhen ngushtë me ato të syrit origjinal.
Një proces i programuar me saktësi biologjike
Rigjenerimi i syrit tek Pomacea canaliculata ndjek një kalendar të qartë biologjik. Brenda 24 orëve të para ndodh mbyllja e plagës. Më pas, qeliza të paspecializuara migrojnë në zonën e dëmtuar, shumohen dhe fillojnë të diferencohen në struktura specifike.
Brenda rreth një jave e gjysmë formohen pjesë kyçe si thjerrëza dhe retina.
Deri në ditën e 15-të, strukturat kryesore, përfshirë nervin optik, tashmë janë të pranishme.
Javët në vijim shërbejnë për rritjen dhe maturimin e plotë të syrit, derisa të arrijë funksionalitetin normal.
Në nivel molekular, procesi shoqërohet me ndryshime të thella. Menjëherë pas amputimit, rreth 9 mijë gjene ndryshojnë aktivitetin e tyre krahasuar me sytë normalë të rritur.
Edhe pas 28 ditësh, 1 mijë e 175 gjene vazhdojnë të shfaqin aktivitet të ndryshuar, çka sugjeron se megjithëse syri duket i “përfunduar” nga jashtë, programi i brendshëm gjenetik vazhdon të stabilizohet.
Roli kyç i gjenit pax6
Për të kuptuar më mirë rolin e gjeneve specifike, ekipi përdori teknologjinë e modifikimit gjenetik CRISPR-Cas9 për të targetuar gjenin pax6, një rregullator kryesor i zhvillimit të syrit dhe trurit tek shumë specie.
Rezultatet treguan se embrionet me dy kopje jofunksionale të këtij gjeni zhvilloheshin pa sy, duke konfirmuar rolin e tij themelor në formimin e sistemit të shikimit.
Ky zbulim forcon idenë se ekziston një “arsenal” i lashtë gjenetik, i përbashkët mes shumë organizmave, që mund të riaktivizohet për të nxitur rigjenerimin.
Çfarë do të thotë kjo për njerëzit?
Syri i njeriut është një organ jashtëzakonisht kompleks, i përbërë nga struktura të specializuara që bashkëpunojnë për të kapur dritën dhe për ta shndërruar atë në sinjale nervore që truri i interpreton si imazhe. Dëmtimet serioze zakonisht nuk rigjenerohen plotësisht tek njerëzit.
Megjithatë, fakti që një organizëm me sy të tipit “kamera” mund të rindërtojë të gjithë strukturën e tij sugjeron se në vend që të riparohen dëmtimet pjesë-pjesë, e ardhmja e trajtimit të verbërisë mund të qëndrojë tek riaktivizimi i programeve gjenetike që udhëheqin zhvillimin dhe rigjenerimin e syrit.
Studiuesit theksojnë se rruga drejt aplikimeve klinike ende është e gjatë. Por, harta e detajuar e mekanizmave gjenetikë e qelizorë në një model biologjik të fortë si Pomacea canaliculata, përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt të kuptuarit se si shikimi mund të rikthehet një ditë te njerëzit. /TAR/
